Synohet rritja e cilësisë dhe besimit nëinstitucionet arsimore

Përmes tri dokumenteve të politikave publike, MogUL analizoi procese kyçe si përzgjedhja e drejtorëve të shkollave, punësimi i stafit arsimor dhe përcaktimi i normave mësimore. Rezultatet e hulumtimit tregojnë nevojën për më shumë transparencë dhe përforcim të besimit të publikut në sistemin arsimor

Organizata joqeveritare Monitoring Group Ulqin (MogUL) zhvilloi të enjten (30 prill 2026) një aktivitet, ku prezantoi rezultatet e hulumtimit gjithëpërfshirës mbi identifikimin dhe analizimin e rreziqeve nga korrupsioni në institucionet arsimore në Ulqin, si dhe rekomandimet për përmirësimin e mëtejshëm të sistemit arsimor në këtë komunë.
Qëllimi i këtij takimi ishte hapja e një dialogu konstruktiv ndërmjet qytetarëve, punonjësve të arsimit dhe vendimmarrësve, me synim rritjen e cilësisë dhe besimit në institucionet arsimore.
Përmes tri dokumenteve të politikave publike, MogUL analizoi procese kyçe si përzgjedhja e drejtorëve të shkollave, punësimi i stafit arsimor dhe përcaktimi i normave mësimore. Rezultatet e hulumtimit tregojnë nevojën për më shumë transparencë dhe përforcim të besimit të publikut në sistemin arsimor.
Kryetari i MogUl-it, Xhemal Peroviq bëri të ditur se qëllimi i hulumtimit nuk ka qenë të dëshmojnë korrupsionin, por vetëm të marrin një perceptim, një opinion nga publiku, sa më të gjerë dhe sa më përfaqësues.
“Dikush mund të mendojë, edhe nëse është drejtor i një institucioni apo pjesë e stafit, se jeton në një sistem të mbyllur brenda shkollës, ku mjafton kolektivi dhe Ministria, pa pasur nevojë për publikun e gjerë. Por duhet të dijë se qytetarët krijojnë opinionet e tyre, si në bazë subjektive, ashtu edhe sipas nivelit të informimit dhe shumë faktorëve të tjerë”, ka thënë ai.
Rezultatet e hulumtimit janë prezantuar nga Zeqarije Sulejmanoviq, bashkëpunëtore e MogUl-it.
Ndër çështjet kryesore të identifikuara nga hulumtimi janë: nevoja për zbatim më të fuqishëm të parimit të meritokracisë në përzgjedhjen e kuadrit drejtues; rëndësia e konkurseve transparente për punësimin e mësimdhënësve; domosdoshmëria e kritereve objektive në shpërndarjen e normave mësimore.
Hulumtimi gjithashtu thekson se një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve kërkon reforma që sigurojnë vlerësimin e arritjeve profesionale dhe kompetencave pedagogjike si faktorë kryesorë në sistem.
Ndërkaq, në drejtim të përmirësimit të cilësisë së arsimit, bazuar në rezultatet MogUL rekomandon: monitorim të vazhdueshëm të cilësisë së punës në bashkëpunim me ministrinë përkatëse; forcimin e rolit të këshillave shkollore dhe përfshirje më të madhe të prindërve në proceset mbikëqyrëse; trajnime shtesë për stafin arsimor në etikë dhe integritet profesional; promovimin e praktikave të mira dhe shpërblimin e rezultateve të shkëlqyera në mësimdhënie.
Hulumtimi është kryer në kuadër të programit “Shoqëria për luftë kundër korrupsionit në Mal të Zi”, të cilin MogUl e realizon në bashkëpunim me OJQ “Aleanca Qytetare” dhe Rrjetin Ballkanik të Gazetarëve Hulumtues (BIRN).

D. Teliqi

Të fundit

më të lexuarat