Promovohet monografia “Piktorët shqiptarë të Malit të Zi – Ura e ngjyrave të Mesdheut”

“Për mua, piktorët shqiptarë nga Ulqini janë rojet e dritës së Mesdheut, brushat e të cilëve ndërthurin detin, gurin, agrumet dhe fatin njerëzor në imazhet e papërsëritshme të ekzistencës. Në pikturat e tyre pulson vazhdimisht shpirti i Ulqinit. Piktorët e Ulqinit nuk janë vetëm pjesë e skenës artistike malazeze dhe mesdhetare por edhe një segment i domosdoshëm i dialogut ndërkulturor global”, u shpreh autori i monografisë, Bozhidar Proroçiq

Në kuadër të manifestimit “Ditët e Kulturës së Pakicave në Mal të Zi 2026”, të organizuar nga Qendra për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave në Mal të Zi (CEKUM), të hënën (më 9 nëntor 2026), në hotelin “Mediteran” në Ulqin u mbajt një aktivitet kushtuar krijimtarisë artistike të piktorëve ulqinakë.
Para një numri të madh përfaqësuesish të jetës publike dhe kulturore nga Ulqini dhe Mali i Zi, u promovua monografia “Piktorët shqiptarë të Malit të Zi – Ura e ngjyrave të Mesdheut”, me autor Bozhidar Proroçiq, ndërsa njëkohësisht u hap edhe ekspozita me punimet e artistëve nga Ulqini.
Monografia, e botuar nga CEKUM-i, është një vepër dygjuhësore, me gjithsej 296 faqe dhe me një numër të madh riprodhimesh artistike në ngjyra. Përmes një qasjeje eseistike dhe kritike ndaj artit figurativ, autori sjell një vështrim mbi krijimtarinë e artistëve shqiptarë nga Ulqini, duke vlerësuar kontributin e tyre në pasurimin e kulturës vizuale të Malit të Zi dhe në forcimin e dialogut ndërkulturor.
Në këtë botim janë përfshirë 12 artistë të njohur nga Ulqini: Gjergj Noc Martini, Ruzhdi – Rudi Goga, Bilal Nikeziqi, Naser Hasa, Vahida Hasanaga – Nimanbegu, Mersiha Resulbegoviq – Mavriq, Edin Kapllani, Jozo Koçoviq, Brigita Antoni, Allmedin Suka, Jetmira Hoxha dhe Emina Nimanbegoviq.
Duke e hapur manifestimin, drejtori i CEKUM-it, Gzim Hajdinaga, falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen e madhe, duke theksuar se mbështetja e publikut është një motiv shtesë për të vazhduar punën në ruajtjen dhe promovimin e kulturës.
“Ne në CEKUM dhe unë personalisht, që nga viti 2003, kur isha ministër në Qeverinë e Malit të Zi dhe kur për herë të parë në jetën kulturore të vendit sollëm Ditët e Kulturës së Pakicave, e kemi ditur se fuqia e shtetit të Malit të Zi nuk matet me pasuri, por me respektin që kemi ndaj njëri-tjetrit. Dallimet janë një gjë e shenjtë dhe multikulturalizmi ynë është një ndër pasaportat më të rëndësishme pa viza për hyrjen në Bashkimin Evropian”, u shpreh Hajdinaga.
Ai theksoi se kultura është një mision që shkon përtej kohës dhe brezave.
“Ata që nuk punojnë për kulturën, në fakt nuk punojnë as për veten e tyre, ndërsa ata që punojnë për kulturën kontribuojnë në ruajtjen e identitetit të tyre. Ky është një mision i madh”, tha Hajdinaga.
Duke folur për realizimin e monografisë, ai vlerësoi veçanërisht autorin Bozhidar Proroçiq, duke treguar se ideja për këtë botim lindi pas një ekspozite të organizuar vitin e kaluar në Podgoricë.
“Bozhidar Proroçiq, miku im i madh nga Cetina, më tha atëherë: ‘Gzim, miku im, këta njerëz meritojnë diçka më shumë se vetëm një ekspozitë. Kjo duhet të mbetet për brezat e ardhshëm’. Dhe ja, sonte na bashkoi kjo monografi. Gjithçka që shkruhet mbetet përgjithmonë në arkivat tona dhe në bibliotekat tona personale”, deklaroi Hajdinaga.
Në promovim morën pjesë edhe profesori Velko Gjukanoviq nga Cetina, lektor i monografisë, si dhe Prof. dr. Hivzi Muharremi nga Prishtina, kritik i artit figurativ.
Profesori Gjukanoviq, duke folur për procesin e përgatitjes së botimit, u ndal veçanërisht te qasja e autorit ndaj veprave dhe krijuesve të përfshirë në monografi.
“Vëmendjen time e tërhoqi nevoja e autorit për të kuptuar se nga cila përvojë e brendshme buron ngjyra, si historia e vendlindjes gdhendet në pëlhurë dhe sa jetë njerëzore mund të përfshihet në një lëvizje të penelit”, u shpreh ai.
Sipas Gjukanoviqit, një nga veçoritë e veprës është aftësia e autorit për ta përcjellë përjetimin e një pikture përmes fjalëve, duke nxitur te lexuesi dëshirën për ta parë atë përsëri.
“Në vështrimet e Proroçiqit kam njohur respektin e sinqertë ndaj krijuesve dhe përpjekjen për t’iu afruar sa më shumë veprave të tyre. Në disa faqe më dukej sikur teksti e zgjaste kohën e kaluar përpara pikturës. Pikërisht këtu shoh një dhunti të veçantë të këtij libri, sepse shkrimi i mirë për artin e mpreh shikimin tonë”, theksoi profesori Gjukanoviq.
Ndërkaq, profesori Hivzi Muharremi prezantoi veçoritë artistike dhe stilistike të krijimtarisë së të gjithë piktorëve të përfshirë në monografi, duke vënë në pah individualitetin dhe kontributin e secilit prej tyre.
Në emër të piktorëve të Ulqinit, të pranishmëve iu drejtua artisti Naser Hasa, i cili falënderoi autorin për këtë botim dhe shprehu mirënjohje të veçantë për Gzim Hajdinagën, duke e cilësuar atë si “të vetmin kryetar që i ka dërguar piktorët e Ulqinit në botë”, në rolin e ambasadorëve të kulturës. Ai shtoi se një qasje e tillë duhet të shërbejë si shembull edhe për drejtuesit e tjerë institucionalë.
Autori i monografisë, Bozhidar Proroçiq, para se të fliste për përmbajtjen dhe motivet që e shtynë të realizonte këtë vepër, iu drejtua fillimisht publikut në gjuhën shqipe, duke theksuar se këtë e bëri si shenjë respekti ndaj nikoqirëve. Ky gjest u prit me duartrokitje nga të pranishmit.
“Për mua, piktorët shqiptarë nga Ulqini janë rojet e dritës së Mesdheut, brushat e të cilëve ndërthurin detin, gurin, agrumet dhe fatin njerëzor në imazhet e papërsëritshme të ekzistencës. Në pikturat e tyre pulson vazhdimisht shpirti i Ulqinit. Piktorët e Ulqinit nuk janë vetëm pjesë e skenës artistike malazeze dhe mesdhetare por edhe një segment i domosdoshëm i dialogut ndërkulturor global”, u shpreh Proroçiq në fjalën e tij.
Gjatë mbrëmjes, programi u pasurua edhe me interpretime muzikore nga nxënësja e Shkollës së Muzikës dhe Baletit në Ulqin, Aria Hasanaga, si dhe nga anëtarët e kllapës “Detarët”, të cilët interpretuan këngë në gjuhën shqipe dhe malazeze, duke i dhënë aktivitetit një atmosferë të veçantë artistike dhe ndërkulturore.
Programin e moderoi gazetarja Eliana Peku, ndërsa pas përfundimit të promovimit, organizatorët shtruan koktej për të pranishmit.

Dafina Teliqi – Rexha

Të fundit

më të lexuarat