Drejtoria për Komunikacion dhe Ndërmarrja “Putevi Bar” nga Tivari kanë nënshkruar kontratën për kryerjen e punimeve në rikonstruksionin e rrugës regjionale Katërkollë-Ostros.
Vlera e punimeve është rreth 15 milionë euro pa TVSH, përkatësisht rreth 18 milionë euro me TVSH.
“Projekti përfshin rikonstruksionin e rrugës me gjatësi rreth 17 kilometra, e cila shtrihet nëpër territoret e komunave të Ulqinit dhe Tivarit. Është planifikuar zgjerimi i rrugës ekzistuese, ndërtimi i korsive për automjetet e ngadalta, si dhe përmirësimi i sistemit të ujërave të shiut me anë të ulluqeve prej betoni, kanaleve ekzistuese dhe tubave”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë për Komunikacion.
Projekti përfshin gjithashtu rindërtimin e urave, ndërtimin e mureve mbajtëse dhe rehabilitimin e rrëshqitjeve të dheut, të cilat, siç theksohet nga Drejtoria për Komunikacion, do të përmirësojnë ndjeshëm sigurinë e kësaj rruge.
Lajmin për nënshkrimin e kontratës e ka bërë të ditur përmes një postimi në rrjetin shoqëror Facebook deputeti i Forumit Shqiptar, Artan Çobi.
“Me krenari ju njoftoj se angazhimi ynë gati dyvjeçar për të realizuar rikonstruksionin e rrugës Ostros-Katërkollë, po shkon drejt përfundimit të suksesshëm. Sot, Drejtoria për Komunikacion nënshkroi kontratën me kompaninë fituese të prokurimit publik ‘Putevi Bar’, me çka përfunduan të gjitha procedurat lidhur me këtë investim”, ka shkruar ai.
Çobi ka theksuar më tej se ky përbën suksesin e radhës së Forumit Shqiptar në realizimin e premtimeve dhënë elektoratit.
“Të gjitha investimet në infrastrukturë, në të gjitha zonat ku jetojnë shqiptarët – Malësi, Plavë, Guci, Rozhajë, Tivar e Ulqin, për të cilët jemi angazhuar posaçërisht, po realizohen me sukses. Kjo dëshmon se e kemi marrë me seriozitet besimin tuaj dhe punojmë me angazhim të plotë për të plotësuar nevojat e komunitetit tonë”, ka shkruar Çobi, i cili vjen nga radhët e Alternativës Shqiptare, zëvendëskryetar i së cilës është.
Ndërtimi i rrugës Katërkollë-Ostros është një kërkesë e kahershme e banorëve të kësaj zone dhe e partive politike shqiptare. Infrastruktura rrugore e keqe ka qenë një ndër shkaqet kryesore të migrimit të banorëve nga treva e Krajës dhe fshatrat malore të Anës së Malit. Prandaj rindërtimi i saj, përpos që do të lehtësojë qarkullimin rrugor, pritet të ketë ndikim edhe në valorizimin e potencialeve të kësaj treve.
(Kohapress)
