Me një panair të ushqimeve tradicionale dhe program muzikor, u shënua të dielën, më 8 mars 2026, Dita Ndërkombëtare e Gruas, në Sheshin “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” në Tuz, në të cilin morën pjesë me produktet e tyre dhjetë afariste.
Për të njohur lexuesit se çfarë ndikimi konkret kanë aktivitetet e këtilla në jetën dhe bizneset e grave afariste në komunë, biseduam me drejtorin e Organizatës Turistike të Tuzit, Alen Gjokaj.
Ai për gazetën “Koha javore” u shpreh se këto aktivitete, të organizuara me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas në Tuz, përveçse një rëndësi simbolike, kanë edhe rëndësi praktike për gratë afariste.
“Përmes panaireve dhe aktiviteteve publike, gratë kanë mundësi të prezantojnë produktet dhe shërbimet e tyre, të fitojnë më shumë dukshmëri dhe të krijojnë kontakte të reja biznesi. Këto ngjarje gjithashtu shërbejnë si motivim për gra të tjera që të ndërmarrin hapa drejt sipërmarrjes. Në këtë mënyrë, përveç atmosferës festive, ato kontribuojnë në forcimin e rolit ekonomik të grave në komunitet”, thotë Gjokaj.
Në përgjigje të pyetjes se nëse ky aktivitet është një festë për 8 Marsin apo pjesë e një strategjie më të gjerë për të adresuar sfidat reale të grave sipërmarrëse, ai thekson se aktiviteti, para së gjithash, është moment simbolik dhe festiv, “por njëkohësisht mund të shihet edhe si pjesë e një qasjeje më të gjerë për t’i mbështetur gratë sipërmarrëse”.
“Panaire dhe aktivitete të tilla”, shton ai, “krijojnë hapësirë për promovimin e bizneseve të grave, për rrjetëzim dhe për rritjen e ndërgjegjësimit në komunitet për rolin e tyre në ekonomi”.
Megjithatë, Gjokaj shprehet se për të adresuar realisht sfidat me të cilat përballen gratë në sipërmarrje, këto iniciativa duhen të shoqërohen edhe me politika dhe programe konkrete mbështetëse.
“Festa është një rast i mirë për të promovuar dhe për të reflektuar, por ndikimi i qëndrueshëm vjen kur aktivitete të tilla lidhen me masa afatgjata për fuqizimin ekonomik të grave”, shprehet drejtori i OTT-së, Alen Gjokaj.
I pyetur se sa është numri i grave afariste që marrin pjesë në aktivitete të ngjashme dhe çfarë mbështetjeje konkrete iu ofron Organizata Turistike gjatë vitit, drejtori i kësaj organizate thekson se këtë vit nga Komuna e Tuzit iu përgjigjen thirrjes publike dhjetë afariste me produktet e tyre.
“Por, gjithashtu edhe grupi i Kryqit të Kuq nga Tuzi dhe një klasë nga kopshti ‘Nënë Tereza’, që për këtë ditë përgatitën dhurata të veçanta me rastin e kësaj feste. Organizata Turistike çdo herë përkrah afaristet tona në organizimin e hapësirave, promovimin e produkteve të tyre, por edhe përkrahjen dhe paraqitjen e të njëjtave në panaire të ngjashme, edhe jashtë komunës sonë”, thotë Gjokaj.
Panairi i sivjetmë u konceptua si aktivitet me ëmbëlsira, dhurata dhe performancë muzikore. Se pse u zgjodh pikërisht ky format dhe jo një nismë që trajton më drejtpërdrejt problemet dhe nevojat reale të grave afariste në Tuz, drejtori i OTT-së, Alen Gjokaj, thotë se formati i tillë erdhi nga ideja që përmes një atmosfere festive, me ëmbëlsira, dhurata dhe program muzikor, të tërhiqet sa më shumë publik dhe kështu t’u jepet hapësirë grave afariste që të prezantojnë dhe promovojnë produktet e tyre.
“Çështjet më specifike që lidhen me sfidat dhe problemet reale të grave afariste në Tuz, mbetet që të merren ndoshta më konkretisht institucionet e tjera, meqenëse këtë aktivitet festiv e organizuam ne si Organizatë Turistike në bashkëpunim me QKI ‘Malësia’”, thotë Gjokaj.
Kujtojmë se Dita Ndërkombëtare e Gruas, e cila u vendos në Kopenhagë që të shënohej për herë të parë më 8 mars 1911, nderon arritjet sociale, ekonomike dhe politike të grave dhe përkujton përpjekjet e tyre për paqe, barazi dhe drejtësi, pavarësisht përkatësive apo dallimeve.
Sot, pas më shumë se një shekulli, përveç karakterit simbolik, kjo ditë ofron mundësi për të promovuar dhe fuqizuar rolin dhe kontributin e grave në shoqëri.
t. u.
