
Në plejadën e personaliteteve kombëtare shqiptare bën pjesë edhe Gjergj Fishta (1871-1940), personalitet shumëplanësh i dalluar i botës shqiptare. Ai ishte poet, gjuhëtar, shkrimtar, klerik fançeskan, pedagog, politikan e publicist, duke qenë bartës i kulturës, historisë dhe identitetit shqiptar që dëshmohet me angazhimin intelektual e krijues përmes veprave të botuara si rrallëkush në kohën e tij.
Me vlerësimet që iu bënë veprës së tij nga autorë të ndryshëm shqiptarë dhe të huaj, ai është vendosur në majën e piramidës së letrave shqipe. Në saje të krijimtarisë shumëdimensionale Fishta zë vend nderi ndër shkrimtarët e njohur të traditës. Është mendim i pranuar se tre emrat më të mëdhenj të letërsisë sonë të traditës janë De Rada, Naimi dhe Fishta.
Veprimtaria e botuar e Fishtës është shumëplanëshe që dëshmohet me veprat e botuara, por njëra është e veçantë sepse i ngriti vetes dhe popullit shqiptar monumentin e letërsisë e kjo është “Lahuta e Malcis”, të cilën studiuesit eminentë e cilësojnë si epopenë kombëtare, ndërsa Fishta u quajt Homeri shqiptar. Në këtë vepër madhore Fishta, pos vlerave të larta letrare-artistike, paraqet tiparet më burimore kombëtare – trimërinë, burrërinë, besën, urtinë e këtij populli me virtyte të larta.
Miti shqiptar
Ndonëse me këtë vepër Fishta kishte krijuar mitin shqiptar, por në kohën e instalimit të pushtetit komunist ideologjik (1945-1991) ai është sulmuar, dënuar e rrëzuar, duke ia ndaluar veprën dhe emrin, duke ia dhunuar varrin dhe tretur eshtrat në lumë (mars 1967), që ishte veprim kriminal i diktaturës në Shqipëri.
Një veprim i tillë kishte motive politike, sepse për pushtetarët e rinj veprimtaria e Fishtës ishte jashtë kursit të tyre ideologjk, ku veçohej kryevepra epike “Lahuta e Malcis”. Është pikërisht veprimtaria e tij letrare me bazament kombëtar duke u vlerësuar lart në shoqërinë shqiptare të kohës.
Pikërisht një vlerësim i tillë, duke u bërë mit për shqiptarët, si brenda dhe jashtë Shqipërisë, ishte pengesë për pushtetin e ri të diktaturës, sepse ata mendonin se çdo gjë fillonte me ta, duke tentuar ta eliminojnë këtë personalitet kombëtar. Por ishte e kotë sepse Fishta ishte bërë pjesë e vetëdijes popullore te shqiptarët, si asnjë poet tjetër, që lexohej e deklamohej në heshtje si askush tjetër në kohën e lirisë së munguar! Andaj vepra e tij ruhet e pavdekshme në zemrën e kombit.
Tri faza të krijimtarisë së Fishtës
Krijimtaria e Fishtës përjetoi dy faza: të parën për 50 vite – atë të lavdisë së personalitetit dhe veprimtarisë së tij, dhe të dytën – atë të blasfemisë, anatemimit dhe të ndalimit të veprimtarisë për shkaqe ideologjike e politike. Të njëjtin fat përjetuan edhe shkrimtarët e tjerë, si: Konica, Arapi, Prendushi, Koliqi, Camaj etj., të cilët zënë vend nderi në historinë e letërsisë e të kulturës shqiptare. Ndërsa pas rënies së diktaturës komuniste (1991) në Shqipëri, ka filluar faza e tretë e tij, e ky është vlerësimi i personalitetit dhe veprimtarisë së tij.
Ai duhet të rilexohet, të studiohet dhe të vlerësohet. Pas shembjes së sistemit monist, ai ka fillluar të studiohet nga studiues të hapësirës shqiptare, në dimensione të ndryshme, pa paragjykime por me kritere letrare e shkencore. Dhe nga viti 1991 e deri sot Fishtës i janë botuar e ribotuar veprat më tepër se asnjë autori shqiptar, me çka del vlerësimi i lartë nga lexuesit e veprimtarisë së tij. Mbi krijimtarinë e Fishtës janë bërë studime, mbrojtur disertacione, mbajtur sesione e takime shkencore, takime përvjetorësh etj.
Fishta për intelektualin
Me këtë rast dua të theksoj se në trajtimin e semantikës së termit intelektual, nga të gjithë autorët të cilët i kam konsultuar për këtë çështje, unë jam përcaktuar për Fishtën. Ai është më i qartë se askush tjetër për të definuar semantikën e intelektualit, duke e përkufizuar se “ai duhet të jetë prezent në kohën e vet, në kohën e të tjerëve që do të vijnë më pas, e të qenit prezent do të thotë të kesh kurajon të thuash të vërtetën ku dhe kur duhet, haptazi e ballazi, sado e idhët që të jetë, sado tragjike, sado e papëlqyeshme për veshët e të tjerëve!” Nuk ka dilemë se të tillë mund të jenë personat e përgatitur, jo oportunistë dhe të guximshëm, për të reaguar në momente të caktuara.
Qëndrimi kombëtar
Me këtë rast duhet të cekim qëndrimin e tij intelektual e kombëtar në Kongresin e Manastirit, më 14 nëntor 1908, ku Fishta ishte kryetar i Komisionit të Alfabetit, duke theksuar: ”Vëllezër, nuk kam ardhur këtu që të mbroj asnjë alfabet, por që të gjithë së bashku, të krijojmë një alfabet të përbashkët. Jemi këtu jo për t´u përçarë, por për t´u bashkuar“. Dhe në fund të fjalëve, siç kanë shënuar dëshmitarët okularë, në foltore kishte një përqafim me lot në sy nga kleriku mysliman Ibrahim efendiu.
Ishte ky një shembull tipik i tolerancës e mirëkuptimit kur janë në pyetje interesat tona të përgjithshme kombëtare. Një shembull i tillë duhet të jetë moto për të gjithë ne, kur janë në pyetje interesat tona të përgjithshme, duhet lënë anash ato personale, klanore e partiake, sepse nga e kaluara e përbashkët është koha e fundit që për çështje madhore të jemi të bashkuar. Dhe për diçka të tillë mund të vendosin vetëm individët e pajisur me etikë politike, karakter, tolerancë e vizion intelektual.
Përfundim
Fishta mbetet i madh sepse prej veprave të tij mund të mësohet edhe sot. Në to ka mesazhe që nuk kufizohen për kohën kur jetoi e veproi por edhe për kohën tonë. Pra, Fishta ishte dhe mbetet krenaria kombëtare, frymëzues për çdo krijues duke zgjeruar kureshtjen e lexuesve të pasionuar në tërë hapësirën etnogjeografike shqiptare.
