Autoritetet ruse po e pengojnë anëtarësimin e Malit të Zi në marrëveshjen ndërkombëtare për kontrollin e eksportit të armëve dhe mallrave me përdorim të dyfishtë – e njohur si Marrëveshja e Vasenarit.
“Rusia prej disa kohësh po e saboton procesin e pranimit të anëtarëve të rinj”, edhe pse të gjitha kushtet për anëtarësim janë përmbushur, thuhet në dokumentin e Qeverisë së Malit të Zi për zbatimin e rekomandimeve nga raporti i Komisionit Evropian.
Marrëveshja e Vasenarit ka 42 vende anëtare, mes tyre edhe Rusia, dhe të gjitha vendimet merren me konsensus.
Anëtarët, ndër të tjera, shkëmbejnë të dhëna për armatimin konvencional dhe teknologjitë e ndjeshme me qëllim forcimin e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.
Ambasada e Rusisë nuk i është përgjigjur pyetjes së Radios Evropa e Lirë (REL) nëse Moska po e pengon pranimin e Malit të Zi dhe pse.
Marrëdhëniet midis Podgoricës dhe Moskës janë të dëmtuara prej më shumë se një dekade, kryesisht për shkak të hyrjes së Malit të Zi në NATO dhe pushtimit rus të Ukrainës.
Marrëveshja e Vasenarit u krijua pas Luftës së Ftohtë, për shkak të nevojës së vendeve për bashkëpunim në uljen e rrezikut nga përhapja e armatimit konvencional dhe mallrave e teknologjive me përdorim të dyfishtë.
Nismën për t’iu bashkuar Marrëveshjes, Mali i Zi – anëtar i NATO-s dhe kandidat për BE – e paraqiti dhjetë vjet më parë.
Qeveria thekson se i ka plotësuar të gjitha kushtet formale për anëtarësim.
Përveç përshtatjes së legjislacionit, Ministria e Punëve të Jashtme – kompetente për çështjen e anëtarësimit – ka theksuar për REL-in se procesi ka edhe një dimension të gjerë politik, pasi pranimi kërkon konsensusin e 42 vendeve anëtare.
“Megjithatë, vendimi përfundimtar, i bazuar në konsensus, për pranimin do të varet nga rrethanat gjeopolitike dhe klima brenda Marrëveshjes të Vasenarit, veçanërisht nga pozicioni i Federatës Ruse”, thuhet në dokumentin e Qeverisë.
Komisioni Evropian në raportin e këtij muaji për Malin e Zi ka konstatuar se nuk ka pasur përparim në çështjen e anëtarësimit.
Shumica e vendeve anëtare të BE-së dhe NATO-s janë pjesë e kësaj Marrëveshjeje.
(Kohapress/REL)
