OJQ “Ulqini Jonë”, me mbështetjen e Komunës së Ulqinit, organizoi të premten, më 24 tetor 2025, në ambientet e Hotelit “Nobel” në Ulqin, tryezën e rrumbullakët përmbyllëse të projektit “Bëhu i përgjegjshëm, raporto dhunën”.
Qëllimi i këtij takimi ishte prezantimi i rezultateve të arritura gjatë zbatimit të projektit, shkëmbimi i përvojave si dhe diskutimi mbi hapat e mëtejshëm në luftën kundër dhunës ndërmjet të rinjve.
Në tryezë morën pjesë përfaqësues të institucioneve publike, shkollave, organizatave joqeveritare, mediave dhe komunitetit lokal, të cilët ndanë mendime dhe propozime konkrete për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në këtë fushë.
Aktiviteti u zhvillua në atmosferë bashkëpunuese dhe konstruktive, duke theksuar rëndësinë e ndërgjegjësimit të të rinjve dhe raportimit të dhunës si hapa thelbësorë drejt një shoqërie më të sigurt dhe më të përgjegjshme.
Nënkryetari i Komunës së Ulqinit, Beqir Sellaj, në fjalën e tij përshëndetëse shprehu mirënjohje për organizatorët dhe vlerësoi lart angazhimin e OJQ “Ulqini Jonë” në trajtimin e temave që prekin drejtpërdrejt komunitetin e të rinjve.
Ai theksoi se bashkëpunimi ndërmjet institucioneve publike dhe sektorit civil është thelbësor për të ndërtuar një shoqëri më të ndërgjegjshme dhe më të përgjegjshme.
“Ky projekt është një shembull i mirë i mënyrës se si mund të ndërtojmë ura bashkëpunimi në të mirë të brezit të ri. Komuna e Ulqinit do të vazhdojë të mbështesë nisma të ngjashme, që trajtojnë tema të ndjeshme si dhuna ndërmjet të rinjve, barazia dhe përfshirja sociale. Ne besojmë se vetëm përmes edukimit, dialogut dhe mbështetjes së ndërsjellë mund të krijojmë një mjedis të sigurt, të shëndetshëm dhe motivues për fëmijët dhe të rinjtë tanë”, u shpreh ndër të tjera Sellaj.
Drejtoresha ekzekutive e OJQ “Ulqini Jonë”, Ajdina Metanoviq – Lukoviq, prezantoi rezultatet e arritura gjatë zbatimit të projektit dhe foli për sfidat e hasura në terren.
Ajo theksoi se projekti kishte për qëllim jo vetëm ndërgjegjësimin, por edhe nxitjen e reagimit aktiv të të rinjve ndaj dhunës.
“Ky është projekti ynë i parë që nga themelimi para dy vitesh. Fenomeni i dhunës bashkëmoshatare, për fat të keq, është gjithnjë e më i pranishëm në mjediset tona arsimore. Përmes këtij projekti kemi dashur të hapim një debat të gjerë dhe të krijojmë hapësira komunikimi ndërmjet shkollave, prindërve dhe institucioneve përgjegjëse. Është me rëndësi që të rinjtë të kuptojnë se kërkimi i ndihmës nuk është shenjë dobësie, por guxim dhe pjekuri. Vetëm përmes bashkëpunimit mund të parandalojmë raste të tilla dhe të ndërtojmë një kulturë të respektit dhe mirëkuptimit. Në kuadër të këtij projekti mori pjesë edhe shkolla e mesme ‘Vëllazërim–Bashkim’”, theksoi Metanoviq – Lukoviq.
Drejtoresha e shkollës së mesme “Vëllazërim Bashkim”, Ardita Kovaçi foli për rëndësinë e edukimit të hershëm dhe për rolin e mësuesve në identifikimin dhe trajtimin e rasteve të dhunës.
“Shkolla duhet të jetë jo vetëm vend ku mësohet, por edhe ku mësohet si të jetohet bashkë. Ne kemi përgjegjësi të madhe që t’u japim nxënësve jo vetëm dije, por edhe aftësi për empati, komunikim dhe respekt ndaj njëri-tjetrit. Edukimi për paqe dhe tolerancë duhet të jetë pjesë e përditshme e punës sonë”, u shpreh ajo.
Ndërsa profesoresha e gjuhës dhe letërsisë shqipe, Arjeta Kurti, ndau përvojat e saj nga klasa, duke vënë theksin te nevoja për ndërhyrje të hershme dhe bashkëpunim të vazhdueshëm me prindërit.
“Shpesh dhuna nuk fillon papritur. Ajo ka shenja të hershme që duhet t’i vërejmë dhe t’i trajtojmë me kujdes. Mësuesit, prindërit dhe psikologët duhet të jenë në komunikim të vazhdueshëm, në mënyrë që të parandalohen situatat që mund të eskalojnë. Është e rëndësishme t’u mësojmë fëmijëve gjuhën e respektit dhe dialogut që në moshë të vogël”, tha ajo.
Në përfundim të aktivitetit, pjesëmarrësve iu shpërndanë fletushka edukuese dygjuhëshe, të përgatitura me materiale informuese dhe këshilla praktike për parandalimin e dhunës, të cilat do të vendosen në të gjitha shkollat e komunës së Ulqinit. Qëllimi i tyre është të rrisin ndërgjegjësimin e nxënësve dhe të nxisin një kulturë komunikimi pa dhunë në mjediset shkollore.
D. Teliqi
