Portrete komplementare në historinë ulqinake

(Një analizë rreth narracionit në romanin “Balada e piratit dhe poetit” të shkrimtarit Bashkim Hoxha,
Botimet Jozef, Durrës, 2025)

Fatmir Minguli

Përse, përse, ti zemrat i braktise?
Vajto, vajto, pirat i këngës sime!
Përse, përse, ti zemrën nuk e gjete?
Vajto, vajto, o lundërtar pa dete!
O pirat i zemrave!

E çuditshme! Gjatë gjithë kohës që lexoja romanin e ri të Bashkim Hoxhës “Balada e piratit dhe poetit” më tingëllonte pareshtur kënga e Çlirim Denajt “O pirat i zemrave”. Ndoshta se vetë romani ishte një baladë, ndoshta se përmes kapitujve ndihej një frymë shpirtërore që ndriçonte herë portretin e piratit Arnaut Mami nga Ulqini dhe robit të tij, spanjollit të madh Miguel De Servantes.
Edhe pse autori e quan romanin baladë, aty lexuesi gjen të vërtetat historike, të vërteta që shpesh deformohen, që shpesh interpretohen ndryshe. Shkrimtari Bashkim Hoxha me këtë roman demonstron jo vetëm faktet e vërteta të krahut të dobët të Servantesit që nuk “ia preu Arnaut Mami”, por edhe të vërtetat e emrit Dulqinjë, që nuk është emri i Ulqinit, por krejt ndryshe.
E kështu, balada merr jetë e faqe pas faqeje njihesh me jetën e piratit të Mesdheut dhe me jetën e poetit, njeriut të madh, shkrimtarit Servantes, babait të “kalorësit fytyrë vrerosur”, Don Kishotit. Në historinë e letërsisë botërore Servantesi bashkë me Shekspirin janë në majë të vlerave si shkrimtarë, prandaj guximi i Bashkim Hoxhës është tejet i madh – luan me rreziqet e hamendësuara tutje e tëhu botës shqiptare.
Fakti që ky roman është gati paralel me përkthimet e romanit tjetër të Bashkim Hoxhës “Shtëpia e verdhë” në frëngjisht e më parë në rumanisht, e forcon idenë e guximshme të autorit për të na dhënë portretin e Servantesit. Ky portret i treguar me magjinë e fortë të baladës ecën njëkohshëm me portretin e ulqinakut Arnaut Mami. Portrete që kalojnë nëpër kohën e pesë vjetëve ku poeti Miguel kaloi si peng i Arnautit nga Ulqini. Ky ulqinak, bir i një pirati, vetë pirat, ka një botë jo të thjeshtë, dhe tek e kupton botën e madhe të pengut të tij spanjoll reagon dhe kërkon të vjedhë diçka nga portreti i poetit. Këtu balada merr përsipër psikologjinë e komplementimit të dy portreteve. Një pirat mëson nga bota e poetëve dhe një poet përpiqet të kuptojë botën e brendshme të një pirati dhe pesë vjet janë të mjaftueshme!
Kjo baladë që jeton e gjallë brenda kapitujve të romanit, frymon në përpjekje të kapjeve empatike të njëri-tjetrit, duke e bërë shkrimtarin Bashkim Hoxha të sjellë një roman krejt ndryshe nga romanet e tij të mëparshme.
Edhe diçka tjetër – balada revokon studimet e studiuesit durrsak Hasan Ulqini mbi piraterinë e fiseve ilire që vazhduan në kohën e mesjetës në brigjet adriatikase, veçanërisht Ulqinit. Vetë Hasan Ulqini është me origjinë nga Ulqini dhe ky roman i Bashkim Hoxhës krijon pikërisht emblemën “Ulqin”.
Gjatë baladës spikatin disa personazhe të veçanta të atyre kohëve që rrjedhin në këtë roman. I pari është Xhemal Syçi, roja e kullës far, kullës së drunjtë ku ky personazh me një sy kontrollon hapësirat e detit duke qëmtuar ndonjë siluetë anijeje që i afrohet tokës. Vetë jeta e tij është dhënë kaq bukur nga autori, intersektuar me jetën e kapidanit të piratëve, Arnaut Mami.
Maja, zeshkania e bukur, robinë e Arnautit. Pirati e desh me vrullin e një poeti dhe kjo dashuri mbizotëron skena të baladës që nga fillimi gjer në mbyllje të librit, skena krejt përshkënditëse. Kjo figurë e re në letërsinë shqipe pasohet në romanin e Bashkimit me dy personazhe, edha ata robër të Arnautit. Marseli francez, një marinar që ishte kthyer alkimist, me një botë krejt të çuditshme, dhe tjetri Domeniko, një prift italian nga i cili Arnauti priste shumë pagesa të majme kur të vinin njerëzit e Romës për ta marrë.
Ebu Kerim, një pasha i vendit ku rrinte Arnauti, një figurë që plotëson aventurat pas pirateske të Arnaut Mamit. E ëma Dana dhe i ati i Arnautit, Nimani, emër tipik ulqinak, jepen në roman, ndonëse telegrafisht, por me nëntekste të theksuara për qytetin e Ulqinit. Personazh virtual është patjetër dhe Françeska, e dashura e Miguel de Servantesit, që rri si statujë e gjallë në mendjen dhe ëndrrat e poetit.
Romani “Balada e piratit dhe poetit” është një teatër me skena të lëvizshme që lëvizin njëra mbi tjetrën, mbimbulohen dhe herë-herë i lënë vendin meditimit poetik të Arnautit, gjë që pirati e mëson pikërisht nga robi i tij Miguel de Servantes.
Sjellja e figurave të tilla në letërsinë shqipe, tejkalojnë çdo lloj hamendësimi, çdo lloj krahasimi të mundshëm për vlerat e shkrimeve të Bashkim Hoxhës. Një roman që përhap ide dhe propozime për të shkruar ndryshe. E vërtetë! Bashkim Hoxha shkruan ndryshe.

Të fundit

më të lexuarat