Guci/Plavë – Të premten, më 29 maj 2026, në Guci solemnisht u shënua Dita e Evropës, në praninë e përfaqësuesve të Qeverisë së Malit të Zi, trupit diplomatik, vetëqeverisjeve lokale dhe qytetarëve të shumënumërt. Kremtimi qendror është mbajtur në Qendrën për Kulturë në Guci, në organizim të Ministrisë së Punëve Evropiane.
Nikoqir i manifestimit ka qenë kryetari i Komunës së Gucisë, Sanell Balliq, i cili në fjalën e vet të rastit ka theksuar se Dita e Evropës simbolizon paqe, përbashkësi, solidaritet dhe respekt e nderim ndaj llojshmërisë, duke thënë se Gucia ngaherë ka qenë shembull i harmonisë multietnike dhe jetës së përbashkët.
Kryetari Balliq ka theksuar se vlerat evropiane nuk janë diçka e huaj, por pjesë e identitetit dhe përditshmërisë së trevës sonë, dhe pikërisht përbashkësia, toleranca dhe respekti i ndërsjellë paraqesin forcën më të madhe të Gucisë. Gjithashtu ka theksuar rëndësinë e rrugëtimit evropian të Malit të Zi dhe bindjen se ai së shpejti do të bëhet anëtar i plotfuqishëm i Bashkimit Evropian, që do të paraqesë sukses historik për të gjithë qytetarët.
Në solemnitet kanë qenë të pranishëm ministrat e Qeverisë së Malit të Zi: Naida Nishiq, Damir Gutiq dhe Admir Shahmanoviq, pastaj i ngarkuari me punë i Ambasadës së Polonisë në Mal të Zi, Piotr Stachańczyk, si dhe kryetari i Komunës së Plavës, Nihad Canoviq me bashkëpunëtorë.
Programin e manifestimit e kanë plotësuar nxënësit e SHMP “Beqo Bashiq” të Plavës dhe të shkollës fillore “Xhafer Nikoçeviq” të Gucisë, si dhe SHKA “Hallaturko” vendase me vallen tradicionale me të njëjtin emër, solemnitetin e ka bërë më të bukur dhe më tërheqës.
Në orët e paradrekës të po kësaj dite, Plava ka qenë nikoqire e shënimit të Ditës së Evropës për komunat e Plavës dhe Gucisë. Në solemnitetin e rastit është theksuar se Evropa nuk ndërtohet vetëm në Bruksel e Podgoricë, por ndërtohet edhe këtu, nëpërmjet projekteve konkrete, partneritetit dhe punës së përditshme në avancimin e cilësisë së qytetarëve tanë.
Me ministren e Punës, Punësimit dhe Dialogut Social, Naida Nishiq, ministrin e Energjetikës dhe Xehetarisë, Admir Shahmanoviq, ministrin e Kujdesit Social, Përkujdesjes për Familjen dhe Demografinë, Damir Gutiq, si dhe të ngarkuarin me punë në Ambasadën e Polonisë në Mal të Zi, Piotr Stachańczyk, është biseduar mbi vlerat evropiane, zhvillimin e qëndrueshëm dhe rolin e bashkësive lokale në rrugëtimin evropian të Malit të Zi.
Në emër të Komunës së Plavës, në takim kanë qenë të pranishëm kryetari i Kuvendit të Komunës, Allen Balliq, nënkryetarja e Komunës, Bellma Sharkinoviq, kryeadministratori Adnan Shaboviq dhe menaxheri i Komunës, Merdin Purishiq.
Pas takimit palët kanë vizituar mbushtoren për automjete elektrike, si dhe janë njoftuar me rezultatet e projektit të promovimit të përdorimit të qëndrueshëm të bimëve mjekuese e aromatike në Barnatoren e bimëve “Adem Jasaviq” në Plavës, pronar dhe menaxhues i së cilës është aktivisti universal nga vendbanimi periferik Mallo Sello, Allmir Jasaviq.
Sh. Hasangjekaj
