Kultivimi i ullirit po zgjon interesim gjithnjë e më të madh në Malësi, ku kjo kulturë bujqësore, ndonëse relativisht e re, po shihet si një mundësi për zhvillimin e bujqësisë lokale.
Njëri ndër ata që po e kultivojnë ullirin është edhe Seid Beqaj, i cili e filloi këtë veprimtari rreth katër vjet më parë, nga dëshira për të investuar në një sektor me traditë të pasur dhe me vlera të veçanta.
Ai për gazetën “Koha javore” tregon se me kalimin e kohës, kjo përvojë e tij u kthye në një pasion të vërtetë, duke e afruar atë gjithnjë e më shumë me natyrën dhe me rëndësinë që ka kujdesi për ullirin.
“Për mua, ulliri është një simbol i traditës, i durimit dhe i përkushtimit. Ky rrugëtim më ka motivuar të mësoj vazhdimisht dhe të punoj për të ndërtuar diçka me vlerë dhe me perspektivë për të ardhmen”, shprehet Beqaj, i cili aktualisht ka rreth 1 mijë rrënjë ulliri, të kultivuara me synimin për prodhimin e vajit të ullirit.
Ai më tej thotë se ka zgjedhur katër varietete, të cilat kanë karakteristika të ndryshme dhe ofrojnë mundësi për të krijuar një vaj ulliri me cilësi dhe profil të veçantë aromatik. “Përzgjedhja e tyre është pjesë e vizionit tonë për të zhvilluar një ullishtë moderne, ku ndërthuren kujdesi për pemët, njohuritë mbi kultivimin dhe përkushtimi ndaj cilësisë së vajit që synojmë të prodhojmë”, shton ai.
Në pyetjen tonë se si po përshtaten ullinjtë me kushtet e kësaj zone dhe si po ecën zhvillimi i tyre, Beqaj thotë se deri më tani janë të kënaqur, pavarësisht se, siç thotë ai, si çdo kulturë tjetër bujqësore, edhe ulliri kërkon kohë, kujdes dhe vëmendje të vazhdueshme, veçanërisht gjatë viteve të para të zhvillimit.
“Për ne është e rëndësishme të vëzhgojmë se si përshtatet secili varietet me kushtet klimatike dhe tokësore të zonës, duke u kushtuar rëndësi kujdesit për pemët dhe krijimit të kushteve sa më të përshtatshme për rritjen e tyre. Jemi optimistë për potencialin e kësaj zone dhe besojmë se, me punë të vazhdueshme dhe kujdesin e duhur, mund të arrijmë rezultate të mira në vitet në vijim”, thotë ai.
Ajo që i ka bërë atij më shumë përshtypje gjatë kësaj përvoje katërvjeçare të kultivimit të ullirit është se ai kërkon shumë më tepër sesa thjesht mbjelljen dhe kujdesin për pemët.
Ai thotë se kultivimi i ullirit është një proces që kërkon njohuri, durim, vëmendje dhe përkushtim të vazhdueshëm.
“Kam mësuar se çdo detaj ka rëndësi, nga zgjedhja e varieteteve dhe kujdesi gjatë zhvillimit të pemëve, deri te kushtet që ndikojnë në cilësinë dhe sasinë e prodhimit”, shprehet Beqaj.
Kjo përvojë, shton ai, më ka bërë të kuptoj edhe më shumë rëndësinë e të mësuarit të vazhdueshëm, sepse çdo sezon sjell përvoja dhe sfida të reja.
Beqaj tregon se synimi i tyre është prodhimi i vajit të ullirit dhe se gjithë këtë proces ai e sheh si një investim afatgjatë, ku puna dhe përkushtimi i sotëm janë baza për cilësinë që duan të arrijnë në të ardhmen.
Duke u ndalur te procesi i vjeljes së sivjetme dhe te prodhimi që pret këtë vit, Beqaj thotë se ky vit ka qenë mjaft sfidues për shkak të periudhave të gjata të thatësirës, mungesës së reshjeve të shiut dhe temperaturave të larta.
“Megjithatë, fakti që kemi një ubël (pus) dhe një sistem të mirë ujitjeje na ka ndihmuar t’i menaxhojmë më mirë këto kushte dhe t’u sigurojmë ullinjve ujin e nevojshëm për zhvillimin e tyre. Temperaturat e shpeshta dhe të larta kanë ndikuar në pigmentimin e frytit, por kemi arritur të ruajmë shëndetin dhe cilësinë e tij”, thotë ai.
Beqaj shton se vjeljen e ullirit e filluan nga mesi i muajit tetor, ndërsa presin një rendiment pak më të ulët të vajit, pasi, sipas tij, temperaturat e larta kanë ndikuar në vonesën e grumbullimit të vajit në fryt.
“Megjithatë, këto temperatura kanë pasur edhe një anë pozitive, pasi miza e ullirit nuk ka qenë aktive dhe frutat janë plotësisht të shëndetshme, pa shenja pickimi, duke na mundësuar përdorimin minimal të preparateve për mbrojtjen e tyre”, shprehet Beqaj.
I pyetur nëse ka vërejtur interesim edhe nga njerëz të tjerë për mbjelljen dhe kultivimin e ullirit në Malësi, kultivuesi Beqaj thotë se po, interesimi ekziston, gjë që, siç tha ai, e gëzon.
“Sepse kjo tregon se ekziston potencial për zhvillimin e mëtejshëm të kësaj kulture bujqësore në zonën tonë. Besoj se ulliri ka mundësi të mira për t’u zhvilluar në Malësi, por është e rëndësishme që kultivimi i tij të bëhet me planifikim, duke marrë parasysh kushtet klimatike, tokën dhe përzgjedhjen e varieteteve të përshtatshme. Shpresoj që përvoja jonë të shërbejë si një nxitje edhe për të tjerët që dëshirojnë të investojnë në këtë drejtim, sepse zhvillimi i kultivimit të ullirit mund të krijojë mundësi të reja për bujqësinë dhe ekonominë lokale”, thekson Beqaj.
Ai më tej mendon se kjo kulturë mund të bëhet një mundësi e rëndësishme për zhvillimin e bujqësisë lokale, veçanërisht nëse kultivimi shoqërohet me përkushtim, investime dhe synim të qartë për cilësi.
Ndërsa, i pyetur për planet në vazhdim në këtë sektor, ai u përgjigj se shumë shpejt synojnë ta zgjerojnë ullishtën e tyre dhe të realizojnë edhe hapjen e një fabrike për përpunimin e ullinjve dhe prodhimin e vajit të ullirit, si dhe krijimin e një dyqani online, përmes të cilit konsumatorët do të kenë mundësi të njihen me produktet tyre dhe t’i porosisin ato më lehtë.
Ndërkaq, interesimi në rritje për këtë kulturë bujqësore në Malësi pasqyrohet edhe në të dhënat e Komunës së Tuzit.
Sekretari i Sekretariatit për Bujqësi, Mbrojtjen e Mjedisit dhe Administrimin e Ujërave të Komunës së Tuzit, Aleksandar Memçeviq, për “Koha javore”, duke iu referuar të dhënave të vitit 2025, thekson se numri i kultivuesve të ullirit në territorin e komunës së Tuzit ka qenë 38, ndërsa tregon se për vitin aktual ende nuk janë nxjerrë të dhënat përfundimtare.
“Këta ullishtarë kultivojnë rreth 12.593 trupa ullinj. Nëse i referohemi distancës midis trupave në rresht dhe midis rreshtave (zakonisht ulliri mbillet në distancë 4×4), i bie që kemi rreth 31 hektarë. Numri i kultivuesve dhe sipërfaqja me këtë kulturë janë rritur dukshëm”, thekson Memçeviq.
Ai shton se, nëse kthehemi 10 vjet pas, mund të thuhet se kjo kulturë nuk është kultivuar fare në Malësi, “kurse sot e kemi një numër të konsiderueshëm prodhuesish, trupash dhe sipërfaqeje”.
Se cilat janë arsyet që, sipas tij, po nxisin interesimin për kultivimin e ullirit, Memçeviq thotë se ka shenja të qarta të zhvillimit të kultivimit të ullirit në territorin e komunës së Tuzit dhe sipas tij, zgjerimi i kësaj kulture në Tuz mund të shpjegohet nga kombinimi i mbështetjes financiare, kushteve të përshtatshme të kultivimit, investimeve private, modernizimit të përpunimit dhe mundësive të tregut.
“Në zonën e Tuzit ekzistojnë toka që mund të përdoren me sukses për kultivimin e ullirit. Përvoja e prodhuesve lokalë tregon se ulliri mund të kultivohet edhe në pjesët fushore, nëse sigurohen ujitja dhe masat e duhura agroteknike”, thotë sekretari i Sekretariatit për Bujqësi, Mbrojtjen e Mjedisit dhe Administrimin e Ujërave të Komunës së Tuzit, Aleksandar Memçeviq.
I pyetur se çfarë mbështetjeje ka ofruar deri tani Komuna e Tuzit për kultivuesit e ullirit, në çfarë forme dhe çfarë planesh apo strategjie ka institucioni për mbështetjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të kësaj kulture bujqësore në Malësi, Memçeviq shton se Komuna e Tuzit ka ofruar mbështetje përmes programeve vjetore të agrobuxhetit, subvencioneve financiare dhe promovimit të prodhuesve vendorë.
“Edhe pse masat deri tani kanë qenë të qasjes së gjerë për të mbuluar sektorët bujqësorë, kultivuesit e ullirit përfitojnë plotësisht nga pagesat e drejtpërdrejta për sipërfaqet e kultivuara. Për më tepër, për vitin 2026, Komuna ka parashikuar një mbështetje edhe më të fuqishme përmes Programit të masave, i cili ofron deri në 500 €/ha për hektarin e parë dhe deri në 300 €/ha për çdo hektar pasues për kulturat në tokë të hapur”, thekson Memçeviq.
Duke shpalosur planet afatmesme, të cilat, sipas tij, synojnë konsolidimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të ullishtarisë në territorin e komunës së Tuzit përmes disa drejtimeve strategjike, ai renditi rritjen e sipërfaqeve dhe mbështetjen e vazhdueshme.
“Do të vazhdojmë të inkurajojmë fermerët e rinj dhe ekzistues përmes masave të agrobuxhetit komunal, duke synuar një rritje graduale si të numrit të trupave ashtu edhe të sipërfaqeve të mbjella në vitet në vijim”, thotë ai.
Fokusi ynë, shton ai, nuk do të jetë vetëm te sasia, por mbi të gjitha te cilësia e vajit të ullirit dhe standardizimi i prodhimit, përmes trajnimeve dhe bashkëpunimit më të ngushtë me ekspertë të fushës dhe prodhuesit tanë.
Gjithashtu, promovimi dhe vlerësimi i produktit vendor është, sipas tij, një synim tjetër, në mënyrë që ulliri dhe vaji i ullirit i Malësisë të fitojnë një vend të merituar në tregun lokal dhe më gjerë, “duke mbështetur pjesëmarrjen e prodhuesve tanë në panaire dhe ngjarje promovuese”.
“Qëllimi ynë afatgjatë është ta kthejmë ullishtarinë në një degë fitimprurëse dhe tradicionale të ekonomisë bujqësore në Malësi, duke krijuar kushte që ky sektor të jetë i qëndrueshëm dhe atraktiv për brezat e rinj”, përfundon Memçeviq.
T. Ujkaj
