Komuna e Tuzit shpreh shqetësimin dhe kundërshtimin e saj të fuqishëm ndaj Ministrisë së Planifikimit Hapësinor, Urbanizmit dhe Pronës Shtetërore, e cila lëshoi lejen e ndërtimit për deponinë “Livade”, sipas saj, në mënyrë krejtësisht të paligjshme dhe në shkelje të parimeve themelore të rendit juridik të Malit të Zi.
Me vendimin që mban datën 18 nëntor 2025, kjo ministri ka dhënë lejen ndërtimore për ndërtimin e vaskës 5 në parcelën urbanistike 8-10, gjë që sipas Komunës së Tuzit përbën një shembull të qartë të mosrespektimit të ligjeve të Malit të Zi dhe shkeljes së papranueshme të kompetencave ekskluzive të kësaj komune.
“Leja e ndërtimit është lëshuar në bazë të pëlqimit dhe njoftimit të paraqitur në Ministri nga Kryeqyteti i Podgoricës, megjithëse vendi në fjalë ndodhet pa dyshim në territorin e komunës së Tuzit, një territor mbi të cilin Kryeqyteti nuk ka juridiksion ligjor”, thuhet në njoftimin për media.
Nga Komuna e Tuzit kanë bërë të ditur se Ligji për Organizimin Territorial të Malit të Zi dhe Ligji për Vetëqeverisjen Lokale përcaktojnë qartë se autoriteti ekskluziv për lëshimin e kushteve urbanistike-teknike, pëlqimeve dhe dokumentacionit të plotë mbështetës për infrastrukturën komunale dhe projekte të tjera në territorin e kësaj komune i përket ekskluzivisht asaj.
“Për më tepër, vetë fakti që deponia ‘Livade’ i paguan taksa Komunës së Tuzit dhe jo Kryeqytetit, konfirmon se veprimet e Ministrisë dhe të Kryeqytetit janë ligjërisht të paqëndrueshme dhe në kundërshtim me rregulloret aktuale”, thuhet më tej në njoftim.
Për këtë arsye, Komuna e Tuzit ka njoftuar se ka ngritur padi në Gjykatën Administrative të Malit të Zi, së bashku me propozimin për caktimin e masës së përkohshme, me qëllim anulimin e vendimit të Ministrisë së Planifikimit Hapësinor, Urbanizmit dhe Pronës Shtetërore.
“Prandaj, kemi kërkuar caktimin e masës së përkohshme që do të pengonte ekzekutimin e këtij vendimi deri në përfundim të procedurës, në mënyrë që të mos shkaktohen dëme serioze dhe të pariparueshme, veçanërisht përmes fillimit të mundshëm të punimeve në bazë të një lejeje të lëshuar në mënyrë të paligjshme”, theksohet në deklaratën e kryetarit të Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj.
Ai ka thënë se Komuna e Tuzit do të vazhdojë t’i mbrojë interesat e qytetarëve të saj, integritetin e saj territorial dhe kompetencat e garantuara kushtetuese, si dhe nuk do të lejojë që të merren vendime me rëndësi për këtë komunë pa dijeninë dhe pëlqimin e tyre.
(Kohapress)
