Zgjedhjet e reja parlamentare më 7 qershor 2026

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, e ka caktuar 7 qershorin 2026 për mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare.
“Pas vlerësimit të afateve kushtetuese, nevojave organizative të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe rëndësisë së pjesëmarrjes sa më të gjerë të qytetarëve në këtë proces, kam vendosur që zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës të mbahen më 7 qershor 2026”, ka thënë ajo në konferencën për media.
Zgjedhjet e reja parlamentare vijnë si pasojë e dështimit të zgjedhjes së presidentit brenda afatit kushtetues, gjë që rezultoi me shpërndarjen e legjislaturës së dhjetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të martën në mesnatë (28 prill 2026). Për rrjedhojë, zgjedhjet e reja duhet të mbahen brenda 45 ditësh.
Përpos krizës politike, pa kryetarin e shtetit, me një qeveri me kompetenca të kufizuara dhe Kuvend të shpërndarë, dështimi i zgjedhjes së presidentit do t’i kushtojë rëndë edhe xhepit të qytetarëve të Kosovës. Sipas vlerësimeve të KQZ-së, organizimi i zgjedhjeve të reja parlamentare do të kushtojë rreth 10 milionë euro, që nuk ishin parashikuar në buxhet pasi që 2026 nuk është vit i zgjedhjeve të rregullta.
Zgjedhjet e radhës do të jenë të tretat parlamentare dhe të pestat në përgjithësi në 16 muajt e fundit në Kosovë.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat