Gjashtë medalje ndërkombëtare

Garuesit e KT “Ulqini” fituan dy medalje të arta dhe dy medalje të argjendta në Turneun ndërkombëtar “Malta Open 2026”, si dhe dy medalje të bronzta në Ligën Evropiane Malta E2

Klubi i Taekwondosë “Ulqini” ka bërë paraqitje të mirë në dy aktivitete të rëndësishme sportive të zhvilluara në Maltë: Ligën Evropiane Malta E2 dhe turneun ndërkombëtar “Malta Open 2026”, ku sportistët e këtij klubi arritën rezultate të shkëlqyera, duke fituar gjithsej gjashtë medalje.
Në ditën e parë të garave, më 21 nëntor 2026, u zhvillua Liga Evropiane Malta E2, një aktivitet që shërben për grumbullimin e pikëve të vlefshme për ranglistën evropiane. Në këtë garë morën pjesë mbi 600 sportistë nga 26 vende të Evropës.
Në deklaratën për media të KT “Ulqini” thuhet se garuesit e këtij klubi patën paraqitje të mirë, duke fituar dy medalje të bronzta. Denis Çoboviq dhe Xhenan Tivari fituan dy ndeshjet e para, ndërsa humbën në ndeshjen e tretë nga kundërshtarët e tyre nga Portugalia, gjegjësisht Spanja. Ndërkaq, Amella Nuti dhe Eren Karaminxhoja humbën që në ndeshjet e para.
Në ditën e dytë, më 22 nëntor 2026, KT “Ulqini” vazhdoi garimin në turneun ndërkombëtar “Malta Open 2026”, në një konkurrencë me mbi 400 sportistë nga 13 shtete. Në këtë turne KT “Ulqini” u përfaqësua me katër garues, duke arritur të fitojë katër medalje: dy medalje të arta dhe dy medalje të argjendta. Medalje të arta fituan Eren Karaminxhoja dhe Amella Nuti, kurse medalje të argjendta fituan Denis Çoboviq dhe Xhenan Tivari.
Përveç medaljeve të fituara, Denis Çoboviq dhe Xhenan Tivari arritën të grumbullojnë pikë të vlefshme për ranglistën evropiane, në kuadër të Ligës Evropiane – niveli E2, duke shënuar një rezultat të rëndësishëm për avancimin e tyre në renditjen kontinentale.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat