Promovim i produkteve vendore dhe krijim i një tradite të re

“Artizane Fest” dëshmoi rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të vlerave kulturore e identitare të Ulqinit, duke krijuar një hapësirë ku tradita dhe kreativiteti bashkohen në një vend. Organizatorët shpresojnë që ky manifestim të shndërrohet në një traditë të përvitshme, duke vazhduar të promovojë artizanatin lokal dhe të kontribuojë në zhvillimin e turizmit kulturor në qytet.

Të mërkurën, më 10 qershor 2026, Pazari i Suvenireve në Ulqin u shndërrua në një qendër të festës, kulturës dhe trashëgimisë vendore, me rastin e organizimit të manifestimit “Artizane Fest”, një mbrëmje e veçantë kushtuar traditës, punës artizanale dhe vlerave që ruhen e përcillen brez pas brezi.
Qytetarë të shumtë, turistë dhe dashamirë të artit tradicional patën mundësinë të njihen nga afër me punimet e artizaneve lokale, produktet autentike të kulinarisë vendase, si dhe me proceset e punës që qëndrojnë pas krijimeve të realizuara me shumë përkushtim e mjeshtëri.
Përgjatë gjithë mbrëmjes, stendat e mbushura me punime dore, produkte tradicionale dhe ekspozime të ndryshme artizanale tërhoqën vëmendjen e të pranishmëve, ndërsa programi muzikor krijoi një ambient të veçantë mikpritës që e bëri aktivitetin edhe më tërheqës.
Organizatorja e festivalit dhe kryetarja e Shoqatës për Promovimin e Sipërmarrjes Femërore “Kualiteti lokal”, Aldiana Gjoni – Maxharri, theksoi rëndësinë e mbështetjes së grave artizane dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore përmes aktiviteteve të tilla.
“Ky festival lindi nga dëshira për t’u dhënë hapësirë grave krijuese, artizaneve dhe të gjithë atyre që me duart e tyre ruajnë historinë, traditën dhe identitetin tonë kulturor. Shpeshherë puna e tyre mbetet e padukshme, megjithëse pas çdo punimi qëndrojnë orë të tëra përkushtimi, kreativiteti dhe sakrifice. Gratë janë bartëse të rëndësishme të traditës sonë dhe meritojnë mbështetje më të madhe, promovim dhe mundësi për të prezantuar punën e tyre. Përmes ‘Artizane Fest’ ne synojmë jo vetëm të promovojmë produktet vendore, por edhe të krijojmë një traditë të re që do të vazhdojë çdo vit, duke i fuqizuar gratë, duke ruajtur trashëgiminë dhe duke e lidhur atë me zhvillimin e turizmit kulturor në Ulqin”, deklaroi ajo.
Një nga pjesëmarrëset e panairit ishte edhe artizania Lumnije Bisha, e cila prezantoi çantat e saj artizanale, të realizuara me shumë kujdes dhe kreativitet. Ajo u shpreh se ruajtja e punës së dorës është një mision që kërkon përkushtim dhe dashuri të vazhdueshme.
“Çdo çantë që punoj ka historinë e vet. Nuk është thjesht një produkt, por një krijim që kërkon kohë, durim dhe shumë punë. Në kohën kur tregu është i mbushur me produkte industriale, puna e dorës po bëhet gjithnjë e më e rrallë dhe pikërisht për këtë arsye duhet ta ruajmë dhe ta promovojmë. Jam shumë e lumtur që ekzistojnë aktivitete si ‘Artizane Fest’, sepse na japin mundësinë të prezantojmë punën tonë, të takojmë njerëz që e vlerësojnë artizanatin dhe të motivojmë brezat e rinj që të mësojnë këto zanate. Puna e dorës nuk duhet të humbasë, sepse ajo është pjesë e identitetit tonë dhe një pasuri që duhet ta trashëgojmë te fëmijët tanë”, ka thënë ajo.
Pjesë e festivalit ishte edhe Pashe Ceka, e njohur për përgatitjen e produkteve tradicionale vendase si vajrave natyrale, mjaltit, fiqve dhe produkteve të tjera të përpunuara sipas recetave tradicionale.
“Për mua është një kënaqësi e veçantë të prezantoj produktet që përgatiten sipas mënyrave tradicionale që kemi trashëguar nga familjet tona. Çdo kavanoz me mjaltë, çdo shishe vaj apo produkt tjetër bart brenda jo vetëm shije autentike, por edhe një pjesë të kulturës sonë. Sot njerëzit po kërkojnë gjithnjë e më shumë produkte natyrale dhe tradicionale, ndaj është shumë e rëndësishme që këto njohuri të mos humbasin. Manifestime të tilla janë një mundësi e mirë për të treguar vlerat që kemi dhe për t’i afruar më shumë njerëzit me traditat tona. Jam e bindur se ruajtja e produkteve tradicionale është një mënyrë për të ruajtur edhe identitetin tonë kulturor”, u shpreh ajo.
Një pjesë e veçantë e aktivitetit iu kushtua fëmijëve, të cilët patën mundësi të njiheshin nga afër me procesin e qepjes dhe punimeve të ndryshme artizanale. Të vegjlit nuk e fshehën entuziazmin për përvojën e re.
“Na pëlqeu shumë të mësojmë si qepet dhe si krijohen gjërat me dorë. Ishte hera e parë që provuam disa nga këto teknika dhe ishte shumë argëtuese. Tani e kuptojmë sa punë dhe përkushtim duhet për të bërë një punim artizanal. Do të donim të kishim më shumë aktivitete të tilla, sepse mësojmë gjëra të reja dhe interesante”, thanë disa nga fëmijët pjesëmarrës.
“Artizane Fest” dëshmoi rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të vlerave kulturore e identitare të Ulqinit, duke krijuar një hapësirë ku tradita dhe kreativiteti bashkohen në një vend. Organizatorët shpresojnë që ky manifestim të shndërrohet në një traditë të përvitshme, duke vazhduar të promovojë artizanatin lokal dhe të kontribuojë në zhvillimin e turizmit kulturor në qytet.D. Teliqi

Të fundit

më të lexuarat