Lidhja Demokratike në Mal të Zi dhe Shoqata e Bjeshkatarëve “Rumia“ kanë shprehur shqetësimin e thellë dhe kundërshtimin e vendosur ndaj përpjekjeve për legalizimin e kishës së vendosur në majë të malit të Rumisë nga Kisha Ortodokse Serbe.
Në reagimin e saj, LD në MZ përkujton se ky objekt, në formë kontejneri, është vendosur në një hapësirë publike që tradicionalisht ka pasur vlerë të madhe historike dhe kulturore, të lidhur me ritualet dhe traditat shekullore të banorëve të zonës, por që nuk ka qenë asnjëherë e lidhur me ndërtimin e një kishe apo objekti fetar.
Kjo forcë politike kërkon ekzekutimin e menjëhershëm të aktvendimit të inspeksionit për heqjen e objektit të paligjshëm në majën e Rumisë, ndalimin e çdo procedure për legalizimin apo transferimin e pronësisë në favor të ndonjë subjekti fetar, ruajtjen e karakterit kulturor e historik të majës së Rumisë si hapësirë tradicionale për kryerjen e ritualeve shekullore dhe monitorim ndërkombëtar nga Delegacioni i Bashkimit Evropian dhe institucionet përkatëse për zbatimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut.
Edhe Shoqata e Bjeshkatarëve “Rumia“ e cilëson si një akt të papranueshëm legalizimin e një objekti që nuk është kishë dhe që nuk iu shërben riteve fetare, as besimtarëve të vërtetë.
“Nuk ka ligj sipas të cilit kjo strukturë mund të legalizohet. Kjo mund të çojë vetëm në veprime irracionale, dhe kemi frikë se do të dëmtojë përgjithmonë harmoninë ndërfetare dhe marrëdhëniet ndërpersonale në atë rajon dhe në të gjithë Malin e Zi“, thuhet në reagim.
Nga kjo shoqatë u kanë bërë thirrje nismëtarëve që të heqin dorë nga kjo ide dhe “të merren me punën e madhe që i pret, për të legalizuar ligjërisht më shumë se njëqind mijë ndërtesa të paligjshme në të gjithë Malin e Zi“.
Kisha në formë metalike është vendosur në majë të Rumisë nga Kisha Ortodokse Serbe, me ndihmën e Ushtrisë së Serbisë dhe Malit të Zi duke përdorur helikopterin ushtarak, më 18 qershor 2025. Që në atë kohë ajo ka nxitur reagime të shumta për shkak të prishjes së traditës dhe përpjekjeve për uzurpimin e kësaj majeje të shenjtë, e cila iu takon të gjitha besimeve fetare. Paligjshmërinë e vendosjes së saj e ka konstatuar edhe inspeksioni përkatës, por vendimi i tij për prishjen e saj dhe lirimin e kësaj hapësire publike nuk është zbatuar kurrë.
(Kohapress)
