Pako me dhurata për fëmijët e Kopshtit parashkollor në Guci

Gëzimin e dhuratave në fjalë, të cilat në mënyrë solemne ua dorëzoi pronari i kompanisë Dardan Qosaj, e përjetuan 120 vogëlushë të cilët e ndjekin Kopshtin e Fëmijëve në Guci, në të dy gjuhët edukativo-mësimore - shqipe dhe boshnjake, veprim human ky që pa dyshim shpreh shembull domethënës të përgjegjësisë shoqërore dhe të kujdesit për brezat e rinj

Guci – E mërkura e kaluar, më 17 dhjetor të këtij viti, në ambientin e Kopshtit të Fëmijëve Parashkollorë në Guci, dallohej prej ditëve të tjera të aktivitetit edukativo-mësimor. Ajo vërtet ishte ditë solemne, ditë gëzimi e kënaqësie, sepse me rastin e festave të fundvitit të gjithë fëmijëve u ndanë pako dhurata me lodra e artikuj ushqimorë, duke krijuar atmosferë të ngrohtë hareje e kremtimi për të gjithë vogëlushët e pranishëm.
Dhuratat u siguruan nga Kompania “Metro Group”, në pronësi të bashkëvendësit vuthjan Dardan Qosaj, e cila me përkushtim dhe ndjenja humanizmi e solidariteti vazhdon traditën e bukur të shpërndarjes së dhuratave për fëmijët e komunës së Gucisë me rrethinë, në veçanti në vigjilje të festave të fundvitit.
Gëzimin e dhuratave në fjalë, të cilat në mënyrë solemne ua dorëzoi pronari i kompanisë Dardan Qosaj, e përjetuan 120 vogëlushë të cilët e ndjekin Kopshtin e Fëmijëve në Guci, në të dy gjuhët edukativo-mësimore – shqipe dhe boshnjake, veprim human ky që pa dyshim shpreh shembull domethënës të përgjegjësisë shoqërore dhe të kujdesit për brezat e rinj.
Me rastin e ndarjes së dhuratave, pronari i kompanisë Dardan Qosaj u shpreh se “fëmijët janë ardhmëria e vendit tonë, të cilët meritojnë vëmendje, kujdes dhe mbështetje të vazhdueshme, në mënyrë që të rriten të lumtur dhe të lidhur ngushtë me vendlindjen e tyre”.

Sh. Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat