Mali i Zi ka mbyllur të martën edhe pesë kapituj të tjerë në konferencën ndërqeveritare të mbajtur në Bruksel, në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke e çuar kështu në 12 numrin e kapitujve të mbyllur.
Në konferencën e përbashkët për media, Komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, e ka përgëzuar kryeministrin e Malit të Zi Millojko Spajiq dhe bashkëpunëtorët e tij për këtë hap tejet të rëndësishëm në rrugën e Malit të Zi drejt anëtarësimit në BE.
“Mali i Zi është udhëheqësi ynë. Ai është vërtet një kandidat kryesor me rezultatet më të mira dhe sot e vërteton përsëri këtë. Dymbëdhjetë kapituj të mbyllur. Kaq. Ne i kemi mbyllur këto kapituj dhe jemi të kënaqur që është e mundur. Ky është një hap i madh përpara dhe një rezultat i jashtëzakonshëm për autoritetet malazeze, por edhe për të gjithë qytetarët e Malit të Zi që e mbështesin këtë, si dhe për ne në BE dhe kjo tregon se puna e palodhur shpërblehet. Ne nuk jemi një organizatë humanitare dhe kjo nuk është një dhuratë për Krishtlindje, siç dëgjuam sot nga një prej përfaqësuesve të shteteve anëtare. Nga diskutimi i sotëm në Konferencën Ndërqeveritare e dimë se të gjitha shtetet anëtare i vlerësojnë këto rezultate. Kemi shumë arsye për të festuar sot. Mali i Zi nuk ka qenë kurrë më afër BE-së. Por duhet të jemi edhe të sinqertë – pjesa më e vështirë është ende përpara nesh, sepse ju vetë thatë se doni t’i përfundoni negociatat deri në fund të vitit 2026. Komisioni Evropian ju mbështet në këtë, por për ta arritur këtë, i nderuar z. kryeministër, do të duhet të vraponi shpejt”, ka thënë Kos në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin e Malit të Zi, Millojko Spajiq.
Ajo ka thënë se Mali i Zi ka nevojë, më shumë se kurrë, për unitet kombëtar për të arritur qëllimin e tij.
“Viti 2025 ishte jashtëzakonisht i suksesshëm për rrugën e Malit të Zi drejt BE-së. Jam e sigurt dhe e bindur se viti 2026 mund të jetë edhe më i mirë. E di që mund të mbështetem tek ju për këtë, ashtu siç mund të mbështeteni tek ne. Ne do t’ju mbështesim në çdo hap të rrugës”, ka shtuar Kos.
Nga ana tjetër, kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, ka theksuar se Mali i Zi deri më tani ka mbyllur më shumë se një të tretën e kapitujve të negociatave, duke e bërë atë vendin e parë që e bën këtë në 16 vitet e fundit.
“Sot, kur shumë qendra të fuqisë po përpiqen të zbatojnë agjendat e tyre të paprecedente, ne evropianët nuk kemi ideal më të madh se një Evropë e bashkuar”, ka deklaruar ai.
Përkundër skepticizmit të shprehur edhe në qarqet evropiane se Mali i Zi vështirë mund t’i mbyllë të gjithë kapitujt e negociatave deri në fund të vitit të ardhshëm, kryeministri i Malit të Zi e ka cilësuar këtë si një objektiv realist.
““Po krijojmë kushtet për të përmbushur gjithçka deri në fund të vitit të ardhshëm”, ka deklaruar Spajiq.
Gjatë javës së kaluar, Franca kishte paralajmëruar se do të bllokonte mbylljen e dy kapitujve – atyre 11 (Bujqësia dhe zhvillimi rural) dhe 13 (Peshkimi), por më pas Mali i Zi ndërmori një ofensivë diplomatike që rezultoi me ndryshimin e qëndrimit të Francës.
Edhe pse është konsideruar si udhëheqës, viteve të fundit Mali i Zi ka ngecur duke bërë hapa të ngadaltë në procesin e anëtarësimit në BE.
(Kohapress)
