Mandatari Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje ka dështuar të formojë Qeverinë e re, të mërkurën (19 nëntor 2025), deri kur ishte afati i fundit, duke mos arritur të siguronte 61 votat e nevojshme.
Për të votuan 56 deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të partive të komuniteteve joshumicë, aq sa kishte fituar edhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
LVV-ja dhe partitë e tjera, që mandatin e kaluar ishin në opozitë, ia hodhën fajin njëra-tjetrës për dështimin e zgjedhjes së Qeverisë, por edhe për votimin e buxhetit dhe çështjeve të tjera.
Pas dy dështimeve për zgjedhjen e ekzekutivit, sipas Kushtetutës së Kosovës, vendi duhet të mbajë zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Kjo ka bërë që Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pasi që shpërbëri Kuvendin e Kosovës, i cili nuk arriti të zgjidhte një qeveri të re pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025, të dekretojë mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare më 28 dhjetor të këtij viti.
Gjatë një konference për media, pas takimit që më herët gjatë ditës së enjte mbajti me përfaqësuesit e partive politike, Osmani tha se tetë parti ishin për mbajtjen e zgjedhjeve në atë datë, ndërsa pesë për 21 dhjetorin, dhe se tri parti thanë se cilado datë do të ishte në rregull për to.
Në këtë mënyrë qytetarët e Kosovës do t’u drejtohen kutive të votimit për të katërtën herë brenda 2025-tës, pasi që më herët në muajin shkurt ishin mbajtur zgjedhjet e rregullta parlamentare dhe dy rundet e zgjedhjeve lokale në tetor dhe nëntor.
(Kohapress/REL)
