Prania gjithnjë në rritje e qenve endacakë në hapësirat publike, një fenomen i shfaqur në shumë qytete, përfshirë edhe Tuzin, ka ngjallur shqetësime te qytetarët, ndërsa në këtë komunë nuk ka ende një strehimore për këtë popullatë.
Rasti i para pak ditëve nxjerr në pah praninë e qenve endacakë dhe rreziqet për qytetarët, duke treguar nevojën për vëmendje dhe koordinim institucional.
Siç shprehet për “Kohën javore” qytetari Mark Dukaj, një tufë qensh endacakë hynë me agresivitet dhe i sulmuan qentë e tyre, të cilët ishin në mbrojtje të fëmijëve të tyre brenda oborrit të shtëpisë që ndodhet në një lagje të urbanizuar në Tuz, dhe si pasojë e plagëve të marra, qeni i tyre i vogël nuk arriti t’u mbijetojë plagëve.
“Ishte një skenë tronditëse dhe shumë e dhimbshme. Brenda pak çastesh humbëm një anëtar të familjes. Askush nuk duhet ta përjetojë një tmerr të tillë në oborrin e vet.
Nuk dua as të mendoj që kjo mund t’i ndodhte njërit nga shumë fëmijët që kemi në lagje. Andaj jemi shumë të mërzitur dhe të zemëruar nga ky rast”, shprehet Dukaj.
Ai thotë se familja e tyre është ende e tronditur dhe se frika në sytë e fëmijëve është ajo që dhemb më shumë.
“Për fëmijët tanë ishte një traumë e vërtetë. Oborri ku ata luajnë çdo ditë, ku ndiheshin të sigurt, u kthye në një vend frike. Ata panë dhimbje, panë humbje, panë dhunë. Frika në sytë e tyre është ajo që më dhemb më shumë. Nuk është e lehtë t’u shpjegosh fëmijëve një situatë të tillë”, thekson Dukaj, duke shtuar se ky rast nuk është një problem i bezdisjes apo frikës, por një çështje sigurie dhe jete.
Qytetari dhe pronari që humbi qenin sqaron se kjo nuk është hera e parë që në lagjen e tyre dhe përreth, banorët ballafaqohen me qentë e rrugëve dhe me sulme të ndryshme.
“Kemi raportuar disa herë, si inspeksionit komunal, azilit të Podgoricës dhe Komunës së Tuzit, por nuk ka pasur asnjë reagim lidhur me këtë”, thotë Dukaj.
Ai më tej jep këtë mesazh për pronarët e qenve dhe për institucionet kompetente.
“Kjo situatë duhet të ndryshojë urgjentisht. Nuk mund të presim që të ndodhë një tragjedi më e madhe, ndoshta me njerëz, për të vepruar. Institucionet duhet të marrin përgjegjësi reale, jo vetëm premtime. Ndërsa pronarët që i lëshojnë qentë pa kontroll duhet të kuptojnë se papërgjegjshmëria e tyre ka pasoja të rënda. Sot ishte qeni im. Nesër mund të jetë një fëmijë. Heshtja dhe neglizhenca nuk janë më të pranueshme”, thekson Dukaj.
Lidhur me këtë dukuri shqetësuese, “Koha javore” komunikoi me Shoqërinë me Përgjegjësi të Kufizuar “Komunale” në Tuz për të mësuar se cilat janë konkretisht kompetencat dhe detyrimet e saj lidhur me praninë e qenve endacakë në hapësira publike.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit, Albian Sinishtaj, shprehet se institucioni që ai drejton ka kompetenca në pjesën e menaxhimit operacional të rasteve të qenve endacakë në hapësira publike, në kuadër të veprimtarisë së strehimit të kafshëve të braktisura.
“SHPK ‘Komunale’ nuk ka kompetenca represive apo inspektuese, dhe as nuk ka në dispozicion azil (strehimore) për kafshë, i cili do të shërbente për territorin e komunës sonë, por kompetenca jonë mbetet në ndërmarrjen e masave operacionale duke shfrytëzuar bashkëpunimin ndërinstitucional me organet dhe shërbimet në nivel lokal, por edhe me strehimoret publike dhe private, krejt kjo me qëllim të mbajtjes nën kontroll të numrit të qenve endacakë”, thotë ai.
Duke qenë se komuna e Tuzit nuk disponon ende kapacitete strehimi, ne pyetëm drejtorin e SHPK “Komunale” se si realizohet reagimi në terren pas raportimeve dhe me cilat institucione bashkëpunojnë në raste të tilla.
Sinishtaj shprehet se reagimi në terren realizohet vetëm përmes bashkëpunimit institucional, kryesisht me Policinë Komunale (për raste me rrezik të shtuar për qytetarët), Komunën e Tuzit si njësi përgjegjëse për politikat lokale, si dhe me strehimoret e autorizuara dhe shërbimet veterinare, në përputhje me mundësitë reale.
“Në periudhën e fundit ka munguar përkrahja nga strehimoret me të cilat më herët kemi pasur bashkëpunim, sepse sipas informacioneve që kemi kapacitetet e tyre janë të mbushura. Duke parë situatën, në njërën anë kemi kryeqytetin ku strehimoret i kanë kapacitetet e tejmbushura, në anën tjetër kemi komuna që nuk disponojnë me strehimore (sikur ne), prandaj është e dukshme se kjo problematikë duhet të gjejë zgjidhje në nivel rajonal dhe shtetëror dhe ketë e themi me plot bindje, sepse edhe po të kishim strehimore, duke parë nga një kontekst më i gjerë, kapacitetet e saj do të mbusheshin brenda një kohe shumë të shkurtër dhe do të shkaktonte që as kjo strehimore (që do të duhej ta kishim) nuk do ta kryente funksionin e vet”, thotë Sinishtaj.
Sipas tij, një pjesë të madhe të fajit e kanë edhe qytetarët që i braktisin kafshët apo i lirojnë të qarkullojnë lirshëm nëpër rrugë.
“Çfarë nënkupton moszbatim të normave lidhur me mbajtjen e kafshëve shtëpiake (Ligjin mbi mbrojtjen e mirëqenies së kafshëve dhe Vendimin e rendit komunal). Prandaj, vetëm me një qasje gjithëpërfshirëse (në të gjitha nivelet) mund të gjendet zgjidhje afatgjatë”, thekson Sinishtaj.
Në përgjigje të pyetjes sonë se a ka pasur raportime nga qytetarët lidhur me praninë e qenve endacakë dhe çfarë masash konkrete po ndërmerr aktualisht SHPK “Komunale” për t’i menaxhuar këto raste dhe për të garantuar sigurinë në hapësirat publike, ushtruesi i detyrës së kësaj ndërmarrjeje thotë se kanë pranuar një numër të shtuar raportimesh nga qytetarët lidhur me praninë e qenve endacakë, përfshirë edhe raste të sjelljes agresive ose situata të raportuara si potencialisht të rrezikshme.
“Në këtë kontekst, aktualisht çdo rast i raportuar evidentohet dhe analizohet individualisht. Për rastet me rrezik të shtuar, njoftohen menjëherë organet kompetente, në mënyrë që reagimi të jetë sa më i shpejtë dhe i koordinuar. Njëkohësisht, po punohet në drejtim të përmirësimit të mekanizmit institucional për menaxhimin e kësaj problematike, e cila kërkon zgjidhje sistemore dhe afatgjate. Kjo, në nivel komunal, nënkupton krijimin e kushteve infrastrukturore, si dhe hartimin dhe miratimin e Programit lokal për kontrollin e popullatës së qenve”, shprehet ai.
“Çështja e qenve endacakë”, thotë Sinishtaj, “nuk është problem që mund të zgjidhet nga një subjekt i vetëm, por kërkon qasje të koordinuar, mbështetje institucionale, kapacitete infrastrukturore dhe përfshirje të përgjegjshme të të gjithë aktorëve”.
Në fund të këtij prononcimi, ushtruesi i detyrës së drejtorit të SHPK “Komunale”, Albian Sinishtaj, apelon te të gjithë qytetarët që rastet e qenve endacakë, veçanërisht ato me rrezik për sigurinë publike, t’ia raportojnë fillimisht Policisë Komunale, në mënyrë që veprimet të jenë të koordinuara dhe efektive.
“Njëkohësisht, të mos i ushqejnë ata në afërsi të shkollave apo institucioneve ku ka frekuentim të lartë, por të kenë edhe kujdes të shtuar deri që të bëhet një zgjidhje.
SHPK ‘Komunale’ mbetet në dispozicion për bashkëpunim dhe veprim në kuadër të kompetencave dhe mundësive operacionale të saj”, thotë Sinishtaj.
Kohët e fundit, prania e qenve endacakë është bërë më e dukshme në territorin e komunës së Tuzit, në afërsi të shkollave, shtëpive të banimit dhe zonave ku qytetarët lëvizin në këmbë, ndaj qytetarët duhet të jenë vigjilentë.
T. Ujkaj
