Dhuna nuk ka vend në fe, familje apo shoqëri

Në kuadër të përmbylljes së fushatës globale “16 Ditët e aktivizimit kundër dhunës me bazë gjinore”, Ambasada e Britanisë së Madhe në Prishtinë ka bashkuar prijësit fetarë të Kosovës për të nënshkruar Deklaratën e përbashkët mbi dhunën me bazë gjinore dhe dinjitetin njerëzor – një akt i vlerësuar si historik.
Sipas njoftimit të kësaj ambasade, nën drejtimin e ambasadorit Jonathan Hargreaves, përfaqësues nga Bashkësia Islame e Kosovës, Kisha Ortodokse Serbe, Kisha Katolike, Komuniteti hebre dhe Kisha Protestante Ungjillore u bashkuan në të njëjtën tavolinë, për të sinjalizuar një qëndrim të qartë dhe të unifikuar: Dhuna nuk ka vend në fe, familje apo shoqëri.
Mbretëria e Bashkuar, e cila pozicionohet si kampione globale në luftën kundër dhunës me bazë gjinore, në aktin e vet thekson se promovimi i barazisë dhe dinjitetit njerëzor është shtylla e paqes dhe prosperitetit.
Ambasadori Hargreaves nënvizoi se në Kosovë këto vlera luajnë rol kyç në forcimin e kohezionit shoqëror dhe stabilitetit.
Gjatë 16 ditëve të aktivizmit, siç thuhet në njoftim, Ambasada vendosi të punojë ngushtë me udhëheqësit fetarë, duke theksuar ndikimin e tyre të drejtpërdrejtë në formimin e normave dhe vlerave brenda komuniteteve.
“Deklarata e nënshkruar përfaqëson një zotim të shkruar dhe një premtim publik për mbrojtjen e më të cenueshmëve dhe sfidimin e praktikave të dëmshme. Ajo dërgon një mesazh shprese se komunitetet fetare në Kosovë janë të bashkuara në thënien ‘mjaft’ ndaj dhunës me bazë gjinore”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së Britanisë së Madhe në Prishtinë.

Sh. Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat