
Mbrojtja e identitetit kombëtar të shqiptarëve në Malin e Zi paraqet çështje të veçantë, e cila nuk është e kohës së re, sepse shqiptarët në këtë mjedis janë ballafaquar vazhdimisht me pushtetin për t‘i realizuar në praktikë të drejtat e tyre legjitime. Në lidhje me këtë çështje, me të drejtë është pritur që të bëhen ndryshime që prej miratimit të pluralizmit politik (1990), por përkundër ndryshimeve pozitive këtu ende ekziston sindromi i pushtetit kundër shqiptarëve, duke penguar realizimin praktik të të drejtave të garantuara sipas ligjeve vendore dhe normave ndërkombëtare.
Shqiptarët kanë një flamur
Një çështje e tillë ka të bëjë me simbolet kombëtare, përkatësisht me flamurin kombëtar shqiptar, që është dëshmi autentike e identitetit kombëtar të shqiptarëve në Malin e Zi. Ndonëse çështja e përdorimit të simboleve kombëtare është rregulluar me ligje përkatëse nga viti 2000 dhe në vitin 2020, ende ka individë nga pozitat e pushtetit, të cilët vuajnë nga sindromi antishqiptar dhe të cilëve iu pengon përdorimi dhe shpalosja e flamurit kombëtar shqiptar. Nuk ka dilemë se individët e tillë vuajnë nga kompleksi i hegjemonizmit shtetëror, por ata duhet ta kuptojnë se në Malin e Zi shumënacional çdo popull ka simbolet e veta kombëtare, ku as shqiptarët nuk bëjnë përjashtim. Andaj në këtë aspekt, në Mal të Zi të gjithë duhet ta kenë të qartë se shqiptarët kudo që janë kanë një flamur kombëtar, pavarësisht animoziteteve nga individë apo subjekte të ndryshme.
Dënime e deportime për flamurin kombëtar
Veprimet e policisë ndaj individëve të cilët kanë përdorur në publik flamurin kombëtar shqiptar nuk janë dukuri të panjohura për shqiptarët në Malin e Zi. Lidhur me këtë çështje cekim dy raste ndaj shqiptarëve – shtetas të Shqipërisë, të cilët janë dënuar dhe deportuar nga Mali i Zi.
Rasti i parë ka të bëjë me dy shtetas të Shqipërisë, të cilët rrugës gjatë kthimit nga Kampionati Evropian i Futbollit, duke kaluar nëpër qytetin e Budvës, më 21 qershor 2016, gjoja i kanë provokuar qytetarët e turistët pasi në veturën e tyre kanë pasur të ngjitur flamurin e Shqipërisë, për ç’gjë janë dënuar për përkundërvajtje me gjobë prej 230 euro, sepse në vend publik kanë shpalosur flamurin e një shteti tjetër.
Ndërsa rasti i dytë ka të bëjë me manifestimin e njohur me emrin “Festa e Gështenjës“ në Ostros – Krajë, më 17 nëntor 2019, ku qytetari nga Shqipëria I. D. (64) ka përdorur flamurin e Shqipërisë në vend publik dhe sipas policisë ka kryer kundërvajtje, sepse ka përdorur flamurin e shtetit të huaj. Ai është gjobitur me 300 euro dhe deportim për një muaj nga Mali i Zi, masë ndëshkuese e cila vazhdon edhe tash (!). Siç kanë njoftuar nga Drejtoria e Policisë, në të dy rastet është vepruar në kundërshtim me Ligjin për Rendin dhe Qetësinë Publike.
Ndryshime ligjore në favor të barazisë
Duke qenë se Ligji për Rendin dhe Qetësinë Publike ishte në kundërshtim me Ligjin për Përdorimin e Simboleve Kombëtare sa i përket përdorimit të simboleve kombëtare të pakicave, Kuvendi i Malit të Zi, më 27 dhjetor 2019 bëri përfundimisht ndryshime cilësore të Ligjit për Rendin dhe Qetësinë Publike (neni 23). Me këto ndryshime, flamuri kombëtar shqiptar nuk mund të ndalohet të përdoret në publik, sepse ai është i shqiptarëve në këtë mjedis e jo i një shteti tjetër. Një ndryshim i tillë ligjor eliminoi pabarazinë kombëtare dhe qytetare, që ishte e pranishme për dekada me radhë.
Në favor të këtij konstatimi është edhe vendimi i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi, me ç’rast flamuri kombëtar shqiptar është pranuar zyrtarisht nga Qeveria e Malit të Zi, më 24 shtator 2020, ndërsa dokumenti “Etaloni i stemës, flamurit, himnit dhe festës kombëtare të popullit shqiptar në Malin e Zi” është dorëzuar në Kuvend, më 23 mars 2021.
Dënohet me gjobë për kundërvajtje(!?)
Ndonëse sipas ligjit lejohet përdorimi i flamurit kombëtar shqiptar në mjediset publike, në Mal të Zi ndodhin raste të çuditshme, ku ata që janë të obliguar të mbrojnë ligjshmërinë veprojnë kundër ligjit.
Lidhur me këtë çështje kemi rastin konkret kur qytetari A. N. nga Bratica e Ulqinit, duke u kthyer nga Tuzi, ku ka marrë pjesë në tubimin e Listës Shqiptare për zgjedhjet parlamentare, më 28 gusht 2020, në veturën e tij ka pasur dy flamuj kombëtarë shqiptarë, ku është ftuar që më 7 tetor 2020 të paraqitet në Gjyqin për Kundërvajtje në Tivar. Ai është akuzuar për kundërvajtje sipas Ligjit për Rendin dhe Qetësinë Publike, sepse në veturë ka pasur dy flamuj të Shqipërisë. Por, në vend që kjo gjykatë t’i kërkojë falje qytetarit, sepse punonjësit e policisë kanë vepruar në kundërshtim me ligjin, ajo vendos që qytetari A. N. të dënohet me gjobë për kundërvajtje (!?).
Ky veprim dëshmon në praktikë se në Mal të Zi nuk vepron shteti ligjor, por vendoset sipas disponimit të individëve, të cilët vuajnë nga komplekset dhe animoziteti kundër simbolit kombëtar të shqiptarëve.
Deklarata në polici si në monizëm
Por pavarësisht se ligjet janë të qarta, më 10 shtator 2025, një qytetar nga Ulqini është ftuar në polici për të dhënë deklaratën në lidhje me vendosjen e flamurit kombëtar në objektin e shtëpisë së tij. Për këtë veprim të policisë opinioni është informuar përmes një kumtese nga Lidhja Demokratike në Mal të Zi e më pas edhe nga KKSH.
Ftesa e qytetarit në policinë e Ulqinit dhe marrja në pyetje, sepse ka vendosur flamurin kombëtar në objektin e tij privat të përkujton kohën e monizmit, ku shqiptarët pas demonstratave në Kosovë në vitin 1981, janë ftuar në biseda informative, që përbën akt diskriminues kundër të drejtave dhe lirive të njeriut, të garantuara me ligjet ekzistuese dhe standardet ndërkombëtare.
Në saje të procesverbalit shihet qartë se qytetari akuzohet sepse ka vendosur flamurin e një shteti tjetër, nga lë të kuptohet se fjala është për flamurin kombëtar shqiptar, edhe pse si i tillë është i shënuar. Në këtë dëshmi të procesverbalit duket qartë se ai nuk ka numër protokolli e as vulë, pasaktësi me data të shënuara, që thënë më së buti paraqet joseriozitet nga zyrtari i policisë, nga del se kemi të bëjmë me provokime e kërcënime ndaj shqiptarëve për mos ta përdorur flamurin kombëtar në objektet private.
Përfundim
Më këtë veprim të kundërligjshëm nga ana e zyrtarit të policisë në Ulqin duhet të merret prokuroria dhe Ministria e Punëve të Brendshme, si dëshmi e funksionimit të shtetit ligjor, ndërsa nëse nuk do të merren masa ndaj individit të tillë, ka gjasa që rasti të përsëritet.
Në lidhje me këtë provokim, i cili i ka shqetësuar shqiptarët, ka qenë e udhës që Ministria e Punëve të Brendshme së paku t’u kërkojë falje shqiptarëve. Ndërsa në anën tjetër, ka munguar reagimi nga Ministria e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, e cila ekziston enkas për mbrojtjen e identitetit kombëtar të shqiptarëve sipas ligjeve e normave ndërkombëtare.
Përpjekja për të krijuar konfuzion dhe frikë te qytetarët shqiptarë në Mal të Zi, se kinse kemi të bëjmë me flamurin e një shteti tjetër, është veprim i dështuar, sepse shqiptarët kudo që janë kanë një flamur kombëtar, pavarësisht se a iu pëlqen apo jo të tjerëve, çështje e cila është zgjidhur ligjërisht edhe në këtë mjedis.
