Donacion për fëmijët me nevoja të veçanta në Ulqin dhe rrethinë

Përmes Fondit Humanitar Shqiptaro-Amerikan “Trojet Tona”, Dina dhe Ahmet Kurmemaj realizoi një donacion me vlerë mbi 40 mijë euro, i dedikuar për më shumë se 80 fëmijë dhe të rinj deri në moshën 18 vjeç, me pengesa dhe vështirësi në zhvillim, nga komunat e Ulqinit, Plavës, Gucisë, Tuzit, Rozhajës dhe Tivarit (Krajës)

Në prag të ndërrimit të moteve, solidariteti dhe humanizmi u shndërruan në mesazhin më të fuqishëm të bashkimit dhe shpresës për dhjetëra familje në Ulqin dhe rrethinë. Përmes Fondit Humanitar Shqiptaro-Amerikan “Trojet Tona”, Dina dhe Ahmet Kurmemaj realizoi një donacion me vlerë mbi 40 mijë euro, i dedikuar për më shumë se 80 fëmijë dhe të rinj deri në moshën 18 vjeç, me pengesa dhe vështirësi në zhvillim, nga komunat e Ulqinit, Plavës, Gucisë, Tuzit, Rozhajës dhe Tivarit (Krajës).
Me rastin e dhurimit të këtij donacioni në Qendrën Ditore “Sirena” në Ulqin, në fjalën e rastit përfaqësuesja e Fondit Humanitar “Trojet Tona” në Ulqin, Vjollca Lika – Çobaj theksoi rëndësinë e solidaritetit, fuqizimit të komunitetit dhe mbështetjes së vazhdueshme për fëmijët me nevoja të veçanta dhe familjet e tyre.
Ajo ka thënë se ky është viti i gjashtë me radhë që familja Kurmemaj ndan donacione në një shumë të konsiderueshme për ata që kanë më së shumti nevojë.
“Ne, vetëm në fillim të vitit, nga familja Kurmemaj kemi pasur një donacion për personat me diabet. Familja Kurmemaj gjithashtu vazhdon të kontribuojë edhe për familjet në nevojë dhe është me rëndësi të ceket edhe ky donacion për fëmijët me nevoja të veçanta, me të cilin po e përmbyllim këtë vit. Unë vërtet ndiej përulje ndaj të gjithë prindërve që ballafaqohen me sfida, me peripeci të cilat shpeshherë janë të vështira. Ashtu siç këta fëmijë kanë nevojë për prindërit dhe familjet e tyre, ashtu edhe prindërit kanë nevojë për të gjithë ne”, ka pohuar Lika – Çobaj, duke shtuar se kjo është një ditë që i bën bashkë të gjithë, “jo vetëm për donacionin në vlerë monetare, por për atë që të jemi më të bashkuar dhe t’i gjendemi njëri-tjetrit”.
Në vijim të fjalës së saj, ajo ka thënë se të gjithë ata që janë prindër e dinë merakun për fëmijët.
“Prandaj këta prindër gjithmonë thonë se është lehtë ‘derisa të jemi ne, por çfarë ndodh kur mos të jemi ne?’ Prandaj është shumë me rëndësi që ne të fuqizohemi si komunitet dhe t’i gjendemi pranë njëri-tjetrit, e në veçanti këtyre fëmijëve. Janë pikërisht këta fëmijë që na mësojnë ne të jemi më të kujdesshëm dhe më solidarë”, u shpreh përfaqësuesja e Fondit Humanitar “Trojet Tona”.
Në këtë ngjarje me rëndësi të veçantë për komunitetin lokal, përveç përfaqësueses së Fondit Humanitar “Trojet Tona”, fjalë rasti mbajtën edhe drejtoresha e Qendrës Ditore “Sirena”, Salije Meqikukiq, si dhe kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, të cilët vlerësuan lart kontributin human të familjes Kurmemaj dhe rëndësinë e mbështetjes institucionale e shoqërore për fëmijët me nevoja të veçanta.
Drejtoresha e Qendrës Ditore për Fëmijë dhe të Rinj me Pengesa në Zhvillim “Sirena”, Salije Meqikukiq ka falënderuar posaçërisht familjen Kurmemaj dhe Fondin Humanitar “Trojet Tona”.
“Me mirënjohje të thellë dhe falënderim të veçantë dua t’i falënderoj për donacionin zotëri Ahmet Kurmemajn me bashkëshorten e tij, të cilët kanë ndarë një donacion për fëmijët e qendrës sonë. Ky donacion nuk është vetëm një e mirë materiale, por një dashuri e treguar nga ana e tyre, e cila ka një domethënie shumë të madhe për fëmijët, të cilët kanë nevojë për përkrahje të vazhdueshme”, ka thënë ajo.
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu ka thënë se për të çdo aktivitet dhe çdo gjë që ndodh në këtë komunë, ku tregohet mbështetje dhe solidaritet, është diçka që duhet vlerësuar.
“Qendra ‘Sirena’ sot ka rastin që të pranojë, dhe ata që marrin shërbime këtu, një ndihmë e cila është shumë thelbësore dhe e rëndësishme. ‘Trojet Tona’ dhe familja Kurmemaj janë duke bërë një hap human dhe solidar, dhe besoj se të gjithë ju do ta ndieni veten të nderuar dhe të respektuar në kuadër të këtyre aktiviteteve. Komuna e Ulqinit, ashtu si deri tani, do të vazhdojë të zhvillojë programe edhe më komplekse për ndihmë për të gjithë ata që janë në nevojë”, është shprehur ai.
Ky donacion i radhës nga familja Kurmemaj, përmes Fondit Humanitar Shqiptaro-Amerikan “Trojet Tona”, është dëshmi e qartë se humanizmi, solidariteti dhe përgjegjësia shoqërore janë vlera që ndërtojnë ura shprese dhe besimi në komunitet. Për fëmijët dhe të rinjtë me nevoja të veçanta, kjo mbështetje përfaqëson jo vetëm ndihmë materiale, por edhe një mesazh të fuqishëm se ata nuk janë të harruar dhe se shoqëria qëndron pranë tyre. Ngjarje të tilla janë shembull i mirë për të gjithë, duke treguar se vetëm përmes bashkëpunimit ndërmjet familjeve, institucioneve dhe organizatave humanitare mund të ndërtohet një shoqëri më e drejtë, më e ndjeshme dhe më solidare.

D. Teliqi

Të fundit

më të lexuarat