
Ndër objektet më magjepsëse të krijimtarisë në hapësirën tonë janë, sipas meje, ublat ilire në Krajë. Janë mbi 400 të tilla, por këtu mendoj, para së gjithash, për ato 12 në vendbanimin Boulej.
Bëhet fjalë, pa dyshim, për një nga dëshmitë më të bukura të vazhdimësisë qytetëruese në këtë hapësirë nën Rumi. Ato duken joreale në hijen përrallore të pemëve shekullore të gështenjave.
Edhe pse sot edhe lumenjtë e mëdhenj po thahen, për shumicën e këtyre ublave kështu nuk ndodh. Perandoritë, shtetet, sistemet ndryshojnë, ndërsa këto puse mbeten në të njëjtin vend dhe vazhdojnë të mbledhin dhe të japin ujë.
Sepse ata që i ndërtuan, i njihnin shkëlqyeshëm rrjedhat nëntokësore, gurin dhe hapësirën. Prandaj ublat edhe sot i shërbejnë të njëjtit qëllim të cilit i kanë shërbyer shekuj më parë. Qytetërimi që i ngriti u zhduk nga pamja, por burimi i tij është ende i gjallë dhe i bollshëm.
Ubla të tilla megalitike, siç pretendojnë disa hulumtues, i ndërtuan gjigantët, i trashëguan pasardhësit e tyre ilirët, ndërsa koha që ushqehet me këtë traditë nuk po arrin t’i shterojë kurrsesi.
“Në këtë kuptim, puset janë imazhi pothuajse i përsosur i vetë Ilirisë: të lashtë, të thellë, të mbuluar me dhe, të riemërtuar, të rrënuar, të rrëzuar, të heshtur dhe të lënë në harresë, e megjithatë ende të gjallë dhe të pranishëm. Burimet janë ende të gjalla, ndërsa edhe ne jemi ende këtu. Afërsisht tamam të tillë siç janë ato, të tillë jemi edhe ne”, thotë një nga njohësit më të mirë të Ilirisë, Domagoj Nikoliq.
Sidoqoftë, ublat në Krajë janë burime jete. Sepse edhe Zoti në librin e tij të fundit i porosit ata që janë të pajisur me arsye: “Ne çdo gjë të gjallë e krijojmë nga uji”.
