Buxheti i Komunës u rrit për 1.3 milion euro

Plavë – Propozimi i Vendimit mbi ndryshimet dhe plotësimet e Vendimit mbi buxhetin e Komunës së Plavës për vitin 2026 ishte pika e parë dhe qendrore e rendit të propozuar të ditës, së seancës së katërt të rregullt të Kuvendit të Komunës së Plavës në vitin 2026, e mbajtur më 2 nëntor 2026, në sallën e vogël të Qendrës për Kulturë “Husein Bashiq”, në të cilën ishin të pranishëm 24 këshilltarë prej gjithsej 31 sa numëron Kuvendi.
Para fillimit të punës, të cilën e hapi kryetari i Kuvendit, Allen Balliq, këshilltarët miratuan njëzëri procesverbalin nga seanca e dytë e rregullt, e mbajtur më 16 qershor 2026.
Me propozim të kryetarit të Komunës së Plavës, Nihad Canoviq, në rendin e ditës prej shtatë pikave u shtuan edhe dy pika të reja: 1. Propozimi i Vendimit mbi përcaktimin e lokalitetit me elemente të kushteve urbanistiko-teknike për ndërtimin e rrugës lokale – rrugës së re nr. 4 të komunikacionit: dhe 2. Propozimi i Vendimit mbi dhënien e pëlqimit në ndryshime dhe plotësime të statutit të Qendrës për Kulturë “Husein Bashiq”, të cilat këshilltarët i miratuan njëzëri.
Seanca filloi me Propozimin e Vendimit mbi ndryshimet dhe plotësimet e Vendimit mbi Buxhetin e Komunës së Plavës për vitin 2026. Lidhur me këtë pikë, sekretari i Sekretariatit për Ekonomi, Zhvillim dhe Financa, Sulejman Deshiq, theksoi se Ministria e Financave në Qeverinë e Malit të Zi, pas shqyrtimit ka vendosur që me ndryshimet dhe plotësimet e propozuara, buxheti i tërësishëm i Komunës së Plavës të rritet prej 8.2 milionë euro në 9.5 milionë euro, gjegjësisht për 1.3 milion euro ose 15.85 për qind në krahasim me buxhetin e miratuar për vitin 2026, i cili është i shpërndarë në shpenzime rrjedhëse 4.189.550 euro, në investime kapitale 4.509.550 euro, në pagesën e borxhit 750.900 euro dhe në rezerva 50.000 euro, duke nënvizuar se buxheti i rritur është vërtet zhvillimor dhe investues.
Pas diskutimeve mbi shqyrtimin e kësaj pike të këshilltarëve Ervin Kandiq, Ranko Stijoviq, Rasim Osmançeviq dhe të kryetarit të Komunës, Nihad Canoviq, me votim të hapur, Propozimi i Vendimit mbi ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit mbi Buxhetin e Komunës së Plavës për vitin 2026 u miratua me 19 vota “për” dhe 5 vota “kundër”.
Në vazhdim të punës së seancës, e cila zgjati rreth dy orë, këshilltarët e pranishëm me dhe pa pjesëmarrje diskutimi në shqyrtim, njëzëri apo me shumicë votash, miratuan edhe gjashtë propozim vendime të punës së organeve lokale dhe të institucioneve që veprojnë në kuadër të Komunës, të cilat i argumentuan përpunuesit e tyre.
Në fund të punës së seancës, këshilltarët u njoftuan edhe me dy informata: Informatën mbi punën e Kryqit të Kuq të Plavës për vitin 2025 dhe Informatën mbi kultivimin, mbrojtjen dhe shfrytëzimin e pyjeve në territorin e komunës së Plavës për vitin 2025.

Sh. Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat