Prokuroria Speciale ka kërkuar nga 45 vjet burgim apo në total 180 vjet për katër ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – ish-presidentin Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli, si dhe ish-deputetin Rexhep Selimi, në procesin gjyqësor që po zhvillohet kundër tyre në Gjykatën Speciale në Hagë.
Këtë kërkesë në emër të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) në Hagë e ka bërë kryeprokurorja Kimberly West, të hënën (9 shkurt 2026), në ditën e parë të deklaratave përmbyllëse të palëve dhe përfaqësuesve të tyre.
Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për të cilat të katërtit janë deklaruar të pafajshëm.
Krimet pretendohet se janë kryer midis muajit mars të vitit 1998 dhe shtatorit të vitit pasues në disa lokacione në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë.
Prokurorët përmendën qendrat e ndalimit të UÇK-së, ku pretenduan se aty u keqtrajtuan dhe vranë shqiptarë, serbë, e persona të nacionaliteteve të tjera, që thuhet se shiheshin si kolaboracionistë nga UÇK-ja.
Kërkesa e ZPS-së për dënimin e ish-udhëheqësve të UÇK-së ka ngjallur reagime të shumta në Kosovë, nga përfaqësues të institucioneve shtetërore, partive politike, organizatave të veteranëve të luftës, shoqëria civile etj.
Pas ZPS-së, fjalën përmbyllëse e patën edhe mbrojtësit e viktimave dhe ekipet mbrojtëse, duke i hedhur poshtë si të pabaza akuzat ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Pas kësaj, çështja do të kalojë te trupi gjykues. Gjykatësit kanë tre muaj kohë që të marrin një vendim për çështjen, ose të kërkojnë zgjatjen e afatit për marrjen e vendimit.
(Kohapress/REL)
