“Premtimet jepen në fushatë, por problemet mbeten”

Banorët e Brajshës kërkojnë nga Komuna e Ulqinit dhe Ndërmarrja Ujësjellës-Kanalizime që të ndërhyjnë sa më shpejt për rehabilitimin e rezervuarit dhe të gjithë rrjetit të furnizimit me ujë. Sipas tyre, bëhet fjalë për një problem që zgjat prej shumë dekadash dhe që po shkakton dëme materiale, humbje të ujit të pijshëm dhe vështirësi të përditshme për banorët. Ata kërkojnë që premtimet të zëvendësohen me investime konkrete, në mënyrë që Brajsha të ketë një sistem furnizimi me ujë të denjë për kohën

Mungesa e furnizimit të rregullt me ujë të pijshëm, rrjedhjet e vazhdueshme nga rrjeti i ujësjellësit dhe amortizimi i rezervuarit vazhdojnë të jenë ndër shqetësimet kryesore të banorëve të Brajshës.
Ata thonë se prej vitesh përballen me të njëjtat probleme, ndërsa ndërhyrjet e institucioneve kanë qenë të pjesshme dhe nuk kanë sjellë një zgjidhje të qëndrueshme.
Njëri nga banorët, Muharrem Kallaba, thotë se problemi është denoncuar vazhdimisht, por pavarësisht kërkesave të shumta, gjendja vetëm sa është përkeqësuar.
“Ka dy vite që e kemi lajmëruar këtë problem. Ky ujë vjen nga rezervuari kryesor, i cili furnizon me ujë lagjet e Brajshës. Gjatë kësaj kohe, para rreth një viti, kanë ardhur dhe kanë sanuar vetëm një pjesë të vogël të rrjetit, por problemi nuk është zgjidhur. Uji vazhdon të rrjedhë pa ndërprerje dhe dëmet janë gjithnjë e më të mëdha. Janë dëmtuar prona ime private, muret mbajtëse dhe objekte të tjera që sot ndodhen në gjendje kritike”, thotë ai.
Kallaba thekson se lajmërimin e fundit e ka bërë para katër muajsh në Ndërmarrjen Ujësjellës-Kanalizime.
“U kam dërguar edhe fotografi për t’ua dëshmuar gjendjen në terren, por deri më sot nuk është marrë asnjë masë konkrete. Përgjigjja që marr vazhdimisht është: ‘Do të vijmë javën tjetër, nuk kemi fuqi punëtore, nuk kemi bagerist, nuk arrijmë t’i zgjidhim të gjitha problemet’”, shprehet ai.
Sipas tij, këto tuba janë vendosur që kur është ndërtuar rezervuari, në vitet 1948-1949 dhe për çdo vit gjendja përkeqësohet dhe uji shpërthen në më shumë vende.
“E gjithë linja, nga rezervuari deri te shtëpitë në lagjen Kallaba, rrjedh pa ndërprerje. Kam njoftuar edhe kryetarin e Bashkësisë Lokale. Në mëngjes më dha mbështetje, ndërsa pasdite ndryshoi qëndrim dhe më tha se mos ndoshta unë kam interesa personale në zgjidhjen e këtij problemi. Ky nuk është interesi im personal. Është e vërtetë që po më shkaktohet edhe mua një dëm i madh, por kjo është një çështje që prek të gjithë lagjen”, shprehet Kallaba.
Ai thotë se për shkak të këtij problemi është mbyllur edhe kroi publik i Brajshës, nga i cili dikur furnizoheshin me ujë banorët e Anës së Malit dhe të Krajës.
“Përveç kësaj, gjatë punimeve na kanë dëmtuar edhe rrugën. Na është premtuar se do ta kthejnë në gjendjen e mëparshme, por sot rruga po shembet dita-ditës. Deri kur duhet të durojmë dhe të heshtim? Ky është i njëjti ujë me të cilin furnizohen edhe shtëpitë tona, por nuk ka presion të mjaftueshëm, sepse pjesa më e madhe derdhet jashtë. Jemi në shekullin XXI dhe ende nuk kemi furnizim të rregullt me ujë. Është e papranueshme që një ndërmarrje publike të mos jetë në gjendje të marrë masa për një problem që zgjat prej vitesh. Kjo është papërgjegjshmëri. Kur afrohen zgjedhjet, të gjithë vijnë e na premtojnë: ‘Do t’ju rregullojmë rezervuarin, do ta zgjidhim problemin’. Por pas zgjedhjeve gjithçka mbetet vetëm premtim”, përfundon Kallaba.
Edhe banori Adem Shaba thotë se problemet me ujësjellësin nuk janë të reja, por janë pasojë e mungesës së investimeve ndër vite.
“Rezervuari i Brajshës është ndërtuar në vitin 1964, ndërsa tubacionet janë edhe më të vjetra. Prej rreth 80 vitesh askush nuk ka bërë një investim të duhur në këtë rrjet. Që nga ndërtimi i rezervuarit janë vendosur këto tuba dhe sot ato janë të amortizuara plotësisht. Nuk mund të pritet që një sistem kaq i vjetër të funksionojë pa probleme”, shprehet ai.
Shaba tregon se për furnizimin me ujë të lagjeve Lukaj dhe Shabaj, para rreth 30 vitesh i kanë kryer vetë punimet.
“I kam dokumentet që e dëshmojnë këtë. Me mjetet tona kemi blerë materialet, kemi paguar transportin dhe kemi bërë punimet me shpenzimet tona, vetëm që banorët të kenë ujë. Nuk kemi pritur askënd, sepse ishte një nevojë jetike. Edhe sot, sa herë që prishet rrjeti, banorët detyrohen të kontribuojnë për riparimet. Kjo nuk është përgjegjësi e qytetarëve, por e institucioneve që menaxhojnë ujësjellësin. Nuk mund të vazhdojmë të financojmë vetë një shërbim publik”, thekson ai.
Shaba flet edhe për një problem tjetër – atë të faturimit edhe kur nuk kanë ujë.
“Përveç kësaj, edhe kur nuk kemi ujë në çezma, faturat vazhdojnë të na vijnë rregullisht. Ne nuk refuzojmë të paguajmë, por kërkojmë që të marrim shërbimin për të cilin paguajmë. Problemi nuk zgjidhet duke ndërruar vetëm një pjesë të tubacionit. Duhet rehabilituar i gjithë sistemi, sepse çdo ndërhyrje e vogël zgjat pak dhe më pas defektet shfaqen përsëri. Banorët kanë nevojë për një investim serioz dhe një zgjidhje afatgjatë”, pohon ai.
Banorët e Brajshës kërkojnë nga Komuna e Ulqinit dhe Ndërmarrja Ujësjellës-Kanalizime që të ndërhyjnë sa më shpejt për rehabilitimin e rezervuarit dhe të gjithë rrjetit të furnizimit me ujë. Sipas tyre, bëhet fjalë për një problem që zgjat prej shumë dekadash dhe që po shkakton dëme materiale, humbje të ujit të pijshëm dhe vështirësi të përditshme për banorët. Ata kërkojnë që premtimet të zëvendësohen me investime konkrete, në mënyrë që Brajsha të ketë një sistem furnizimi me ujë të denjë për kohën.

D. Teliqi

Të fundit

më të lexuarat