Me rastin e Ditës Botërore të Ligatinave, e cila tradicionalisht shënohet më 2 shkurt, në Kriporen e Ulqinit u organizua një aktivitet i pasur edukativ dhe ndërgjegjësues, në përputhje me temën globale të këtij viti: “Ligatinat dhe dijet tradicionale: festimi i trashëgimisë kulturore”.
Aktiviteti u organizua nga Shoqata Dr. Martin Schneider-Jacoby (MSJA) dhe mblodhi përfaqësues institucionesh, organizatash të shoqërisë civile, nxënës, qytetarë dhe dashamirës të shumtë të natyrës.
Me një program të kombinuar në terren dhe në ambientet e muzeut të Kripores, aktiviteti kishte për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e ligatinave, rolin e tyre në ruajtjen e biodiversitetit, trashëgiminë kulturore dhe nevojën për menaxhim të qëndrueshëm të burimeve natyrore.
Ligatinat – pasuri jetike globale
Dita Botërore e Ligatinave lidhet me 2 shkurtin e vitit 1971, kur në qytetin Ramsar të Iranit u nënshkrua Konventa e Ramsarit, një marrëveshje ndërkombëtare që i obligon shtetet nënshkruese të ruajnë dhe përdorin në mënyrë të qëndrueshme ligatinat në territoret e tyre. Sot, kjo ditë shënohet në mbarë botën për të rikujtuar se ligatinat janë ndër ekosistemet më të rrezikuara, por edhe ndër më të vlefshmet për jetën në Tokë.
Mali i Zi është pjesë e kësaj konvente dhe aktualisht ka tri ligatina me rëndësi ndërkombëtare, të regjistruara në Listën e Ramsarit: Parkun Kombëtar të Liqenit të Shkodrës, Solilat e Tivatit dhe Kriporen e Ulqinit, e cila konsiderohet një nga zonat më të rëndësishme ligatinore në Adriatik dhe më gjerë.
Sipas të dhënave ndërkombëtare, rreth një në tetë njerëz në botë siguron jetesën nga ligatinat, të cilat ofrojnë ushqim, ujë, transport dhe hapësira rekreative. Po ashtu, këto ekosisteme kontribuojnë në mirëqenien mendore dhe mbrojnë rreth 60 për qind të popullsisë botërore përgjatë brigjeve nga stuhitë, uraganet dhe cunamet.
Program i pasur në Kriporen e Ulqinit
MSJA vendosi që aktiviteti të mbahej të dielën, më 1 shkurt 2026, në mënyrë që sa më shumë qytetarë të kishin mundësi të marrin pjesë. Programi nisi në orët e paradites, nën një shi të lehtë, i cili, sipas organizatorëve, nuk e zbehu aspak entuziazmin e pjesëmarrësve.
“Programi i shënimit të Ditës Botërore të Ligatinave filloi në mëngjes, me reshje të lehta shiu që nuk i penguan pjesëmarrësit. Falë çadrave praktike të siguruara nga Zyra për Projekte të BE-së e Komunës së Ulqinit, pjesëmarrësit u nisën me energji, kuriozitet dhe humor të mirë drejt vizitës në terren dhe vrojtimit të shpendëve”, thuhet në njoftimin e MSJA-së.
Që në fillim të vizitës, pjesëmarrësit u përballën me një pamje mbresëlënëse – tufa të mëdha flamingosh, të cilët ishin të pranishëm pothuajse në çdo basen të Parkut të Natyrës “Kriporja e Ulqinit”, duke dëshmuar edhe një herë biodiversitetin e jashtëzakonshëm të kësaj zone.
Pjesa e terrenit u udhëhoq nga Artan Lika, udhërrëfyes i licencuar për vrojtimin e shpendëve nga Reborn by Adventure, i cili, së bashku me bashkëpunëtorët e MSJA-së i njohu pjesëmarrësit më nga afër me pasurinë ornitologjike të Kripores – një nga habitatet më të rëndësishme të shpendëve ujorë në rajon.
Trashëgimia kulturore dhe planet për të ardhmen
Pas vizitës në terren, pjesëmarrësit u transferuan me transport të organizuar në muzeun e Kripores, ku u prezantua një ekspozitë fotografike kushtuar trashëgimisë industriale, si kujtesë e rolit historik, ekonomik dhe shoqëror që Kriporja ka pasur ndër dekada.
Në vijim, MSJA prezantoi aktivitetet e deritanishme dhe planet për vitin 2026, me theks të veçantë në ruajtjen e vlerave natyrore dhe kulturore të kësaj hapësire, si dhe përfshirjen aktive të komunitetit lokal.
Interes të veçantë ngjalli edhe një kuiz interaktiv i shpejtë, ku pjesëmarrësit, përmes pajisjeve mobile, iu përgjigjën pyetjeve rreth Kripores së Ulqinit, biodiversitetit, historisë dhe rëndësisë së saj, duke e kthyer procesin e të mësuarit në një përvojë argëtuese dhe gjithëpërfshirëse.
Kriporja – ligatinë me rëndësi ndërkombëtare
Kryetarja e Shoqatës MSJA, Zenepa Lika, theksoi rëndësinë e veçantë që Kriporja e Ulqinit ka në nivel rajonal dhe evropian.
“Kriporja e Ulqinit është një nga shembujt më të spikatur të ligatinave me vlera të jashtëzakonshme ekologjike në rajon. Ajo u përfshi në Listën e Ramsarit në vitin 2019, duke u njohur zyrtarisht si ligatinë me rëndësi ndërkombëtare, për shkak të biodiversitetit të pasur dhe rolit të saj kyç për shpendët migratorë”, ka thënë ajo.
Lika shtoi se kjo zonë shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 1477 hektarësh dhe për dekada ka shërbyer si habitat jetik për qindra mijëra shpendë, veçanërisht gjatë migrimeve sezonale nga Evropa Veriore dhe Lindore drejt Afrikës.
“Përveç vlerave natyrore, Kriporja e Ulqinit mbart edhe një trashëgimi të pasur kulturore dhe tradicionale, të lidhur me prodhimin e kripës dhe bashkëjetesën shekullore të njeriut me natyrën. Kjo e bën atë një shembull të qartë të temës së sivjetme të Ditës Botërore të Ligatinave, ku dija tradicionale dhe mbrojtja e natyrës ndërthuren në mënyrë të qëndrueshme”, theksoi ajo.
Pjesëmarrje e gjerë dhe mesazh i qartë
Ngjarja u ndoq nga zëvendësshefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian, Riccardo Serri, përfaqësues të Ministrisë së Ekologjisë, Komunës së Ulqinit, Organizatës Turistike të Ulqinit, sektorit joqeveritar, nxënës të Shkollës së mesme “Vëllazërim-Bashkim”, si dhe qytetarë të shumtë.
Nga MSJA shprehën kënaqësi për interesimin e madh dhe falënderuan të gjithë partnerët, veçanërisht Reborn by Adventure dhe Zyrën për Projekte të BE-së të Komunës së Ulqinit, për mbështetjen dhe bashkëpunimin.
Në një kohë kur ligatinat po zhduken tri herë më shpejt se pyjet, aktiviteti në Kriporen e Ulqinit u vlerësua si një shembull i qartë i përkushtimit të komunitetit lokal për ruajtjen e këtij thesari natyror, që mbetet një nga pasuritë më të çmuara ekologjike dhe kulturore të Malit të Zi.
D. Teliqi
