E qeshura që vjen nga ana tjetër e dhimbjes

Gjithmonë ka një të qeshur që lind nga gëzimi, por edhe një të dytë që vjen nga ana tjetër e dhimbjes. E para çliron, ndërsa e dyta zbulon. Në poezinë e Hajredin Kovaçit mbizotëron kjo e dyta. Është një e qeshur që, pasi del në sipërfaqe si humor, si ironi, si batutë apo si paradoks, të lë përballë një realiteti jo gjithmonë të qeshur. Pikërisht këtu gjendet një nga veçoritë më të dallueshme të satirës së tij e cila nuk ka për qëllim vetëm të bëjë të qeshësh, por të të bëjë të mendosh përse po qesh

Qazim Muja

Në poezinë e Hajredin Kovaçit satira nuk është një zbukurim anësor, as një devijim humoristik nga ligjërimi i pastër lirik, por ajo është njëra nga mënyrat më të rëndësishme me të cilat poeti e vështron njeriun e kohës së vet. Në shumë prej poezive të përmbledhura në vëllimin poetik “Ylli i poetit”, përzgjedhur me mjeshtëri nga studiuesi i mirënjohur Zija Vukaj, e sidomos në ciklin “Në besë të gjarprit”, e qeshura është vetëm sipërfaqja e një shqetësimi më të thellë moral, shoqëror e politik.
E them këtë duke e ditur se gjithmonë ka një të qeshur që lind nga gëzimi, por edhe një të dytë që vjen nga ana tjetër e dhimbjes. E para çliron, ndërsa e dyta zbulon. Në poezinë e Hajredin Kovaçit mbizotëron kjo e dyta. Është një e qeshur që, pasi del në sipërfaqe si humor, si ironi, si batutë apo si paradoks, të lë përballë një realiteti jo gjithmonë të qeshur. Pikërisht këtu gjendet një nga veçoritë më të dallueshme të satirës së tij e cila nuk ka për qëllim vetëm të bëjë të qeshësh, por të të bëjë të mendosh përse po qesh.
Por në përmbledhjen “Ylli i poetit”, satira nuk është një trup i huaj brenda ligjërimit lirik. “Karrieristët”, “Njerëz me maska”, “Të palarat e tyre”, “Aktakuza”, “Pse?”, “Hajnat” e të tjera, jetojnë natyrshëm pranë poezive për dashurinë, nënën, detin, Ulqinin, kujtesën historike për atdheun. Kjo bashkëjetesë është domethënëse sepse poeti satirizon pikërisht atë që cenon botën e vlerave që ai mbron. Prandaj satira e Kovaçit është, në thelb, një poetikë më vete e qëndresës.
Njëra nga poezitë më karakteristike është ajo që mban titullin “E ke gabim”. Poezia ndërtohet mbi përsëritjen e kësaj formule, e cila fillimisht duket si këshillë, por dalëngadalë shndërrohet në një akuzë të gjerë morale. Gabojnë ata që besojnë se janë të përjetshëm, ata që nuk mendojnë për pasojat, që e duan të huajin më shumë se të vetin, që ulen “në dy karrige”, që e shohin gjithçka si politikë.
Këtu Kovaçi përdor një nga mekanizmat klasikë të satirës: përsëritjen – si një çekan moral. “E ke gabim” bëhet refren, bëhet mantra, por edhe gjykim. Dhe kur poeti arrin te “kryetari” që mendon se është i përjetshëm, satira merr një ngjyrim të drejtpërdrejtë politik. Akoma më interesante është se ajo nuk mbyllet me dënimin e “tjetrit”, por poeti i drejtohet edhe atij që shtanget duke e lexuar, duke i thënë se fjalët vlejnë edhe për të.
Kjo e fundit është e rëndësishme, madje shumë e rëndësishme, sepse satira e mirë nuk është predikim nga një tribunë morale. Nëse satiriku e vendos veten jashtë njerëzve që kritikon, ai rrezikon të bëhet moralist. Kovaçi shpesh e shmang këtë kurth, duke përfshirë edhe lexuesin, por edhe veten, në gjyqin e vet. Satira nuk është vetëm gisht i drejtuar nga tjetri, ajo është edhe një pasqyrë e vetëkorrigjimit.
Te poezia “Gjarpri në derë” satira merr formë alegorike. Gjarpri që i pengon njerëzit të nxjerrin rërën nga Buna, të ndërtojnë shtëpi dhe të lahen pa frikë, shndërrohet gradualisht nga krijesë konkrete në figurë të një pengese më të madhe. Përfundimi, “Po, kur do të vijë ajo ditë?!”, e largon poezinë nga anekdota dhe e vendos në terrenin e pritjes kolektive. Kjo është një mënyrë karakteristike e poetit – nga një situatë e vogël, konkrete, ai arrin te një kuptim shoqëror.
Në poezinë “Ai që isha” satira bëhet edhe më e drejtpërdrejtë. E kaluara dhe e tashmja vendosen përballë njëra-tjetrës. Ata që dikur mbylleshin në oda, sot shfaqen me flamur në dorë, ata që dikur i kthenin shpinën poetit, sot kanë zënë pozicione; dhe përfundimi i përmbledh në një figurë të fuqishme: “ngjyrat tuaja të preferuara, janë ngjyra kameleoni”.
Këtu satira bëhet kujtesë dhe as që lejon, dhe as pranon që koha t’i lajë gjurmët e oportunizmit. Kjo ide shfaqet edhe në poezinë “Gjurmë që s’i mbulon as bora”, ku bora është një metaforë e harresës së përkohshme, sepse ata që presin që ajo t’i fshehë gjurmët e tyre harrojnë se bora do të shkrihet një ditë. Është pikërisht ky dimension moral që e bën satirën e Kovaçit më shumë se humor politik.
Në skajin tjetër të kësaj teknike qëndron epigrami. Poezia “Pse?” është një shembull i shkëlqyer. “Pse duhet moti / të shkrepë mbi hitha / kur gjithandej / ka plot pisa?!” Në katër vargje krijohet një përmbysje e drejtësisë natyrore: rrufeja godet hithrat, ndërsa “pisat” njerëzorë shpëtojnë. E qeshura është e menjëhershme, por absurdi që ajo zbulon është serioz.
Dhe kjo poezi gjithsesi na çon te Xhonatan Svift, një prej mjeshtërve të mëdhenj të satirës botërore. Te Svifti, ashtu si te Kovaçi, ironia shpesh krijon një distancë mes asaj që thuhet dhe asaj që duhet kuptuar. Por Svifti e zhvillon këtë mekanizëm në mënyrë më të ndërlikuar dhe më sistematike, duke përdorur shpesh ironinë e ftohtë, parodinë dhe groteskun. (qoftë në “Propozim modest” apo “Udhëtimet e Guliverit”) Kovaçi është më spontan dhe më i afërt me gjuhën e popullit. Në vend të konstrukteve të gjata ironike të Sviftit, ai shpesh mjaftohet me një fjalë, me një shprehje, me një figurë ose me një kthesë të papritur. Në këtë pikë, gjuha është një nga armët kryesore të satirës së Kovaçit. Ai nuk ka frikë nga fjala e drejtpërdrejtë, nga frazeologjia popullore, madje as nga vulgariteti kur ai i shërben goditjes. Kjo e afron me traditën gojore shqiptare, ku një batutë e qëlluar mund të mbartë një gjykim moral më të fuqishëm se një paragraf shpjegues.
Por satira e tij nuk është gjithmonë e zhurmshme. Poezia “Sytë duhet hapur” e ndërton kritikën mbi mosbesimin ndaj fjalëve: “më mirë të shoh se ç’bëhet / sesa të dëgjoj se ç’thuhet”. Këtu poeti prek një plagë të shoqërisë: inflacionin apo devalvimin e fjalës, humbjen e besës dhe hendekun mes asaj që thuhet dhe asaj që bëhet.
Kjo e afron Kovaçin, në një tjetër plan, me Bertolt Brehtin (në “Njerëzit e mëdhenj”). Brehti nuk e përdor humorin vetëm për zbavitje. Ai dëshiron të krijojë një lexues që nuk zhytet plotësisht në emocion, por ndalet, distancohet dhe gjykon. Kovaçi nuk ndërton një “teatër epik” dhe nuk përdor kompleksitetin formal brehtian; ai është më i drejtpërdrejtë, më popullor, më i lidhur me ritmin e të folurit. Mirëpo te të dy poetët ekziston një bindje e ngjashme, ajo se arti nuk duhet vetëm të na bëjë të ndiejmë, por gjithsesi duhet edhe të na zgjojë.
Në poezinë shqiptare një afërsi tjetër mund të kërkohet te Dritëro Agolli (të përmendim romanin “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, por sidomos te poezia satirike). Jo sepse të dy janë poetë të njëjtë, por sepse të dy dinë ta sjellin kritikën shoqërore nëpërmjet një gjuhe të thjeshtë, të folur, të afërt me njeriun e zakonshëm. Agolli e ka zhvilluar veçanërisht mirë të ashtuquajturin humorin e butë, ironinë dhe groteskun e jetës shqiptare; Kovaçi është shpesh më i ashpër dhe më i drejtpërdrejtë. Agolli shpesh e mbështjell thumbin me një buzëqeshje të qetë, ndërsa përkundrazi, Kovaçi, në jo pak raste, e nxjerr thumbin pa mbështjellës.
Por ekziston edhe një dallim tjetër. Te Kovaçi satira është e lidhur fort me përvojën personale dhe kujtesën historike. Në poezinë “Ai që isha”, për shembull, nuk flitet vetëm për një ves abstrakt. Flitet për njerëz konkretë të një kohe konkrete, për sjellje të ndryshuara, për qëndrime të harruara dhe për një të kaluar që kërkon të dëshmojë për të tashmen.
Kështu, satira e Kovaçit mund të shihet si një lloj arkivi moral i kohës, ku edhe vetë poeti nuk shpëton prej saj. Në poezinë “Unë mbeta ai që isha”, ai refuzon ndryshimin e identitetit nën trysninë e kohës, lexo – regjimit: “më vonë emrin ma ndërruan / unë mbeta ai që isha”. Kjo na ndihmon të kuptojmë edhe dimensionin etik të satirës së tij, që do të thotë se poeti nuk sulmon vetëm ata që ndryshojnë ngjyrë, por ai, njëkohësisht, afirmon qëndrueshmërinë e vetvetes.
Në këtë kuptim, satira e Hajredin Kovaçit nuk është nihiliste. Ajo nuk thotë se gjithçka është e kotë, se të gjithë janë njësoj dhe se asgjë nuk mund të ndryshojë. Përkundrazi: po të mos besonte në dallimin mes së drejtës dhe së padrejtës, të sinqertës dhe hipokrizisë, besnikërisë dhe oportunizmit, poeti nuk do të kishte pse të satirizonte.
Prandaj objekti i vërtetë i satirës së Kovaçit nuk është njeriu, por deformimi i njeriut. Dhe këtu ndodhet edhe lidhja e saj me dhimbjen. Pas karrieristit që bëhet qesharak, qëndron shqetësimi për shoqërinë; pas oportunistit, qëndron dhimbja e kujtesës; pas “pisit” që i shpëton rrufesë, qëndron ndjenja e padrejtësisë; pas “gjarprit në derë”, qëndron pritja për një ditë kur pengesa të mos ekzistojë më.
Përfundimisht, Svifti na mëson se satira mund të jetë një armë e pamëshirshme e arsyes, Brehti se ajo mund të jetë një mënyrë për ta zgjuar spektatorin, gjegjësisht lexuesin nga pasiviteti, Agolli na mëson se mund të hyjë në jetën e përditshme me një buzëqeshje që fsheh thumbin, ndërsa Kovaçi i bashkon, në mënyrën e vet, këto tri prirje, por i kalon nëpër një filtër të veçantë: nëpër gjuhën popullore, nëpër përvojën personale, nëpër kujtesën historike dhe, më në fund, nëpër ndjenjën e fortë të drejtësisë. Prandaj titulli “Ylli i poetit” mund të lexohet edhe nga ky kënd, se satira është një nga dritat e këtij ylli. Jo drita që e zbukuron realitetin, por ajo që e ndriçon edhe atë vendin apo skutën ku ne nuk do të donim të shihnim.
Prandaj, nëse do të kërkonim një përkufizim të shkurtër, mund të thoshim se satira në poezinë e Hajredin Kovaçit është një satirë e angazhuar, por jo dogmatike; popullore, por jo e cekët; humoristike, por me një nënshtresë të fortë tragjike. Ajo qesh me karrieristin, oportunistin, hajdutin, hipokritin dhe frikacakun, por pas kësaj të qeshure qëndron shqetësimi për një shoqëri ku vlerat mund të ndërrohen si “ngjyrat e kameleonit”.
Në fund të fundit, e qeshura e Kovaçit nuk është e kundërta e dhimbjes, por është një nga format e saj. Poeti qesh sepse nuk dëshiron të dorëzohet përpara absurdit. Dhe pikërisht këtu satira bëhet një formë rezistence: një mënyrë për të ruajtur kujtesën, dinjitetin dhe të drejtën për ta quajtur të keqen me emrin e saj.

Të fundit

më të lexuarat