Famullia e Tuzit dhe Organizata Joqeveritare “Horizonti” organizuan të premten mbrëma, më 7 gusht 2026, në Qendrën Kulturore-Informative “Malësia” në Tuz, një tribunë ndërgjegjësuese me temën “Substancat narkotike dhe varësia nga bixhozi si mekanizma të arratisjes nga realiteti: pasojat psikologjike, sociale dhe zhvillimore për të ardhmen e të rinjve”.
Fillimisht, Atë Mirash Marinaj, duke përshëndetur të pranishmit, theksoi se komunitetet fetare kanë një luftë të përbashkët ndaj së keqes.
“Kjo e keqe ka marrë përmasa mjaft të frikshme për shoqërinë tonë në Tuz – Malësi, që është droga dhe bixhozi. Aq të frikshme janë bërë këto të këqija saqë janë kthyer madje në një gjë normale të jetës së përditshme. Pra, është bërë një kompromis me të keqen dhe kjo është gjëja më shkatërruese që mund të përjetojmë këtu në Malësi”, u shpreh ai.
Marinaj më tej shtoi se shkrimet e shenjta të të dy feve na ftojnë që të ruhemi nga idhujt e rrejshëm – Zoti i rrejshëm, që është paraja.
“Është pikërisht ky idhull që prej tij na vijnë këto vese shkatërruese – droga e bixhozi. Por kur njeriu e humb krijuesin e vet, e humb dinjitetin njerëzor dhe ai që e humb këtë, nuk është më një qenie që duhet të respektohet dhe nderohet por bëhet vegël – mjet fitese (plaçkë për treg)”, tha Marinaj.
Ai më tej theksoi se “ne si komunitete fetare e kemi detyrë të përbashkët që ta luftojmë të keqen që na shkatërron të rinjtë tanë, familjet tona e shoqërinë tonë, që Tuzi të jetë një vend ku jetohet me vlera, që të mos jetë një vend i pajetuar, që antivlerat të mos jenë të pranuara në shoqërinë tonë”.
Ndërkohë, Marinaj u shpreh se pozicioni gjeografik ka bërë që shpeshherë Tuzi të njihet si një vend kontrabande, vendkalim droge e vend i mbushur përplot bastore e kazino.
“Mund të themi me plot bindje se Tuzi është një vend që na ofron drogë e bixhoz. Madje na ofron drogë e bixhoz kudo – edhe afër shkollave, afër institucioneve fetare dhe pothuajse në çdo lokal mund të përjetojmë aparate lojërash në to”, tha Atë Mirash Marinaj.
Këtë dukuri, shtoi ai, nuk do ta fshehim asnjëri nga ne, por, siç tha, duhet të ngrejmë zërin gjithmonë, si komunitetet fetare, bota intelektuale, mësuesit në shkolla, organet vendore dhe ato qendrore.
Ndërkaq, imami Omer Kajoshaj, duke falënderuar të gjithë të pranishmit dhe ata që e mbështetën këtë nismë, theksoi se dëshira e dy komuniteteve fetare ka qenë që shqetësimet dhe problemet që e preokupojnë shoqërinë tonë të mos mbeten vetëm diskutime kafenesh, por ato t’i shpalosin përmes kësaj tribune ndërgjegjësuese dhe të përcjellin mesazhet e tyre.
Ai tha se nga diskutimet e bëra me Atë Mirash Marinajn kanë konkluduar se më shumë ka bastore në Tuz sesa ka kisha dhe xhami në gjithë territorin e komunës së Tuzit.
Ai theksoi se e shohin çdo ditë zhvillimin në Malësi, “por Malësia e zhvilluar me të sëmurë mendorë dhe truporë nuk i duhet kujt”.
“Të gjithë ata që kanë pasur mundësinë të dalin nëpër botë, kanë parë zhvillim por i kanë parë edhe plot rrugët në mbrëmje me drogaxhinj, me të dehur apo me ata të cilët në bixhoz e kanë humbur krejt pasurinë e tyre dhe flejnë nën ura apo në ndonjë cep të stacioneve”, tha Kajoshaj.
Ai më tej shtoi se për këtë dukuri duhet biseduar, jo për atë që ka humbur pasurinë në bastore, por për familjet e tyre, dhe jo për pasojat momentale dhe financiare por për ato afatgjata.
Kajoshaj më tej u zotua se ata edhe në vazhdim, së bashku me Atë Mirash Marinajn, do të flasin dhe do ta ngrejnë zërin përherë për këtë problematikë dhe shqetësim të shoqërisë.
Ndërkaq, lidhur me mënyrën se si varësia ndikon te njeriu, për pasojat dhe rëndësinë e ndërgjegjësimit, një elaborim të detajuar, edhe në formë ilustruese, e paraqiti Prof. Dr. Musa Musai nga Gostivari i Maqedonisë së Veriut, profesor i rregullt në Universitetin e Tetovës.
Sipas tij, trajtimi i kësaj problematike është tejet i rëndësishëm, duke thënë se ajo nuk prek vetëm Tuzin – Malësinë, por e pengon mbarë shoqërinë njerëzore.
Ai theksoi, ndër të tjera, se diskutimet e herëpashershme dhe tentativat e ndryshme kanë si qëllim të vetëm që të ndikohet në pakësimin e tyre dhe në evitimet e mundshme, që sa më pak njerëz t’i frekuentojnë vendet e tilla.
“Arsyeja e krejt këtij organizimi është për t’i thënë së keqes jo, për ta ngritur zërin, për t’i aktualizuar synimet tona shoqërore që aq sa të mundemi të pakësojmë diçka nga këto varësi të krijuara”, theksoi Prof. Dr. Musa Musai.
Ai dha shpjegime shumë të vlefshme dhe këshilla tejet të dobishme për të mos iu futur kësaj rruge shkatërruese për të gjithë shoqërinë.
Musai njëkohësisht theksoi se për ta luftuar këtë dukuri nevojitet përfshirja e të gjitha institucioneve të shoqërisë.
Aktivitetin në fjalë e moderoi doktoresha Antoneta Gjokaj, e cila zhvilloi një diskutim më të hollësishëm me ligjëruesit e mbrëmjes lidhur me këtë problematikë.
Ky aktivitet u organizua me qëllim të ndërgjegjësimit të shoqërisë, veçanërisht të rinjve, ndaj rreziqeve të varësive psikoaktive dhe të sjelljes.
T. Ujkaj
