Projekt ndërkufitar që mbështet bizneset e vogla në Ulqin dhe Shkodër

Përmes trajnimeve, mentorimit dhe mbështetjes financiare, projekti synon të krijojë një mjedis më të favorshëm për zhvillimin e sipërmarrjes së grave në rajonin ndërkufitar, duke kontribuuar njëkohësisht në zhvillimin ekonomik dhe social të komuniteteve lokale në Mal të Zi dhe Shqipëri

Në një kohë kur fuqizimi ekonomik i grave po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për zhvillimin e qëndrueshëm të komuniteteve lokale, një projekt ndërkufitar mes Ulqinit dhe Shkodrës synon të hapë rrugë të reja për gratë që duan të zhvillojnë bizneset e tyre.
Projekti “Zhvillimi i minisipërmarrjeve të grave në zonën ndërkufitare” po zbatohet nga Komuna e Ulqinit si partner kryesor, në bashkëpunim me organizatën Monitoring Group Ulqinj (MogUl) dhe partnerin nga Shqipëria, CODE – Consulting and Development Partners.
Projekti financohet nga Bashkimi Evropian në kuadër të programeve të bashkëpunimit ndërkufitar, ndërsa bashkëfinancohet nga Ministria e Zhvillimit Rajonal-Investues dhe Bashkëpunimit me OJQ-të e Malit të Zi. Kohëzgjatja e projektit është 24 muaj, duke filluar më 1 janar 2025 dhe përfunduar më 31 dhjetor 2026, dhe synon të mbështesë zhvillimin e bizneseve të vogla të drejtuara nga gratë në rajonin ndërkufitar.
Të dhënat mbi zhvillimin e projektit dhe aktivitetet e realizuara deri më tani, na i bëri të ditura Vjollca Lika – Çobaj, përfaqësuese e MogUl-it, e cila thekson rëndësinë e kësaj iniciative për fuqizimin ekonomik të grave në rajon.

Një mundësi e re për gratë sipërmarrëse
Që në fazat e para të projektit, interesimi i grave për t’u përfshirë në këtë iniciativë ka qenë i madh. Në thirrjen e hapur për regjistrim u paraqitën 36 gra, të cilat u përfshinë në një program të strukturuar trajnimi me synim zhvillimin e aftësive sipërmarrëse.
Sipas Vjollca Lika – Çobajt, programi i trajnimit ka zgjatur gjashtë muaj dhe është organizuar në dy module kryesore, secili me nga tetë ditë trajnim intensiv.
“Moduli i parë ka qenë i fokusuar në menaxhimin e biznesit dhe zbutjen e risqeve, ndërsa moduli i dytë është përqendruar në qëndrimet dhe vlerat sipërmarrëse, marketingun dhe shitjen elektronike, me qëllim që pjesëmarrëset të fitojnë njohuri praktike për zhvillimin dhe promovimin e bizneseve të tyre”, shpjegon ajo.
Në një kohë kur tregtia online po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme, pjesëmarrëset patën mundësi të njihen me strategjitë e marketingut digjital dhe mënyrat për të zgjeruar tregun për produktet e tyre.

Nga ideja e biznesit drejt realizimit
Pas përfundimit të programit të trajnimit, projekti hyri në fazën e dytë – atë të skemës së granteve, e cila synon të mbështesë financiarisht idetë më të mira të biznesit.
Në fazën e parë të kësaj skeme, gratë konkurruan me ide biznesi. Nga 19 ide të paraqitura, një komision vlerësues përzgjodhi 14 ide që kaluan në fazën e dytë.
“Për momentin gratë e përzgjedhura janë duke punuar në hartimin e planeve të biznesit, në bashkëpunim me ekspertë dhe mentorë të projektit. Faza e dytë e aplikimit pritet të mbyllet në fund të këtij muaji”, thekson Vjollca Lika – Çobaj.
Në përfundim të këtij procesi pritet të mbështeten nga gjashtë deri në dhjetë gra, të cilat do të përfitojnë grante financiare nga 3000 deri në 5000 euro për zhvillimin ose zgjerimin e bizneseve të tyre. Në total, projekti ka në dispozicion 30 000 euro për këtë skemë mbështetëse.

Biznese të reja dhe zhvillim rural
Sipas organizatorëve, përzgjedhja e projekteve do të synojë një balancë mes bizneseve ekzistuese dhe start-up-eve të reja. Kjo do të thotë se një pjesë e granteve do të mbështesin gratë që tashmë kanë një aktivitet ekonomik dhe duan ta zhvillojnë më tej, ndërsa pjesa tjetër do të shkojë për gratë që duan të nisin biznesin e tyre për herë të parë.
“Fokus i veçantë i është dhënë ideve që lidhen me bujqësinë, zhvillimin rural, turizmin rural, bujtinat familjare dhe aktivitetet artizanale, pasi këto sektorë kanë potencial të madh për zhvillimin ekonomik të rajonit”, shprehet Vjollca Lika – Çobaj.
Në zonat rurale të Ulqinit dhe Shkodrës, shumë gra janë të angazhuara në prodhimin e produkteve tradicionale, artizanatin dhe aktivitetet bujqësore, por shpesh iu mungon mbështetja financiare dhe njohuritë për ta kthyer këtë aktivitet në një biznes të qëndrueshëm.

Bashkëpunim përtej kufirit
Përveç mbështetjes financiare, projekti synon të krijojë edhe një rrjet bashkëpunimi ndërmjet grave sipërmarrëse nga Ulqini dhe Shkodra.
Në kuadër të aktiviteteve të ardhshme parashikohen vizita studimore të përbashkëta, ku gratë nga të dyja anët e kufirit do të kenë mundësi të shkëmbejnë përvoja dhe të mësojnë nga praktikat e suksesshme të njëra-tjetrës.
Një tjetër aktivitet i rëndësishëm do të jetë organizimi i mbrëmjeve të donatorëve, ku do të prezantohen idetë e biznesit të grave që nuk përfitojnë grant nga projekti.
“Përmes këtyre aktiviteteve synojmë jo vetëm të mbështesim financiarisht gratë sipërmarrëse, por edhe të krijojmë një rrjet bashkëpunimi dhe promovimi për produktet dhe shërbimet e tyre”, thekson Vjollca Lika – Çobaj.
Gjithashtu, projekti parashikon edhe panaire të përbashkëta ndërkufitare, ku do të promovohen produktet dhe shërbimet e bizneseve të drejtuara nga gratë në të dy vendet.

Fuqizimi ekonomik i grave
Projekte të tilla vlerësohen si një hap i rëndësishëm drejt fuqizimit ekonomik të grave dhe zhvillimit të ekonomisë lokale. Për shumë pjesëmarrëse, kjo iniciativë përfaqëson një mundësi reale për të realizuar idetë e tyre dhe për të ndërtuar një biznes të qëndrueshëm.
Përmes trajnimeve, mentorimit dhe mbështetjes financiare, projekti synon të krijojë një mjedis më të favorshëm për zhvillimin e sipërmarrjes së grave në rajonin ndërkufitar, duke kontribuuar njëkohësisht në zhvillimin ekonomik dhe social të komuniteteve lokale në Mal të Zi dhe Shqipëri.

D. Teliqi

Të fundit

më të lexuarat