Synim, avancimi i bashkëpunimit institucional dhe forcimi i politikavetë barazisë

Ulqin – Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, ka pritur të enjten (16 prill 2026) në takim pune ministrin për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave, Fatmir Gjeka, në kuadër të një vizite që synon avancimin e bashkëpunimit institucional dhe forcimin e politikave në fushën e të drejtave të njeriut dhe barazisë.
Në deklaratën për shtyp të zyrës së kryetarit të Komunës së Ulqinit thuhet se gjatë takimit u shqyrtuan çështjet kyçe që lidhen me zbatimin e politikave të barazisë, me theks të veçantë në parandalimin e diskriminimit dhe përmirësimin e pozitës së grupeve të cenueshme shoqërore.
“Në këtë kontekst, përmes një dialogu të hapur, duke përfshirë edhe organizimin e një tryeze të rrumbullakët mbi mbrojtjen nga diskriminimi, u shkëmbyen përvoja dhe u identifikuan prioritetet për veprim të mëtejshëm në këtë fushë”, thuhet në deklaratë.
Në vijim të vizitës, delegacioni i përbashkët vizitoi Qendrën Ditore për fëmijë dhe të rinj me pengesa dhe vështirësi në zhvillim “Sirena”, ku u theksua rëndësia e forcimit të shërbimeve sociale në nivel lokal përmes mbështetjes së vazhdueshme të institucioneve përkatëse.
Fokus i veçantë gjatë vizitës iu kushtua avancimit të politikave inkluzive dhe integrimit të komunitetit rom. Palët u dakorduan se është e domosdoshme të vendosen modele të qëndrueshme të punësimit dhe përfshirjes sociale, me theks në eliminimin e lypjes dhe përfshirjen aktive në tregun e punës, si hapa kyç për ruajtjen e dinjitetit njerëzor.
Gjatë diskutimeve u theksua gjithashtu rëndësia e zbatimit konsekuent të kornizës ligjore në fushën e mbrojtjes nga diskriminimi, si dhe nevoja për forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve institucionale.
Në kuadër të vizitës u realizua edhe takimi në shkollën fillore “Marshall Tito”, ku u theksua roli i sistemit arsimor në promovimin e barazisë, tolerancës dhe respektimit të të drejtave të njeriut.
U konstatua se avancimi i koordinimit ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal është me rëndësi thelbësore për zbatimin e politikave që do të rezultojnë me efekte konkrete dhe të matshme.
Palët kanë shprehur gatishmëri për vazhdimin e bashkëpunimit përmes realizimit të aktiviteteve të përbashkëta me qëllim forcimin e shtetit të së drejtës dhe kohezionit social në komunën e Ulqinit.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat