Letërsia është njëra ndër format më të larta shprehëse të imagjinatës njerëzore. Shkrimtarêt janë ata që me krijimtarinë e tyre e bëjnë letërsinë. Por krahas tyre, roli dhe funksioni i studimeve letrare është po aq i madh për letërsinë.
Kanë ekzistuar dhe ekzistojnë akoma mendime që nuk e njohin sa duhet rëndësinë e këtij dimensioni të letërsisë. Por duhet thënë troç se letërsinë nuk e përbëjnë vetëm krijuesit, pra vetëm ata që krijojnë, por edhe studiuesit e saj, përkthyesit etj., duke e bërë atë të përbotshme. Ndonëse janë ata (shkrimtarët) që prodhojnë lëndën e parë, nuk mund të mohohet roli i studiuesve të letërsisë për ta bërë atë më të mirë.
Vlera e studimeve letrare është e shumanshme. Ato u shërbejnë njëkohësisht edhe krijuesit, por edhe vetë lexuesit duke i orientuar shijet e tyre artistike dhe duke i ndihmuar për të kuptuar më mirë një vepër letrare. Në këtë kuptim, krijimtaria letrare dhe studimet letrare duhet të vështrohen në mënyrë të pandarë, sepse tekefundit, studimet letrare janë në funksion të letërsisë. Pa studime letrare të mira, zor të kemi edhe letërsi të mirë dhe anasjelltas!
Letërsia shqipe ka vuajtur për një kohë mungesën e studimeve të mirëfillta letrare. Edhe studimet letrare kanë qenë të ideologjizuara, duke përjetuar fatin e letërsisë shqipe. Por sot, në një realitet shoqëror të ri, letërsia shqipe është e hapur dhe ka pësuar një lloj katarsisi falë lirisë krijuese.
Rexhep Qosja është një shembull tipik i shkrimtarit, teoricienit dhe studiuesit të letërsisë, i cili me krijimtarinë dhe punën e tij e ka ngritur letërsinë shqipe në nivel të letërsive të mëdha dhe më të njohura. Kësaj trashëgimie i përkasin edhe të ftuarit e edicionit të sivjetshëm të Kalimerës Poetike “Basri Çapriqi” – Anila Mullahi – Elezi dhe Gëzim Aliu – të cilët janë shembulli më i mirë se si tek i njëjti autor mund të bashkëjetojnë dhe ndërveprojnë krijuesi dhe studiuesi. Ata i takojnë një brezi tjetër, më të ri, por që dëshmojnë se letërsia shqipe ka vazhdimësi dhe të ardhme në kohën kur ajo ka humbur disa prej korifejve të saj, në mesin e të cilëve pa dyshim bënte pjesë edhe Rexhep Qosja.
Ismet Kallaba
(Fjala e hapjes në edicionin XXXIV të manifestimit letrar Kalimera Poetike “Basri Çapriqi”)
