Komuna e Tuzit priti të mërkurën e kaluar (29 prill 2026) gjimnazistët nga Tuzi dhe Ulqini në një takim të veçantë, duke krijuar një hapësirë të hapur për dialog dhe bashkëbisedim me të rinjtë.
Takimi u zhvillua në kuadër të projektit “Të rinjtë liderë – nga ideja te ndikimi”, të cilin e zbaton OJQ “Horizonti i Ri” me mbështetjen e Ministrisë së Sportit dhe Rinisë së Malit të Zi.
Projekti synon nxitjen e pjesëmarrjes aktive të të rinjve në vendimmarrje, fuqizimin e kompetencave rinore dhe hartimin e politikave që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e tyre të përditshme.
Në hapje të aktivitetit, nënkryetari i Komunës së Tuzit, Fisnik Gjokaj, theksoi përkushtimin e vetëqeverisjes lokale për të bashkëpunuar dhe për t’u përfshirë në projekte që iu dedikohen të rinjve.
Sekretarja e Sekretariatit për Vetëqeverisje Lokale, Marina Ujkaj, prezantoi politikat rinore dhe përpjekjet konkrete të Komunës së Tuzit për përfshirjen e të rinjve në proceset shoqërore, duke ndarë edhe sfidat që hasen në praktikë.
Sekretari shtetëror në Ministrinë e Administratës Publike, Naim Gjokaj, ndau pikëpamjet e tij mbi mundësitë që kanë të rinjtë për t’u përfshirë në jetën publike dhe për të ndërtuar një karrierë të suksesshme, duke i inkurajuar ata të jenë aktivë në proceset inovative e zhvillimore.
Në vijim, përfaqësuesja e Zyrës Nacionale të Erasmus+ në Mal të Zi, Rina Muhaj, ndau përvojën e saj në projekte dhe iniciativa rinore, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes aktive të të rinjve në programe ndërkombëtare. Ajo veçoi përfitimet e këtyre programeve, si zhvillimi i aftësive profesionale e personale, zgjerimi i rrjeteve ndërkombëtare dhe mundësitë konkrete për angazhim në projekte që kontribuojnë në zhvillimin e komunitetit.
Të pranishmëve iu drejtuan edhe drejtori i shkollës së mesme “25 Maji” nga Tuzi, Sehad Lulanaj, si dhe ndihmësdrejtori i shkollës së mesme “Vëllazërim-Bashkim” nga Ulqini, Kujtim Suka, të cilët inkurajuan të rinjtë të përfshihen sa më shumë në programe që i fuqizojnë për t’u përballur me sfidat e integrimit.
Takimi u bë edhe më interaktiv përmes pyetjeve të drejtpërdrejta që të rinjtë parashtruan për zyrtarët publikë, duke marrë informacione të detajuara mbi temat e trajtuara dhe duke e bërë këtë seancë një përvojë të dobishme për ta.
(Kohapress)
