U diskutua për mundësitë e avancimit të marrëdhënieve ndërshtetërore

Nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Nikollë Camaj, ka qëndruar në Prishtinë me rastin e shënimit të 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, me ç’rast ka pasur një varg takimesh me përfaqësues të pushtetit legjislativ, lokal, institucioneve shkencore, si dhe me studentët shqiptarë nga Mali i Zi të cilët studiojnë në Kosovë.
Ai është pritur nga kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu.
Në deklaratën për shtyp të zyrës së kryeparlamentares së Kosovës thuhet se në takim është diskutuar për marrëdhëniet e ngushta që ekzistojnë midis dy vendeve dhe për mundësitë e avancimit të mëtejmë të tyre, sidomos në rrafshin parlamentar.
Kryetarja Haxhiu e njohu Camajn me procesin e krijimit dhe konsolidimit të institucioneve të reja në Kosovë, të dala nga zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025 dhe me përkushtimin e tyre për forcimin e rendit demokratik, sundimit të ligjit dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik e social të vendit.
Nga ana tjetër, Camaj e ka uruar kryetaren Haxhiu për përvjetorin e pavarësisë së Kosovës dhe për detyrën e saj të re në krye të Kuvendit të Kosovës.
Ai ka theksuar përkushtimin e Malit të Zi për thellimin e bashkëpunimit midis dy vendeve, në frymën e bashkëpunimit e të miqësisë, si dhe konfirmoi mbështjen për procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe në NATO.
Camaj dhe Haxhiu kanë diskutuar gjithashtu për mundësitë e avancimit të marrëdhënieve midis dy parlamenteve, nëpërmjet shkëmbimit të përvojave dhe praktikave më të mira legjislative, përfshirë këtu grupet e miqësisë, si një instrument i rëndësishëm i bashkëpunimit parlamentar.
Gjatë vizitës në Kosovë, nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Nikollë Camaj ka zhvilluar takime edhe me kryetaren e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Justina Shiroka – Pula, të cilën e ka njohur me nismën për themelimin e Institutit Albanologjik në Mal të Zi, si një institucion të rëndësishëm për ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit shqiptar në Malin e Zi.
Ai po ashtu është pritur nga kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka biseduar me një grup të studentëve shqiptarë nga Mali i Zi që studiojnë në Kosovë, si dhe ka pasur takime joformale me zyrtarë shtetërorë të Republikës së Kosovës dhe përfaqësues të korit diplomatik.
I pranishëm në këto takime ka qenë edhe ambasadori i Malit të Zi në Prishtinë, Bernard Çobaj.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat