Miratoi sërish ligjet e kthyera nga Presidenti për rishqyrtim

Kuvendi i Malit të Zi ka miratuar sërish të enjten (19 mars 2026) me 47 vota të shumicës qeverisëse Ligjin mbi Agjencinë për Sigurinë Kombëtare dhe ndryshimet e Ligjit mbi punët e brendshme, të cilat Presidenti i Malit të Zi Jakov Millatoviq nuk i ka dekretuar, duke ia kthyer Kuvendit për rishqyrtim.
Deputetët kanë rivotuar dhe miratuar edhe Ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes mbi bashkëpunim në fushën e energjitikës ndërmjet Qeverisë së Malit të Zi dhe asaj të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Ligji mbi Agjencinë për Sigurinë Kombëtare dhe ndryshimet e Ligjit për punët e brendshme janë miratuar fillimisht më 6 mars 2026, por Presidenti i Malit të Zi nuk i kishte dekretuar me arsyetimin se nuk janë në përputhje me parimet juridike të Bashkimit Evropian, por as me legjislacionin e Malit të Zi.
Miratimi i këtyre ligjeve kishte ngjallur reagime të ashpra të opozitës parlamentare dhe të përfaqësuesve të sektorit joqeveritar në Malin e Zi. Ata i janë referuar qëndrimit të Komisionit Evropian, sipas të cilit këto ligje nuk janë në harmoni me legjislacionin e BE-së, dhe se Mali i Zi duhet t’i ndryshojë dispozitat ligjore kontestuese para përfundimit të bisedimeve për anëtarësim.
Kritikat ndaj Ligjit mbi Agjencinë për Sigurinë Kombëtare bazohen në faktin se ky ligj lejon keqpërdorimin e të dhënave personale dhe se nuk është në përputhje me Rregulloren e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave Personale të Bashkimit Evropian (GDPR).
Kur bëhet fjalë për ndryshimet në Ligjin për punët e brendshme, ekspertët dhe opozita pretendojnë se ai shkel dispozitat kushtetuese në fushën e së drejtës për mbrojtje dhe prezumimit të pafajësisë.
Në anën tjetër, nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Qeveria e Malit të Zi si propozuese e këtyre ligjeve kanë theksuar se ato janë të domosdoshme për mbylljen e kapitullit 24 në negociatat për anëtarësim në BE. Lidhur me kritikat e Komisionit Evropian, Qeveria e Malit të Zi është shprehur se ato lënë hapësirë që dispozitat kontestuese të harmonizohen më vonë me standardet e BE-së.
Qeveria e Malit të Zi ka premtuar se deri në fund të vitit do t’i mbyllë të gjithë kapitujt në procesin e anëtarësimit në BE, por deri tani megjithëse i ka hapur të gjithë kapitujt, vetëm 13 prej tyre janë mbyllur përkohësisht.

(Kohapress/REL)

Të fundit

më të lexuarat