Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu dhe ministri i Ekologjisë, Zhvillimit Rural dhe të Veriut, Damjan Qullafiq kanë bërë të ditur se parimisht është arritur marrëveshja midis Qeverisë së Malit të Zi dhe Komunës së Ulqinit për formimin e strukturës së re menaxhuese të Kripores së Ulqinit.
Kjo marrëveshje, e cila pritet të nënshkruhet së shpejti, parasheh veprimin dhe kontrollin e përbashkët të Qeverisë së Malit të Zi dhe Komunës së Ulqinit në mbrojtjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Kripores së Ulqinit.
Këto deklarata ata i kanë bërë gjatë Konferencës IX ndërkombëtare për mbrojtjen e Kripores së Ulqinit, të organizuar nga Qendra e Malit të Zi për Ruajtjen dhe Hulumtimin e Zogjve, më 27 tetor 2025.
Nimanbegu ka pranuar se janë afër nënshkrimit të marrëveshjes.
“Ekziston vullnet politik që kjo çështje të zgjidhet përfundimisht, por nuk kemi marrë ende përgjigje nga Ministria e Financave. Sapo ta marrim, grupi ynë i punës do ta shqyrtojë dokumentin dhe do t’i harmonizojë qëndrimet”, ka thënë ai.
Kryetari i Komunës së Ulqinit ka theksuar se kërkojnë një plan të qartë financimi, “sepse funksionimi i Kripores duhet të ketë një burim të qëndrueshëm të të ardhurave. Inflacioni dhe kostot e punës janë rritur dhe nuk mund të nënshkruajmë marrëveshjen nëse nuk e dimë kush dhe si do ta financojë ndërmarrjen”.
Ai ka përkujtuar se Kriporja e Ulqinit zyrtarisht është ende në procesin e falimentimit, që sipas tij përbën “një absurditet që duhet zgjidhur.”
Një fakt tjetër i rëndësishëm, që është dëgjuar në këtë konferencë, është se Kriporja e Ulqinit është në pronësi shtetërore dhe se lidhur me këtë nuk ekziston asnjë kontest pronësor.
Në konferencë kanë marrë pjesë përfaqësues të lartë shtetërorë dhe diplomatikë, partnerë ndërkombëtarë, ekspertë të fushës dhe përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët kanë vlerësuar njëzëri rëndësinë e madhe të kësaj zone që vite me radhë nuk po merr trajtimin e duhur, por fatkeqësisht çdo ditë e më tepër po shkatërrohet.
(Kohapress)
