Unioni Demokratik i Shqiptarëve dënon me forcë çdo përpjekje që, përmes deklaratave politike dhe manipulimeve mediatike, synon të cenojë legjitimitetin e shtetit të Kosovës dhe njohjen e tij nga Mali i Zi.
Deklaratat që vijnë nga Millan Knezheviqi i konsiderojmë të papërgjegjshme, të motivuara politikisht dhe të dëmshme për stabilitetin rajonal. Çështja e Kosovës nuk mund dhe nuk duhet të përdoret si mjet presioni politik apo për përfitime të ulëta politike.
Theksojmë qartë: pavarësia e Kosovës dhe njohja e saj nga Mali i Zi janë mbështetur nga Unioni Demokratik i Shqiptarëve dhe kjo mbështetje mbetet e palëkundur. Çdo përpjekje për relativizimin e kësaj çështjeje përbën cenim të drejtpërdrejtë të vlerave të paqes, stabilitetit dhe respektit të ndërsjellë në rajon.
Ne do të kundërshtojmë vazhdimisht iniciativa të tilla dhe do të veprojmë, brenda mundësive tona politike, për ruajtjen e harmonisë multietnike dhe të tolerancës në Mal të Zi.
Nuk do të lejojmë përhapjen e dezinformatave dhe krijimin e një klime përçarëse përmes mediave. Ata që sot përpiqen të vënë në dyshim të drejtën e Kosovës, me vetëdije e shtyjnë rajonin drejt pasigurisë dhe paqëndrueshmërisë.
I bëjmë thirrje të gjithë aktorëve politikë përgjegjës që, në vend të retorikës nxitëse, të promovojnë gjuhën e tolerancës dhe harmonisë multietnike, duke u përkushtuar ndaj politikave që çojnë drejt bashkëpunimit dhe së ardhmes evropiane të Malit të Zi.
Unioni Demokratik i Shqiptarëve do të mbetet gjithmonë në anën e së vërtetës, drejtësisë dhe dinjitetit të popullit tonë.
Reagimi i UDSH-së vjen pas deklaratës së kryetarit dhe deputetit të Partisë Popullore Demokratike, Millan Knezheviq, i cili ka thënë se partia e tij do të iniciojë tërheqjen e vendimit të njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Mali i Zi. Ai ka paralajmëruar organizimin e një tubimi të madh, më 10 maj 2026, në të cilin do të kërkohet mbështetja e organeve partiake dhe aktivistëve të saj lidhur me këtë çështje.
Knezheviq dhe partia e tij janë të njohur për promovimin e politikës proserbe në Mal të Zi dhe afërsinë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
(Kohapress)
