Ndau bursa për studentët shqiptarë në Malin e Zi

Në fjalën e rastit, përfaqësuesi i Fondit Humanitar “Trojet Tona”, Valdet Kurti nga Ulqini, bëri me dije se ky Fond me mbështetjen kryesore të Fondacionit “Lukaj” ndan bursa për 81 studentë shqiptarë nga trojet autoktone shqiptare në Malin e Zi, në vlerë totale prej 77 mijë euro (mbi 90 mijë dollarë)

Plavë – Për të gjashtin vit me radhë, Fondi Humanitar Shqiptaro-Amerikan “Trojet Tona” ndau bursa për studentët shqiptarë në Malin e Zi.
Këtë vit, misionin e vet fisnik, human e solidar, solemnisht e realizoi në Plavë, të shtunën, më 11 prill 2026, në restorantin e Hotelit “Cattleya”, ku ishin tubuar studentët shqiptarë nga trevat e komunave me popullatë shqiptare: Ulqini, Tivari, Tuzi, Rozhaja, Plava dhe Gucia, të cilët kryesisht studiojnë në fakultete të ndryshme të universiteteve të Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi.
Studentët i përshëndetën dhe u dëshiruan mirëseardhje dhe qëndrim të këndshëm përfaqësuesit dhe bashkëpunëtorët e Fondit Humanitar “Trojet Tona” në vendlindje – nikoqiri nga Martinajt e Gucisë, Shaban (Bajram) Prelvukaj, Vjollca Lika – Çobaj nga Ulqini dhe Haxhi Lajçi nga Rozhaja. Ata me të dhëna të bollshme me fjalë dhe shifra, shpalosën dhe reflektuan ndjenjat e veta mishëruese e shpirtërore për vlerat fisnike e humane të donatorëve, organizatave humane dhe fondacioneve shqiptare në diasporë që kanë dhënë kontributin e vet në të holla për t’i ndihmuar studentët me bursa.
Në këtë takim solemn, po ashtu edhe disa studentë (14 sish), në mënyrë dinjitoze dhe të emocionuar evokuan mbresat, përjetimet dhe ndodhitë e veta studentore me batica dhe zbatica të shumënumërta.
Të pranishmit në tubimin solemn, me ekzekutimin e dy valleve popullore shqiptare i argëtuan kursistët e kursit të gjuhës shqipe në Rozhajë.
Në fjalën e rastit, përfaqësuesi i Fondit Humanitar “Trojet Tona”, Valdet Kurti nga Ulqini, bëri me dije se ky Fond me mbështetjen kryesore të Fondacionit “Lukaj” ndan bursa për 81 studentë shqiptarë nga trojet autoktone shqiptare në Malin e Zi, në vlerë totale prej 77 mijë euro (mbi 90 mijë dollarë).
Ai në vazhdim theksoi se “ky akt bujar dhe fisnik përbën një dëshirë të qartë se investimi në arsim është investim për të ardhmen e kombit dhe ruajtjen e identitetit tonë kombëtar në trojet tona shekullore”, duke shtuar se “kjo nismë madhore u bë e mundur falë mbështetjes së shumë fondacioneve, organizatave humane dhe biznesmenëve atdhetarë, ndër të cilët veçohen: Lukaj Foundation (Viosa&Richard Lukaj) – 50% e fondeve, Hajdari Family (Margaret Hajdari) – 10%, Dina&Ahmet Kurmemaj – 5%, Fondacioni “Plavë e Guci” – 5%”.
Si donatorë të shumtë të Fondit “Trojet Tona” nga komuna e Gucisë veçohen vuthjanët Ismet e Qazim Dedushaj dhe Xhevat Goçaj, si dhe shumë atdhetarë të tjerë mërgimtarë në diasporë që kontribuojnë vazhdimisht për arsim dhe të ardhmen e rinisë shqiptare.
Për të gjithë të pranishmit, në restorant u shtrua drekë solemne, ndërsa pas ndarjes solemne të bursave studentët vizituan qytetin e Plavës dhe liqenin e tij, e më pas Gucinë, ku në veçanti një pjesë të gjatë të kohës ia kushtuan Krojeve të Ali Pashë Gucisë, ku u mahnitën me pamjet e tyre magjepsëse e mbresëlënëse.
Ndarja solemne e bursave studentëve shqiptarë në Plavë u përcoll mediatikisht nga ekipi i Radaksisë në gjuhën shqipe të RTMZ-së, televizioni lokal nga Istogu i Kosovës dhe korrespondenti i gazetës “Koha javore”.

Sh. Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat