Barazia gjinore nuk është slogan – është përgjegjësi shoqërore

Në tryezën përmbyllëse u theksua se dialogu i hapur, bashkëpunimi ndërinstitucional dhe edukimi i të rinjve janë hapat kyçë drejt një shoqërie pa diskriminim dhe pa gjuhë urrejtjeje

Deri në 90 për qind e të rinjve në Ulqin mendojnë se shoqëria nuk reagon mjaftueshëm ndaj gjuhës së urrejtjes drejtuar kundër grave në hapësirën publike.
Këtë e ka treguar një hulumtim i zhvilluar në mesin e nxënësve të klasave të nënta në shkollat fillore të Ulqinit dhe Katërkollës, rezultatet e të cilit u prezantuan në tryezën e rrumbullakët “Së bashku për barazi: kundër diskriminimit dhe për harmoninë gjinore në Ulqin”.
Aktiviteti u organizua të premten (7 nëntor 2025) nga SOS Telefoni për gra dhe fëmijë viktima të dhunës – Ulqin, me mbështetjen e Ministrisë për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave të Malit të Zi.
Asistentja e projektit, Ajdina Metanoviq – Lukoviq, tha se studimi ka përfshirë 111 nxënës dhe ka treguar disa të dhëna shqetësuese.
“42.42% e të anketuarve mendojnë se gratë në jetën publike janë më të ekspozuara ndaj gjuhës së urrejtjes se burrat, 15.15% janë të pasigurt në përgjigjet e tyre, ndërsa 69.7% kanë vërejtur dhunë në shkolla dhe 15% janë vetë viktima. Ndërsa 33.33% kanë vërejtur sjellje të dhunshme të nxënësve ndaj mësuesve”, tha ajo.
Sipas Metanoviq – Lukoviq, megjithëse të rinjtë janë të vetëdijshëm për problemin, mungon reagimi i duhur shoqëror dhe institucional.
“Vetëdija ekziston, por është ende e pjesshme. Nevojitet edukim i vazhdueshëm për komunikim pa dhunë dhe barazi gjinore”, shtoi ajo.
Drejtoresha e SOS Telefonit në Ulqin dhe koordinatorja e projektit, Hatixhe Nelaj, theksoi rëndësinë e edukimit dhe bashkëpunimit të të gjitha palëve për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë dhe të barabartë.
“Në një kohë kur rrjetet sociale kanë ndikim të jashtëzakonshëm, duhet t’i mësojmë të rinjtë për tolerancë, respekt dhe komunikim pa dhunë. Qëllimi ynë është të zvogëlojmë gjuhën e urrejtjes dhe seksizmin ndaj grave dhe vajzave”, deklaroi ajo.
Nelaj shtoi se ndryshimi fillon nga dialogu.
“Mesazhi ynë është i qartë – ndryshimi fillon me dialog. Kur bashkohen njerëz që besojnë se respekti, barazia dhe solidariteti duhet të jenë themeli i çdo shoqërie, atëherë ndodh ndryshimi i vërtetë”, ka thënë ajo.
Nga ana tjetër, kryeshefi i Policisë së Ulqinit, Bllazho Qetkoviq, foli për sfidat në trajtimin e dhunës digjitale.
“Është shumë e vështirë të identifikohen ata që përmes mesazheve apo rrjeteve sociale ushtrojnë dhunë psikologjike, zakonisht ndaj grave dhe vajzave. Prandaj, është e nevojshme që ligji të parashikojë dënime më të ashpra për këto vepra”, tha ai.
Projekti “Së bashku për barazi” përfshiu një sërë aktivitetesh për forcimin e barazisë gjinore në Ulqin, si: dialogje lokale – u mbajtën dy takime me mbi 30 pjesëmarrës nga institucione, media dhe shoqëria civile, ku u identifikuan format e seksizmit dhe mizogjinisë; raport analitik – u përgatit një dokument me gjetje kryesore dhe rekomandime për përmirësimin e barazisë gjinore në hapësirën publike; kërkime dhe materiale promovuese – rezultatet e anketës u publikuan në broshurë dhe u shpërndanë në institucione lokale; punëtori edukative – u zhvilluan dhjetë punëtori në dy shkolla fillore mbi të drejtat e njeriut, rolet gjinore dhe komunikimin pa dhunë; fushata kundër gjuhës së urrejtjes – gjatë fushatës tremujore u krijuan video dhe fletëpalosje edukative; të rinjtë ishin ambasadorët kryesorë të mesazheve për tolerancë dhe barazi.
Në tryezën përmbyllëse u theksua se dialogu i hapur, bashkëpunimi ndërinstitucional dhe edukimi i të rinjve janë hapat kyçë drejt një shoqërie pa diskriminim dhe pa gjuhë urrejtjeje.

D. Teliqi

Të fundit

më të lexuarat