1 Shtatori – Dita e Komunës së Tuzit u shënua solemnisht të enjten mbrëma, më 3 shtator 2026, në ambientin e hapur përpara godinës së këtij institucioni, në prani të përfaqësuesve të institucioneve të ndryshme vendore e të huaja dhe të qytetarëve.
Fillimisht u nderuan me një minutë heshtje tri viktimat, pas tragjedisë së të cilave 1 dhe 2 shtatori u shpallën Ditë Zie në Mal të Zi, duke bërë që të shtyhej edhe ceremonia për Ditën e Komunës, e parashikuar më 1 shtator 2026.
Kryetari i Kuvendit të Komunës së Tuzit, Fadil Kajoshaj, theksoi se 1 Shtatori – Dita e Komunës së Tuzit është një datë që për Malësinë është shumë më tepër se një festë institucionale, pasi që “ajo simbolizon të drejtën për të ndërtuar dhe zhvilluar vendin tonë me përgjegjësi, me vizion dhe me besim në mundësitë tona”.
Duke u ndalur te proceset që kanë shoqëruar zhvillimin e komunës në tetë vitet e kaluara, Kajoshaj tha se Kuvendi zë një rol dhe përgjegjësi të veçantë.
“Kuvendi është vendi ku përfaqësohet vullneti i qytetarëve, ku zhvillohet dialogu dhe ku merren vendime të rëndësishme, për të tashmen dhe të ardhmen e komunës sonë”, tha ai.
Kajoshaj shtoi se, si Kuvend i komunës, ka përgjegjësi që përmes dialogut dhe vendimeve të drejta të përfaqësojë interesin e çdo qytetari.
“Arritjet e deritanishme duhet të jenë një shtysë për të kërkuar dhe më shumë nga vetja. Përpara nesh kemi shumë punë, projekte dhe mundësi që duhet t’i shndërrojmë në rezultate konkrete”, tha, mes tjerash, kryetari i Kuvendit të Komunës së Tuzit, Fadil Kajoshaj.
E ardhmja e Malësisë, shtoi ai, duhet të ndërtohet mbi institucione të qëndrueshme, zhvillim ekonomik, arsim cilësor dhe mundësi më të mëdha për të rinjtë.
“Duhet të krijohen kushte që ata të mund të shohin të ardhmen e tyre këtu, në vendin e tyre”, tha ai.
Kajoshaj shprehu mirënjohje, sidomos ndaj diasporës, e cila, siç tha, ka qenë përherë pranë vendlindjes dhe pjesë e rëndësishme e zhvillimit të Malësisë.
Ndërkaq, kreu i Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj, tha se Dita e komunës së Tuzit simbolizon një nga arritjet më të rëndësishme politike dhe historike të Malësisë, atë të rikthimit të komunës së plotë dhe të drejtën e qytetarëve që të vendosin vetë për zhvillimin dhe të ardhmen e vendit.
“Rruga deri këtu nuk ka qenë e lehtë. Për vite e dekada kemi kërkuar dhe kemi besuar se Malësia meriton ta ketë komunën e saj”, theksoi ai.
Gjatë fjalës së tij, kryetari i Komunës së Tuzit renditi investimet që janë bërë në sektorë të ndryshëm, e që, sipas tij, kapin shifra prej miliona eurosh, duke u zotuar se ende kanë punë për të bërë në vazhdim.
Një falënderim të veçantë ai shprehu ndaj diasporës, e cila, tha ai, ka qenë pranë Malësisë në kohët më të vështira, por që vazhdon të jetë pranë saj edhe sot.
Në këtë ceremoni solemne u nda edhe Çmimi “1 Shtatori – Dita e Komunës” për vitin 2026, i cili sivjet iu nda Mark Nikollë Lulgjurajt për, siç u tha, kontributin e veçantë në veprimtarinë humanitare në Malësi, si dhe Xhemal Nikajt, pas vdekjes, për kontributin e tij të çmuar në jetën shoqërore, kombëtare dhe humanitare, veçanërisht gjatë eksodit të Kosovës.
Kjo ceremoni solemne u shoqërua edhe me disa interpretime të violinistit dhe kompozitorit të njohur, Olen Cezari.
Komuna e Tuzit, për herë të parë pas 62 vitesh, e kremtoi Ditën e saj me statusin e komunës së pavarur, në vitin 2019.
T. Ujkaj
