Muret shekullore të Qytetit të Vjetër mirëpritën të premten mbrëma (28 gusht 2026) me mijëra vendas e turistë, të cilët shijuan gastronominë autentike, muzikën dhe kulturën ulqinake. Me gatime nga kuzhinierë vendas e ndërkombëtarë, manifestimi konfirmoi edhe një herë rëndësinë e mbrojtjes së trashëgimisë kulinare, ku bamja e njohur ”Sulltanija“ mbetet mbretëresha e tryezës.
Muret e Kalasë së Ulqinit u shndërruan këtë natë në qendrën e një magjie të vërtetë gastronomike dhe kulturore. Manifestimi tradicional ”Nata e bamjes“, i cili tashmë po i afrohet dekadës së parë të organizimit, mblodhi sërish në një vend me qindra bashkëqytetarë dhe vizitorë të huaj. Në një ambient magjepsës historik, të pranishmit patën mundësinë të shijonin pjatat autentike, një program të pasur artistik dhe mikpritjen karakteristike ulqinake.
Edicionin e nëntë të kësaj ngjarjeje e shpalli zyrtarisht të hapur kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu.
Në fjalën e tij përshëndetëse, ai theksoi se Komuna e Ulqinit e mbështet pa rezervë këtë aktivitet, i cili arrin t’u ofrojë mysafirëve dhe qytetarëve me krenari vlerat më të mira që zotëron ky qytet.
Rëndësinë e veçantë që kjo ngjarje ka për profilizimin e Ulqinit në hartën turistike e nënvizoi edhe drejtori i Organizatës Turistike të Ulqinit, Qazim Hoxhiq.
“Në këto nëntë vite, ky manifestim është kthyer në një pjesë të bukur dhe mjaft të njohur të kalendarit tonë turistik e kulturor. Organizata Turistike ka qenë që nga dita e parë mbështetëse e ‘Natës së bamjes’, sepse besojmë fuqishëm se ngjarje të tilla i japin një vlerë të shtuar ofertës sonë. Kjo festë ruan atë që është jona dhe njëkohësisht ia prezanton këtë traditë mysafirëve që vijnë për ta njohur Ulqinin – jo vetëm përmes diellit e detit, por edhe përmes shpirtit të tij kulturor“, u shpreh ai.
Nga ana e saj, Arta Muçaj, sekretare e Sekretariatit për Bujqësi, Zhvillim Rural dhe Ekologji në Komunën e Ulqinit, vuri në dukje se institucionet lokale do të vazhdojnë me përkushtim promovimin e prodhimit vendas.
Ajo bëri me dije se aktivitete të tilla do të vijojnë edhe në muajt në vijim, ku në shtator pritet organizimi i manifestimit tjetër tradicional, “Shporta e vjeshtës“.
Iniciatorja dhe organizatorja e këtij aktiviteti, Mersiha Resulbegoviq – Mavriq, rikujtoi se bamja është pjesë e pamënjanueshme e identitetit gastronomik të Ulqinit.
Ajo veçoi llojin autokton ”Sulltanija“, si frymëzimin kryesor që çoi në lindjen e këtij manifestimi vite më parë.
Organizatorët u shprehën të lumtur që këtë vit manifestimi arriti t’i kapërcejë kufijtë e oborrit të Pallatit Venezia, duke u shtrirë në të gjithë hapësirën e Qytetit të Vjetër.
Vlen të theksohet se vlerat e këtij specialiteti janë njohur edhe në nivel kombëtar. ”Bamjet në mënyrën ulqinake“ përbëjnë produktin e nëntë në Malin e Zi, të mbrojtur me shenjën e cilësisë si Specialitet i garantuar tradicional.
Lidhjen e fortë mes tokës dhe turizmit e konfirmoi edhe përfaqësuesja e Ministrisë së Bujqësisë të Malit të Zi, Merisa Çekiq, e cila nënvizoi se Ulqini gëzon një potencial të jashtëzakonshëm falë mjeshtërisë së pasur të amviseve ulqinake.
Ndonëse ngjarja pati edhe elemente konkurruese, fryma e mbrëmjes ishte tërësisht miqësore. Në fund të aktivitetit, të gjithë mjeshtrit e kuzhinës u nderuan me mirënjohje për kontributin e tyre. Në këtë edicion morën pjesë shefa kuzhine jo vetëm nga rajoni, por edhe nga vende si Turqia apo Franca, të cilët e përgatitën bamjen sipas recetave të tyre specifike kulturore.
Për ta përballuar numrin e madh të vizitorëve, programi u zhvillua njëkohësisht në tri pika strategjike të Kalasë së Ulqinit: në sheshin pranë Muzeut, te Porta e Madhe në Pazarin e Vjetër dhe në ambientet e Pallatit Venezia. Shpërndarja në disa hapësira krijoi një atmosferë gjallëruese deri në orët e vona të natës, ndërsa befasia më e mirë për të pranishmit ishte se i gjithë degustimi i pjatave u ofrua falas.
Arjona Resulani
