Deputeti i Forumit Shqiptar, Artan Çobi, i cili vjen nga radhët e Alternativës Shqiptare, ka kërkuar nga Ministria e Kulturës dhe Mediave që të mos japë pëlqimin për legalizimin e objektit ilegal – kishës së vendosur nga Kisha Ortodokse Serbe në majën e Rumisë.
“Maja e Rumisë nuk është thjesht një pikë gjeografike; ajo është një monument historik dhe kulturor që u takon të gjithë qytetarëve, pa dallim feje apo kombësie. Institucionet relevante të Malit të Zi e kanë pasur obligim që ta mbrojnë Ruminë si zonë me rëndësi të veçantë dhe të organizojnë kërkimet e nevojshme arkeologjike, por në vend të kësaj, kanë lejuar devastimin. Është detyrim i yni moral dhe qytetar që të dalim në mbrojtje të pasurive tona të përbashkëta dhe të mos lejojmë cenimin e tyre nga adresa të papërgjegjshme”, ka shkruar ai në postim.
Në shkresën dërguar Ministrisë së Kulturës dhe Mediave, nisur nga rëndësia e këtij mjedisi, si nga aspekti i trashëgimisë natyrore dhe kulturore, ashtu edhe në kontekstin e planeve hapësinore në fuqi, Çobi kërkon nga ky institucion që të deklarohet hapur kundër çdo legalizimi që shkel ligjet e vendit dhe konventat ndërkombëtare.
“Dua t’ju përkujtoj se legalizimi eventual i këtij objekti do të ishte në kundërshtim me nenin 78 të Kushtetutës së Malit të Zi, me të cilin përcaktohet mbrojtja e posaçme e të mirave natyrore dhe kulturore me interes të përgjithshëm. Po ashtu, ky akt nuk do të ishte në përputhje me Ligjin për mbrojtjen e të mirave kulturore, si dhe me detyrimet ndërkombëtare që Mali i Zi i ka marrë me ratifikimin e Konventës për mbrojtjen e trashëgimisë natyrore dhe kulturore botërore”, thuhet më tej në shkresë, duke rikujtuar se Rumia i plotëson të gjitha kushtet për të qenë zonë e mbrojtur me rëndësi të posaçme.
(Kohapress)
