Një buxhet ambicioz

Në seancën e mbajtur më 23 dhjetor 2025, Kuvendi i Komunës së Ulqinit miratoi buxhetin për vitin 2026, i cili arrin vlerën 23.862.000 euro, duke shënuar një rritje prej pothuajse 25 për qind krahasuar me buxhetin e planifikuar për vitin 2025. Ky buxhet konsiderohet një hap i fuqishëm fiskal dhe zhvillimor për vetëqeverisjen lokale, duke reflektuar orientimin drejt investimeve afatgjata me interes publik.
Një nga pikat më të rëndësishme është rritja e buxhetit kapital, i cili përbën 30 për qind të totalit, ndërsa shpenzimet rrjedhëse përbëjnë pak më shumë se 40 për qind. Kjo strukturë tregon qartë prioritetin e Komunës për projekte zhvillimore dhe investime afatgjata.
Rritja e buxhetit rrjedhës lidhet pjesërisht edhe me themelimin e dy ndërmarrjeve të reja: Ndërmarrjes për menaxhimin e Kripores së Ulqinit dhe Ndërmarrjes Publike “Transporti Urban”. Gjithashtu, janë planifikuar mjete për transformimin e Agjencisë për Zhvillim dhe Ndërtim të Ulqinit në një agjenci komunale për përgatitjen e dokumenteve të detajuara urbanistike, në përputhje me legjislacionin e ri.
Buxheti për vitin 2026 parashikon gjithashtu realizimin e disa investimeve infrastrukturore: rindërtimin e rrugës së Kosovës me trotuar, përmirësimin e oborreve të shkollave dhe rritjen e sigurisë për fëmijët. Projekti i rrugës “Mujo Ulqinaku” po vijon me sanimin e infrastrukturës rrugore dhe sistemit të kanalizimit, i cili pritet të përmirësojë furnizimin me ujë për lagjet përreth.
Me buxhet janë parashikuar edhe blerja e dy autobusëve, për të përfunduar procesin e funksionalizimit të “Transportit Urban”. Administrata komunale fokusohet gjithashtu në rritjen e të ardhurave nga aktivitetet komunale, tarifat për tokën ndërtimore dhe legalizimin e objekteve pa leje, si dhe në konsolidimin fiskal përmes përmirësimit të arkëtimit të tatimeve lokale.
Sipas krerëve të Komunës së Ulqinit, investimet në infrastrukturë nuk ndalen me kaq. Pritet përmirësimi i rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimeve në të gjithë qytetin, përfundimi i Tregut të Gjelbër dhe Qendrës Shtoj, zgjerimi i Mandraqit me 70 vende të reja ankorimi, dhe ndërtimi i impiantit për përpunimin e ujit të pijshëm.
Buxheti gjithashtu rrit fondet për klubet sportive dhe manifestimet kulturore, si dhe për agrobuxhetin, duke përfshirë blerjen e pajisjeve që mbështesin zhvillimin e biznesit në bujqësi.
Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, e cilësoi këtë dokument si ambicioz dhe një hap të guximshëm për të gjitha sekretariatet dhe shërbimet komunale.
“Komuna do të vazhdojë investimet për qytetarët më të rinj, me fokus të veçantë në përmirësimin e parqeve urbane dhe këndeve të lojërave për fëmijë”, theksoi ai.

D. Teliqi

Të fundit

më të lexuarat