Klubi i Taekwondosë “Besa” ka fituar dhjetë medalje (dy medalje të arta, dy medalje të argjendta dhe gjashtë medalje të bronzta) në turneun ndërkombëtar “Karllovac Open”, që është mbajtur të shtunën (23 maj 2026) në këtë qytet të Kroacisë.
Duhet theksuar se të shtatë garuesit e KT “Besa” kanë fituar medalje, ku më të suksesshëm kanë qenë Lirie Dibra dhe Alba Marashaj, të cilat janë kurorëzuar me medalje të arta. Krahas medaljes së artë në lufta, në kategorinë e junioreve, +68 kg, Dibra ka fituar edhe medalje të bronztë në poomsae (forma). Ndërkaq Marashaj, krahas medaljes së artë në kategorinë e kadeteve të reja, -48 kg, ka fituar medalje të argjendtë në forma.
Paraqitje të mirë në këtë turne ka bërë edhe Barlet Bojaj, duke fituar dy medalje të bronzta: në lufta, në kategorinë e kadetëve, -49 kg, si dhe në forma.
Medalje të argjendtë ka fituar edhe Hamza Pepiq, në kategorinë e kadetëve të rinj, -65 kg, kurse medalje të bronzta Asija Pepiq (kategoria e kadeteve, -55 kg), Zejna Haxhaj (-51 kg) dhe Darijan Beciq (kadetët e rinj, -48 kg).
Në edicionin e 59-të me radhë të këtij turneu, ku u zhvilluan gara në disiplinat Kyorugi, Poomsae dhe Zemita Kick, kanë marrë pjesë 605 garues nga 11 shtete, ndërsa KT “Besa” është përfaqësuar me shtatë garues. Po ashtu pjesë e KT “Besa” ishin edhe referi Kastriot Lulgjuraj, trajnerët Nora dhe Lleo Gegaj, si dhe drejtori sportiv Nikollë Gegaj, i cili shprehet se është i kënaqur deri diku me rezultatin, por jo edhe me pjesëmarrjen, sepse në vend të afro 20 garuesve, sa ishin në plan të shkonin, “për shkaqe të ndryshme nuk morën pjesë”, duke marrë pjesë vetëm me shtatë garues.
Turneu “Karllovac Open”, i cili organizohet nga KT “Karllovac”, me të cilin KT “Besa” është i binjakëzuar, është një turne prestigjoz me traditë. Ky është viti i parë që turneu mbahet në mungesë të mjeshtrit të madh 10 Dan, Mirosllav Miro Brezhan, njërit prej themeluesve dhe promovuesve kryesorë të sportit të taekwondosë në Kroaci, i cili ka vdekur në dhjetor të vitit të kaluar.
(Kohapress)
