Klubi i Taekwondosë “Ulqini” ka bërë një paraqitje të shkëlqyer në Turneun ndërkombëtar “Kupa e Serbisë”, që është mbajtur në Beograd, më 3-4 tetor 2026.
Në këtë garë ky klub është paraqitur me gjashtë sportistë, pesë prej të cilëve kanë arritur deri në finale duke dëshmuar nivel të lartë sportiv dhe përgatitje të mirë.
“Paraqitje veçanërisht të suksesshme patën Gani Resulbegoviq dhe Leandra Bogdanoviq, të cilët arritën të fitojnë medalje të arta. Resulbegoviq i fitoi të tri ndeshjet e zhvilluara, ndërsa Bogdanoviq gjithashtu shënoi tri fitore, duke u ngjitur në shkallën më të lartë të podiumit”, thuhet në deklaratën për shtyp të KT “Ulqini”.
Medalje të argjendta fituan Xhihan Maniq, Rajana Bogdanoviq dhe Rea Nelaj. Xhihan Maniq shënoi tri fitore radhazi dhe arriti në finalen e kategorisë së tij, ku u përball me përfaqësuesin e Serbisë. Në një finale të fortë, ai humbi duke e përfunduar garën me medaljen e argjendtë.
Edhe Rajana Bogdanoviq dhe Rea Nelaj bënë paraqitje shumë të mira, duke shënuar nga tri fitore dhe arritur në finale, ku, pas ndeshjeve të forta, siguruan vendin e dytë dhe medaljet e argjendta.
Ndërkaq, medalje të bronztë për KT “Ulqini” fitoi Nejra Dervisheviq, e cila triumfoi në ndeshjen e parë, ndërsa humbi në ndeshjen e dytë.
Sipas drejtuesve të KT “Ulqini”, një rezultat të veçantë ky klub arriti në klasifikimin ekipor në kategorinë e kadetëve të rinj ku, ndonëse u përfaqësua me vetëm gjashtë garues, arriti të renditet në vendin e pestë në konkurrencën e më shumë se 60 klubeve.
Turneu “Kupa e Serbisë” mblodhi mbi 800 sportistë nga vende të ndryshme të rajonit, duke e bërë këtë garë një nga turnetë e rëndësishëm të taekwondosë në rajon.
KT “Ulqini” falënderon në mënyrë të veçantë prindërit për mbështetjen e tyre të vazhdueshme, si dhe të gjithë ata që kontribuojnë në zhvillimin dhe suksesin e sportistëve të rinj të këtij klubi.
(Kohapress)
