Edicioni i katërt i “Sweet December” në Ulqin, nga 23 dhjetori deri më 7 janar 2026

Një aktivitet gjithnjë e më i dashur

Komuna e Ulqinit dhe Organizata Turistike e Ulqinit kanë hapur zyrtarisht më 23 dhjetor 2025 edicionin e katërt të manifestimit tradicional dimëror “Sweet December”, i cili do të zgjasë nga 23 dhjetori 2025 deri më 7 janar 2026. Këtë vit, aktivitetet po zhvillohen në bulevardin “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”, i cili është shndërruar në një skenë të madhe festive nën qiell të hapur.
Festa e hapjes së “Sweet December” këtë vit nisi me ndezjen e dritave të bredhit së bashku me fëmijët, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe magjike për të gjithë vizitorët. Nata hapëse iu dedikua gjithashtu shkollave, me aktivitete dhe argëtim të veçantë me programin e tyre.
Manifestimi sjell një program të pasur muzikor dhe argëtues, me koncerte nga emra të njohur të skenës rajonale, si grupet “Elita 5”, “Fisnikët”, pastaj këngëtarët Adi Shoshe, Anxhela Peristeri, Sinan Vllasaliu dhe “Tropico Band”, si dhe një program të veçantë për fëmijë.
Çeljen e manifestimit e bëri kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, i cili theksoi rëndësinë e këtij manifestimi për qytetin dhe vizitorët.
“Ky është një aktivitet që po bëhet gjithnjë e më i dashur për qytetin tonë dhe për të gjithë ata që e vizitojnë Ulqinin gjatë kësaj periudhe festive. Këtë vit, Ulqini po shkëlqen më shumë se kurrë më parë. Qyteti është zbukuruar me më shumë drita, më shumë ngjyra dhe ka më shumë ngrohtësi, sepse kemi përgatitur diçka ndryshe – diçka që sjell gjallëri në dimër dhe krijon një atmosferë festive për të gjithë qytetarët. Ju uroj që këto ditë festive t’i kaloni me familjen, miqtë dhe të dashurit tuaj, duke shijuar programin dhe magjinë e dhjetorit në Ulqin”, ka thënë Nimanbegu.
Ai gjithashtu sqaroi arsyet e ndryshimit të vendit të mbajtjes së manifestimit këtë vit.
“Për të siguruar qarkullim më të mirë dhe siguri, këtë vit manifestimi është zhvendosur në bulevardin ‘Gjergj Kastrioti – Skënderbeu’, për shkak të punimeve në rrugën ‘Mujo Ulqinaku’. Ky ndryshim u bë për të shmangur grumbullimet dhe për të siguruar që të gjithë të shijojnë programin pa vështirësi”, u shpreh Nimanbegu.
Drejtori i Organizatës Turistike të Ulqinit, Qazim Hoxhiq, bëri të ditur se ndryshimi i vendit ka mundësuar zgjerimin e aktiviteteve dhe një ofertë më të pasur në shtëpizat e pazarit. Vizitorët mund të gjejnë pije të ndryshme, ushqim të shpejtë, specialitete të ëmbla, si dhe produkte tradicionale vendore. Për herë të parë, shtëpizat do të jenë të hapura nga ora 9:00 deri në mesnatë.
Vëmendje e veçantë këtë vit i është kushtuar edhe programit për fëmijë, me aktivitete edukative dhe argëtuese, pjesëmarrjen e shkollave dhe artistëve të njohur për fëmijë.
Organizatorët theksojnë se “Sweet December” synon jo vetëm të sjellë atmosferë festive për fundvitin, por edhe të forcojë imazhin e Ulqinit si një destinacion atraktiv turistik gjatë gjithë vitit.
Megjithatë, edhe këtë vit Ulqini mbetet pa një manifestim të organizuar publik për natën e ndërrimit të moteve, duke e lënë qytetin dhe vizitorët që duan të festojnë në këtë datë të rëndësishme pa një atmosferë festive të përbashkët.

D. Teliqi

Të fundit

më të lexuarat