Studiues i gjeografisë, demografisë dhe historisë shqiptare

Prof. Dr. Ibrahim M. Ahmetaj i përkiste brezit të intelektualëve shqiptarë nga treva e krahinës së Plavë-Gucisë, të cilët me punën dhe përkushtimin e tyre në fushën e dijes dhe të shkencës dhanë kontribut në studimin dhe njohjen e çështjeve historike, gjeografike dhe demografike

Në orët e hershme të mëngjesit të ditës së diel, më 25 tetor 2026, si vetëtima është përhapur lajmi i hidhur në Vuthaj, krahinën e Plavë-Gucisë dhe komunitetin shqiptar në të gjitha trojet etnike ku ata jetojnë se në Sarajevë të Bosnjë e Hercegovinës, në moshën 84-vjeçare ka ndërruar jetë intelektuali, profesori dhe studiuesi i njohur, Prof. Dr. Ibrahim Muzli Ahmetaj.
Lajmin për ndarjen e tij nga jeta e ka bërë të ditur vëllai i të ndjerit, Myftar Ahmetaj, përmes njoftimit në rrjetin social Facebook.
Prof. Dr. Ibrahim Muzli Ahmetaj u lind më 1 shkurt të vitit 1943, në fshatin Vuthaj të komunës së Gucisë, nga e ëma Mejreme Hysenaj – Ahmetaj dhe i ati Muzli Ramë Ahmetaj, flamurtari i Vuthajve, familje kjo tipike tradicionale shqiptare, me traditë të lavdishme patriotike, atdhetare, bujare, mikpritëse e vëllazërisë Ahmetaj të bajrakut të Nikçit e të fisit Kelmend. Në familje ku prindërit rrisnin tetë fëmijë, pesë djem dhe tri vajza, Ibrahimi ishte vëllai i parë me radhë. I rrisnin në kushte të pavolitshme ekonomike, të cilat si pjesa më e madhe e familjeve të kësaj treve, ekzistencën familjare e siguronin kryesisht nga punët e përditshme bujqësore dhe blegtorale.
Ibrahim Muzli Ahmetaj, mësimet e para të fillores, ciklin e ulët (I-IV) i kreu në vendlindje në Vuthaj, ndërsa katër klasat e ciklit të lartë (V-VIII) në shkollën fillore tetëvjeçare në Guci. I etur për dritë dhe dije, dhe i entuziazmuar e frymëzuar nga bashkëvendësit më të vjetër vuthjanë, por edhe nga bashkëkombësit shqiptarë nga treva e Plavë-Gucisë, Ibrahimi regjistrohet në Shkollën e Mesme Pedagogjike në Pejë, të cilën në afat të rregullt e kryen me sukses të lartë. Fakultetin Filozofik – Dega e Gjeografisë, e kryen në Prishtinë në vitin 1967, kur edhe zgjidhet asistent dhe merret kryesisht me probleme të gjeomorfologjisë. Studimet pasuniversitare i bëri në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore – dega e Gjeografisë, në Beograd, ku dhe magjistroi në nëntor të vitit 1976. Pasi specializoi gjeomorfologjinë aplikative dhe magjistroi për hartografinë, zgjidhet ligjërues në lëndën e gjeomorfologjisë. Mr. Ibrahim M. Ahmetaj në qershor të vitit 1984 doktoron në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore – Dega e Gjeografisë në Zagreb, me temën “Gjeomorfologjia e Pellgut të Mirushës”, kur dhe zgjidhet docent në FSHMN në Prishtinë, ndërsa po në këtë fakultet në vitin 1988, profesor inordinar. Për nevojat e degës ka ligjëruar edhe Hartografinë, Metodikën e gjeografisë, Gjeografinë e RSFJ-së dhe disa lëndë të tjera. Mori pjesë në simpoziume, kongrese etj. me kumtesa, në vend dhe jashtë tij. U pensionua në vitin 1991.
Prof. Dr. Ibrahim M. Ahmetaj i përkiste brezit të intelektualëve shqiptarë nga treva e krahinës së Plavë-Gucisë, të cilët me punën dhe përkushtimin e tyre në fushën e dijes dhe të shkencës dhanë kontribut në studimin dhe njohjen e çështjeve historike, gjeografike dhe demografike.
Në veprimtarinë shkencore, Prof. Dr. Ibrahim M. Ahmetaj u mor me studimin e hapësirave shqiptare, veçanërisht të trevave shqiptare në Mal të Zi, si dhe me çështje që lidhen me praninë dhe zhvillimet demografike të shqiptarëve në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Ndër punimet e Prof. Dr. Ibrahim M. Ahmetajt përmendet monografia “Kërkime gjeografike në territoret shqiptare në Mal të Zi”, si dhe studimi mbi lëvizjet demografike të popullsisë shqiptare në Bosnjë dhe Hercegovinë gjatë shekullit XX. Ndër punimet, shkrimet dhe hulumtimet e tij vend të rëndësishëm zinin edhe Vuthajt (vendlindja e tij) dhe treva e Plavë-Gucisë prej nga e kishte origjinën dhe me të cilën ruajti lidhje të veçanta.
Prof. Dr. Ibrahim M. Ahmetaj ka të botuara 25 punime shkencore, atlase dhe harta për shkolla të mesme.
Vdekja e tij dhe largimi nga kjo jetë është një humbje e madhe për familjen, të afërmit, miqtë, kolegët, ish-studentët dhe të gjithë ata që e njohën dhe e vlerësuan për kontributin e tij intelektual, si njeri, profesor dhe studiues, emri dhe kontributi shkencor i të cilit mbetet pjesë e trashëgimisë intelektuale të kësaj treve.
Prof. Dr. Ibrahim Muzli Ahmetaj u varros me nderimet më të larta në varrezat e fshatit të vendlindjes në Vuthaj, mu pranë varrezave të prindërve, nënës Majremes dhe babait Muzliut, më 29 tetor 2026, në praninë e një numri të madh pjesëmarrësish nga Vuthajt, Plava e Gucia me rrethinë, nga Kosova e Shqipëria, Sarajeva ku e kaloi një pjesë të jetës dhe vise të tjera shqiptare.
Për jetën dhe veprimtarinë e bujshme shkencore, me admirim dhe mallëngjim në emër të familjes, vëllazërisë Ahmetaj dhe vuthjanëve foli profesori Fadil Ulaj, ndërsa në emër të Departamentit të Shkencave Matematike-Natyrore të Univeristetit të Kosovës, foli ish-asistenti i të ndjerit, Prof. Dr. Shpejtim Bulliqi, tani kryetar i Komunës së Podujevës të Republikës së Kosovës.
Ibrahimi pas vetes la bashkëshorten Enisën, djalin Gëzimin dhe vajzën Elmerinën.
Ibrahim i nderuar dhe shumë i respektuar, pusho i qetë në gjirin e tokës së vendlindjes, Vuthajve ku u linde, kalove fëmijërinë dhe një pjesë të rinisë, të cilën e deshe, e adhurove dhe ia kushtove një pjesë të veprimtarisë sate studiuese shkencore.
Të qoftë i lehtë dheu mbi shtëpinë tënde të përmotshme!

Sh. Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat