Një gjest human që shpëton jetë

Ky aksion shënon vitin e katërt radhazi të organizimit të dhurimit vullnetar të gjakut nga Kryqi i Kuq në Ulqin, një iniciativë që nga viti në vit po gjen mbështetje gjithnjë e më të madhe nga qytetarët

Kryqi i Kuq në Ulqin ka organizuar me sukses aksionin humanitar të dhurimit vullnetar të gjakut në ambientet e Gjimnazit Publik “Vëllazërim-Bashkim”, duke dëshmuar edhe një herë rëndësinë e solidaritetit dhe humanizmit në komunitetin lokal.
Ky aksion shënon vitin e katërt radhazi të organizimit të dhurimit vullnetar të gjakut nga Kryqi i Kuq në Ulqin, një iniciativë që nga viti në vit po gjen mbështetje gjithnjë e më të madhe nga qytetarët.
Sipas udhëheqësit të Kryqit të Kuq në Ulqin, Edis Sijariq, dhurimi i gjakut është një nga veprimet më humane që një individ mund të bëjë, pasi një dhurim i vetëm mund të nënkuptojë shpëtimin e një ose më shumë jetëve.
“Ne shënojmë 150-vjetorin e themelimit të Kryqit të Kuq si një nga organizatat humanitare numër një në botë, dhe 150 vite jemi të pranishëm në Mal të Zi si një nga organizatat më të vjetra në këtë vend. Thirrjes nga viti në vit i janë përgjigjur gjithnjë e më shumë qytetarë, duke ofruar kështu më shumë siguri për shëndetin e qytetarëve tanë. Një numër i madh i të rinjve i janë bashkëngjitur aksionit të dhurimit vullnetar të gjakut. I falënderoj të gjithë dhuruesit, e gjithashtu dua të falënderoj shumë edhe ndërmarrjen e Shërbimit të Parkimit në Ulqin, të cilët për dhuruesit ofruan parkim falas, si dhe për 20 dhuruesit e parë dhuruan gjashtë muaj abonim falas. Një falënderim i veçantë për skuadrën nga Podgorica, të cilët ofruan shërbimet e tyre që procesi i dhurimit të gjakut të shkojë në të gjitha nivelet e duhura nga ana shëndetësore”, theksoi ai.
Pjesëmarrësit shprehën ndjenjat e tyre pozitive pas dhurimit të gjakut, duke i ftuar edhe qytetarët e tjerë që të bëhen pjesë e aksioneve të tilla humanitare.
Qytetarja Alldijana Sijariq shprehet se nuk është hera e parë që dhuron gjak dhe se ndihet shumë mirë.
“Dëshiroj t’i ftoj të gjithë qytetarët e Ulqinit që t’u bashkohen aksioneve të tilla të dhurimit vullnetar të gjakut, sepse kjo është një mundësi që ne të gjithë të tregojmë humanizëm dhe solidaritet. Siç e dimë, gjaku nuk mund të krijohet, ai mund të sigurohet vetëm përmes njerëzve. Një dhurim gjaku mund të shpëtojë deri në tri jetë, kështu që apeloj që të bashkohemi të gjithë së bashku”, deklaroi ajo.
Aksioni në Gjimnazin “Vëllazërim-Bashkim” konfirmon edhe një herë se humanizmi, solidariteti dhe përgjegjësia shoqërore janë vlera të gjalla në Ulqin, duke e bërë këtë aktivitet një shembull të mirë për t’u ndjekur edhe në të ardhmen.
Profesori Nexhat Avdiu thotë se për të disatën herë dhuron gjak për njerëzit të cilët kanë nevojë dhe se ndihet shumë mirë.
“Besoj se është një gjest human, i cili për disa vite me radhë zhvillohet në shkollën tonë. Përveç stafit pedagogjik, këtu ka edhe njerëz të tjerë të cilët vijnë për të dhuruar gjak, po ashtu edhe nxënësit. Është një kënaqësi jashtëzakonisht e madhe kur sheh edhe moshën e re që kontribuon për ata të cilët kanë nevojë”, shprehet ai.
Për nxënësin Qazim Tula kjo ishte hera e parë që dhuron gjak.
“E bëj këtë sepse kam dëshirë t’i ndihmoj njerëzit e sëmurë. Procedura është fare e lehtë dhe e shpejtë”, tha ai.
Me një gjest të vogël mund të shpëtohen jetë dhe të ndërtohet një shoqëri më e kujdesshme për njëri-tjetrin.

D. Teliqi

Të fundit

më të lexuarat