“Nata e Kështjellave” në Shas bashkoi kulturën dhe vlerat evropiane

Organizatorët theksuan se aktivitetet kishin për qëllim promovimin e trashëgimisë kulturore, mbrojtjen e mjedisit dhe forcimin e lidhjes së komunitetit me vlerat evropiane

Me rastin e shënimit të Ditës së Evropës dhe manifestimit ndërkombëtar “Nata e Kështjellave”, Komuna e Ulqinit organizoi të shtunën (9 maj 2026) në lokalitetin arkeologjik të Shasit një program të pasur kulturor, artistik dhe infrastrukturor në kuadër të projektit ndërkufitar “GIFTSnet”, i financuar nga Bashkimi Evropian përmes programit Interreg IPA Kroaci – Bosnje dhe Hercegovinë – Mali i Zi.
Manifestimi u zhvillua në amfiteatrin piktoresk të Shasit, ku njëkohësisht u bë edhe hapja zyrtare e punimeve infrastrukturore për rregullimin e lokalitetit. Aktiviteti mblodhi përfaqësues të institucioneve vendore dhe shtetërore, Delegacionit të Bashkimit Evropian në Mal të Zi, organizatave të ndryshme dhe qytetarë të shumtë.
Gjatë programit u realizua mbjellja e fidanëve autoktone të shegës, ekspozita e pikturave, degustimi i ushqimeve tradicionale, performanca artistike e fëmijëve të Kopshtit “Dallëndyshja” dhe shfaqja humoristike “9 shpirta” nga Teatri “Adriana” nga Ferizaji. Organizatorët theksuan se aktivitetet kishin për qëllim promovimin e trashëgimisë kulturore, mbrojtjen e mjedisit dhe forcimin e lidhjes së komunitetit me vlerat evropiane.
Në kuadër të projektit “GIFTSnet”, Komuna e Ulqinit po realizon investime me vlerë prej 170 mijë eurosh. Përmes këtij projekti do të rregullohen 12 shtigje në zonën e Shasit, do të vendosen 45 ulëse dhe 50 kosha për mbeturina, ndërsa gjatë ditës u mbollën edhe 15 pemë autoktone të shegës, të cilat konsiderohen të përshtatshme për kushtet klimatike të zonës.
Nga Komuna e Ulqinit theksuan se synimi i projektit është përmirësimi i gjendjes së lokalitetit të Shasit, rritja e qasjes dhe promovimit të tij te vizitorët, si dhe shndërrimi i kësaj trashëgimie kulturore në një resurs të rëndësishëm për zhvillimin e komunitetit lokal dhe turizmit inkluziv.
Shefi i sektorit për bashkëpunim në Delegacionin e Bashkimit Evropian në Mal të Zi, Bernard Brune, në fjalën e tij tha se Dita e Evropës përfaqëson unitetin dhe bashkëpunimin ndërmjet popujve.
“Dita e Evropës nuk shënohet vetëm në një vend dhe vetëm në një ditë, por ajo jeton çdo ditë në komunitetet tuaja dhe në çdo qytet të Malit të Zi. Ajo ka të bëjë me idenë se shtetet dhe njerëzit janë më të fortë kur punojnë së bashku”, deklaroi Brune.
Ai theksoi se për më shumë se 70 vite Bashkimi Evropian ka sjellë paqe, stabilitet dhe prosperitet në mbarë kontinentin dhe se kjo frymë vazhdon të frymëzojë brezat e rinj.
“Këto momente i bëjnë njerëzit bashkë dhe tregojnë se Evropa nuk është diçka e largët, por diçka që ndërtojmë së bashku çdo ditë në komunitetet tona”, u shpreh ai.
Brune vuri theks të veçantë edhe te roli i të rinjve në ndërtimin e së ardhmes evropiane.
“Të rinjtë janë në zemër të këtij projekti. Ata nuk janë vetëm e ardhmja e Evropës, por po formësojnë të tashmen e saj. Bashkimi Evropian iu ofron mundësi për të mësuar, udhëtuar, krijuar dhe bashkëpunuar përtej kufijve”, tha ai.
Sipas tij, Mali i Zi vazhdon të jetë lider në procesin e integrimeve evropiane në rajon.
“Mali i Zi vazhdon të bëjë progres të qëndrueshëm në rrugën e tij evropiane, duke udhëhequr mes vendeve kandidate me vendosmëri dhe përkushtim ndaj reformave. Bashkimi Evropian mbetet partner i fortë dhe i besueshëm për të ardhmen evropiane të Malit të Zi”, përfundoi Brune.
Të pranishmëve iu drejtua edhe ministri për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave, Fatmir Gjeka, i cili tha se Mali i Zi ndodhet në një moment të rëndësishëm historik në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
“Në vitin kur shënojmë dy dekada nga ripërtëritja e pavarësisë, Mali i Zi ndodhet në prag të arritjes së qëllimit të vet më të rëndësishëm – anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ky është rezultat i punës, përkushtimit ndaj reformave dhe vizionit të qartë për ta zhvilluar shoqërinë tonë në përputhje me vlerat evropiane”, deklaroi ai.
Gjeka theksoi se integrimi evropian nuk nënkupton vetëm reforma administrative, por ndryshime konkrete në jetën e qytetarëve dhe zhvillimin e komunave.
“Ky sistem nuk është vetëm bashkësi reformash, por paraqet ndryshime thelbësore në shoqërinë tonë, të cilat përmirësojnë jetën e përditshme të qytetarëve. Ai sjell zhvillim përmes mbështetjes së bujqësisë, avancimit të infrastrukturës lokale dhe ruajtjes së mjedisit jetësor”, tha ministri.
Gjeka shtoi se Mali i Zi ka ndërtuar partneritet të fuqishëm me Bashkimin Evropian përmes projekteve konkrete që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së qytetarëve.
“Obligimi ynë është që secili qytetar, në secilën komunë dhe në çdo pjesë të Malit të Zi, t’i ndiejë rezultatet konkrete të procesit evropian përmes një cilësie më të lartë të jetës dhe më shumë mundësive për të ardhmen”, deklaroi ai.
Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, tha se Shasi mbetet një nga pasuritë më të rëndësishme kulturore dhe historike të Ulqinit.
“Sot është Dita e Evropës, por nuk është vetëm dita e Bashkimit Evropian. Është dita edhe e fëmijëve në Kosovë, në Ukrainë dhe kudo tjetër ku ende nuk jemi të integruar ashtu siç duhet”, tha ai.
Sipas Nimanbegut, Mali i Zi është pararendës në integrimet evropiane dhe ka përkrahjen e Bashkimit Evropian.
“Ne jemi të lumtur për këtë. Kemi luftuar gjatë për këtë hap, por të drejtat tona ende duhen të mbrohen, të luftohen dhe të punojmë shumë për to“, u shpreh kryetari i Komunës së Ulqinit.
Ai vlerësoi rëndësinë e mbështetjes së Bashkimit Evropian për realizimin e projekteve lokale dhe zhvillimin e trashëgimisë kulturore.
“Ne do të punojmë, por na duhet mbështetje e vazhdueshme nga qeveria dhe institucionet evropiane. Ajo mbështetje duhet të jetë më thelbësore”, deklaroi ai.
Nimanbegu kujtoi edhe fjalët e bashkëqytetarit, Prof. Dr. Ruzhdi Ushaku për rëndësinë e Shasit.
“Ruzhdi Ushaku ka thënë se Shasi është ‘pika më mbresëlënëse e komunës sonë, kalaja jonë e dytë’. Kjo është një trashëgimi që duhet ta mbrojmë dhe për të cilën po punojmë vazhdimisht”, tha ai.
Krahas programit të pasur, pjesëmarrësit shijuan edhe ushqimet tradicionale vendore të përgatitura nga Ushqime tradicionale Zana, gjegjësisht Muzeu Etnografik – Draginë.
Manifestimi “Nata e Kështjellave”, pjesë e të cilit ishte edhe aktiviteti në Shas, u organizua paralelisht në rreth 70 lokacione dhe 11 shtete evropiane, duke promovuar trashëgiminë kulturore, bashkëpunimin rajonal dhe zhvillimin e qëndrueshëm të lokaliteteve historike.

D. Teliqi

Të fundit

më të lexuarat