Festival unik i kafesë

Ky festival unik i kafesë tërhoqi vëmendjen e një numri të madh qytetarësh dhe vizitorësh, të cilët patën mundësinë të shijojnë një përvojë të rrallë: pjekjen tradicionale të kafesë në gurë, një nga metodat më të vjetra dhe autentike të përgatitjes së saj. Aroma e kafesë së freskët, e përhapur në gjithë pazarin, krijoi një atmosferë të veçantë, duke e kthyer ngjarjen në një pikëtakim kulturor e shoqëror

Shoqata “Globus Art” organizoi gjatë fundjavës (20-21 dhjetor 2025) për herë të parë manifestimin “Festa e kafesë”, i cili u mbajt në ambientet autentike të Pazarit të Vjetër të Artizanëve në Ulqin. Ky aktivitet u realizua me mbështetjen e Komunës së Ulqinit, Organizatës Turistike të Ulqinit, si dhe me kontributin e disa bizneseve vendase, duke sjellë një frymë festive dhe kulturore në prag të festave të fundvitit.
Ky festival unik i kafesë tërhoqi vëmendjen e një numri të madh qytetarësh dhe vizitorësh, të cilët patën mundësinë të shijojnë një përvojë të rrallë: pjekjen tradicionale të kafesë në gurë, një nga metodat më të vjetra dhe autentike të përgatitjes së saj. Aroma e kafesë së freskët, e përhapur në gjithë pazarin, krijoi një atmosferë të veçantë, duke e kthyer ngjarjen në një pikëtakim kulturor e shoqëror.
Manifestimi u pasurua edhe me pjesëmarrjen e artizanëve vendas, të cilët ekspozuan punime artizanale, suvenire tradicionale dhe ushqime tipike të zonës, duke promovuar trashëgiminë kulturore dhe artizanatin lokal.
Kryetari i Shoqatës “Globus Art”, Ramiz Hajdari, falënderoi të gjithë ata që kontribuuan në realizimin e manifestimit.
“Falënderoj nga zemra të gjithë pjesëmarrësit, bashkëpunëtorët, bizneset që na kanë mbështetur financiarisht, si dhe vullnetarët që me përkushtimin e tyre e bënë të mundur këtë festë. ‘Festa e kafesë’ është vetëm fillimi i aktiviteteve që synojmë të sjellim në Ulqin për të promovuar kulturën, artin dhe traditën tonë”, ka thënë ai.
Në emër të Organizatës Turistike të Ulqinit, Zana Sarvan shprehu kënaqësinë për organizimin e këtij manifestimi.
“Ndjehem shumë e lumtur që në Ulqin po fillojnë manifestime kaq të bukura dhe domethënëse, sidomos në prag të festave të fundvitit. Ky aktivitet i jep qytetit një gjallëri të veçantë dhe promovon traditën, kulturën dhe mikpritjen tonë. Falënderoj shoqatën ‘Globus Art’ për këtë iniciativë të mrekullueshme dhe premtoj mbështetjen e OTU-së edhe në të ardhmen”, tha ajo.
Pjesë e programit artistik ishte edhe këngëtarja e njohur shqiptare Irma Libohova, e cila u shpreh e kënaqur për pjesëmarrjen e saj në këtë aktivitet.
“Jam shumë e lumtur që ndodhem në Ulqin, një qytet me histori, kulturë dhe njerëz të mrekullueshëm. Është kënaqësi të jem pjesë e një manifestimi kaq të veçantë dhe autentik”, pohoi ajo.
Programi artistik u pasurua edhe nga kori i Shkollës së Mesme “Vëllazërim-Bashkim”, këngëtarja Eliza Markiq, e shoqëruar nga Hysejn – Icko Hasanaga, si dhe këngëtaret nga Shqipëria – Gloria Xhomaqi dhe Blenda Habipi. Atmosfera u zbukurua më tej nga tingujt e violinës nga Herta Toska dhe Edlira Shkurti, të cilat i dhanë aktivitetit një dimension artistik dhe emocional të veçantë.
“Festa e kafesë” në Ulqin tregoi se iniciativa të tilla kulturore jo vetëm që e ruajnë dhe promovojnë traditën, por edhe i bashkojnë njerëzit, artistët dhe vizitorët në një frymë të përbashkët festimi. Ky manifestim, i cili ndërthuri trashëgiminë kulturore, artin, muzikën dhe shijen autentike të kafesë, i dha qytetit një gjallëri të veçantë dhe krijoi një ambient mikpritës e plot ngjyra.
Organizatorët shprehën bindjen se ky aktivitet do të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme, duke u shndërruar në një pikë të rëndësishme të kalendarit kulturor dhe turistik të Ulqinit. Me mbështetjen e institucioneve lokale, artistëve dhe qytetarëve, “Festa e kafesë” ka potencialin të rritet dhe të tërheqë gjithnjë e më shumë vizitorë, duke promovuar jo vetëm kulturën e kafesë, por edhe vlerat, traditat dhe identitetin kulturor të qytetit.
Kjo ngjarje u vlerësua nga të pranishmit si një shembull i shkëlqyer se si përmes ideve kreative dhe bashkëpunimit mund të krijohen manifestime që lënë gjurmë dhe që i japin Ulqinit një dimension të ri kulturor në prag të festave të fundvitit.

D. Teliqi

Të fundit

më të lexuarat